E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në ceremoninë e dhënies së diplomave të studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike 2008.

7 nëntor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të brezit të dytë të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, të ideuar dhe financuar nga Këshilli i Evropës. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmut Lohan.

Duke uruar të porsadiplomuarit, Kreu i shtetit shqiptar iu drejtua të pranishmëve me këtë përshëndetje:

“Më vjen shumë mirë që jam sërish këtu midis jush, ç’ka do të thotë që pranova me shumë kënaqësi ftesën për të qenë edhe një herë së bashku dhe shpresoj dhe herë të tjera pas kësaj, për të laureuar pikërisht ata që e kanë studiuar këtë vit, pra gjeneratën e dytë të Shkollës së Studimeve Politike Shqiptare, këtë traditë të re, traditë, e cila jam i bindur që do të vazhdojë të konsolidohet në vitet e ardhshme.

Duke iu kthyer memories, një vit më parë e kemi vlerësuar si një arritje të madhe, një arritje pozitive, specifike fillimin e kësaj Shkolle me kontributin e Këshillit të Evropës, të komunitetit europian, të cilët jo vetëm ideuan, projektuan dhe financuan, por kanë ndjekur dhe vazhdojnë të ndjekin me shumë vëmendje ecurinë e studimeve në këtë shkollë, standardet dhe besoj elementi më i rëndësishëm që vjen si mesazh nga kjo shkollë janë pikërisht standardet, të cilat ne jemi mësuar t’i citojmë çdo ditë, shpeshherë si pjesë e retorikave politike, ndonjëherë edhe si pjesë e demagogjisë politike, por kjo shkollë në mënyrë shumë serioze, e cila monitorohet nga këto organizma shumë të rëndësishëm evropianë, vjen dhe projektohet me një seriozitet të plotë. Këtë nuk mund ta thoja një vit më parë, e them sot, sepse pas një viti unë kam pasur rastin të kem kontakte me njerëz, që kanë studiuar në këtë shkollë, me pedagogë të shquar që janë pjesë e opinionit të rëndësishëm publik dhe njerëz, të cilët dëshirojnë që të projektohen jo thjesht sikurse mund të mendohet si udhëheqës politikë. Shkolla Politike ka një mision përtej të qenit udhëheqës politikë. Të jesh udhëheqës politik është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e një njeriu dhe të një institucioni të një vendi, por të jesh misionar politik është diçka më shumë se sa të jesh udhëheqës politik. Të jesh misionar politik nuk do të thotë thjesht të jesh në politikat ideologjike, por sot ndjehet më shumë se kurrë, sidomos në Shqipëri që politika duhet të funksionojë në të gjitha sferat e jetës. Pra ajo që ne s’na ka munguar deri më sot, e themi çdo ditë, është pikërisht shprehja e vullnetit politik për të qenë njerëz të lirë të një vendi të lirë demokratik, njerëz që dëshirojnë të integrohen në të gjithë aspiratën euroatlantike, por ajo që ne ende nuk arrijmë që të marrim plotësisht kualitetet e të qenit anëtarë të një shoqërie euroatlantike është pikërisht realizimi i standardeve në të gjitha fushat. Duke ardhur në këtë shkollë, besoj është dhe qëllimi dhe misioni i kësaj shkolle është që të rriten standardet jo vetëm në politikë, por edhe në administratë, edhe në ekonomi, edhe në universitete, pra kudo ku diskutohet sot për arritjen e standardeve për sintonizimin e të gjithë frymës europianiste dhe për t’u sinkronizuar plotësisht me ato që konsiderohen standarde, të cilat ne duhet t’i arrijmë që të meritojmë që të futemi me të drejta të plota në familjen europiane.

Unë mendoj që kjo shkollë, nisur nga referenca të rëndësishme sikurse janë Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, nisur nga referenca njerëzore, duke pasur në konsideratë stafin e kësaj shkolle, njerëz mjaft të nderuar që ndonëse nuk janë shumë të dukshëm janë shumë cilësorë, dhe ju siguroj që vërtetë janë shumë cilësorë, sepse kontaktet e punës, vrojtimet e kujdesshme nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre nëpër veprimtari, të cilat janë qoftë akademike, qoftë veprimtari politiko-shoqërore, dëshmojnë që janë njerëz që meritojnë të merren në konsideratë nga shteti, të merren në konsideratë nga institucionet, të mos jenë njerëz të izoluar thjesht në këtë nismë, por është detyrim i shtetit dhe unë pikërisht për këtë jam sot këtu, që të jap këtë mesazh dhe që të inkurajoj jo thjesht vazhdimin e linjës së kësaj shkolle, por detyrimisht që ky kontigjent njerëzish të mos dalë në përfundim me një diplomë dhe të mbetet në një pozicion statik aty ku ishte përpara. Shoqëria jonë, duke nisur nga institucionet, nga politika, nga ekonomia, nga drejtësia ka nevojë për kualitete.

E kam thënë një vit më parë dhe nuk e teproj ta them, ka qenë fati ynë i keq që jemi shkëputur për rreth pesëdhjetë vite nga bota ku ne sot jemi, nga bota e përparuar, nga bota e institucioneve demokratike, kemi qenë të izolua, nuk jemi formuar nëpër shkolla politike dhe jo vetëm nuk jemi formuar nëpër shkolla politike, por për fat të keq jemi injektuar në mënyrë konstante me një ideologji, e cila për ne sot është mjaft e largët dhe natyrisht e huaj. Sot jemi në një klimë tjetër dhe është fat i madh që më së fundi një gjeneratë e re, në terma jashtëzakonisht dashamirës besoj që jeni me fat, që ju kam zili, që brezi i ri që ka një dëshirë të jashtëzakonshme për t’u shkolluar, ka këtë shans për t’u shkolluar.

Sot ka studentë dhe pasuniversitarë në shumë universitete të botës. Natyrisht formohen me kurrikula shumë të rëndësishme të këtyre universiteteve prestigjioze. Janë në vende pranë Shqipërisë, në Europë, janë në Shtetet e Bashkuara, janë në Kanadë, janë kudo ku ka universitete shumë cilësore. Ky është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë dhe familjet shqiptare që kanë lënë standardet e jetesës së tyre për të shkolluar fëmijët, ç’ka do të thotë që është një dëshirë shumë e madhe, është një dëshirë për të rikuperuar atë që kanë humbur gjatë viteve të kaluar dhe është një dëshirë e madhe që fëmijët e tyre të jenë, të dalin si specialistë në standardet që ka bota e qytetëruar. Por, kjo Shkollë e Studimeve Politike i realizon në Shqipëri, ka një avantazh më të madh. Gjithmonë ka vend për të bërë vrojtime krahasimore. Në rast se ata janë jashtë, janë në universitete shumë tradicionale, janë psikologjikisht të orientuar atje. Ndërsa Shkolla e Studimeve Politike, jo vetëm që ka njerëz që kanë një “background”, por janë të ambjentuar me situatën politike, me situatën e institucioneve, marrin leksione teorike dhe nga eksperienca europiane, por nga tjetër njohin edhe terrenin këtu. Dhe ajo që thuhet gjithmonë në mjekësi, që të shërosh sëmundjen, që të bësh një terapi të mirë, duhet të dish të vendosësh një diagnozë të mirë. Ky është kompatibiliteti që ju keni.

Unë sinqerisht jam shumë i gëzuar dhe ju jam shumë mirënjohës për ftesën që më bëtë. I jam shumë mirënjohës Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian, të gjithë vendeve demokratike, të cilat gjithmonë, çdo ditë, çdo orë monitorojnë demokracinë në Shqipëri, monitorojnë demokracinë e institucioneve dhe u japin gjithnjë kurajo, suport në të gjithë këtë sfidë të vështirë globale, e cila nuk është thjesht ekonomike, por është dhe politike. Ne jemi gjithnjë të vendosur që ato aspirata që i shprehin të gjithë institucionet, por në radhë të parë që i shpreh populli shqiptar, aspiratat euroatlantike, të realizohen jo vetëm me vullnet politik, por edhe me standarde, sikurse thashë në të gjitha fushat, në politikë, në institucione, në administratë, në ekonomi, në universitete dhe në shoqëri. Edhe një herë ju faleminderit dhe ju uroj suksese të gjithë atyre që kanë mbaruar gjeneratën e dytë dhe jam i bindur që kjo shkollë do të absorbojë dhe shumë lidera të rinj, të cilët do të jenë patjetër të një niveli shumë më të lartë nga ata që drejtojnë sot”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›