Kryeministri Berisha ndjek nga afër, në Gjirokastër, situatën e krijuar nga shembja e pallatit në lagjen “11 Janari”

Kryeministri Berisha, menjëherë pas u vu në dijeni për situatën e rëndë të krijuar në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër, si pasojë e shembjes së një pallati, u nis urgjent në vendngjarje dhe po ndjek nga afër operacionet që po ndërmerren për shpëtimin e banorëve që rezultojnë nën rrënoja dhe përballimin e situatës së krijuar me banorët e lënduar dhe familjet e dëmtuara nga kjo tragjedi.
Kryeministri Berisha u takua fillimisht me banorë të mbijetuar nga kjo ngjarje dhe u interesua për gjendjen e tyre, duke siguruar se të gjitha strukturat shtetërore janë në dispozicion të përballimit të situatës.
Në takimin e zhvilluar me Shtabin e Emergjencës të ngritur për përballimin e situatës, Kryeministri Berisha kërkoi nga të gjitha strukturat që, së pari, puna të përqendrohet në përballimin e situatës, nxjerrjen nga rrënojat e personave që mund të kenë mbetur nën to, si dhe ndihmën mjekësore për të lënduarit nga kjo ngjarje, të cilët ndodhen në Spitalin e Gjirokastrës.
Kryeministri vizitoi gjithashtu edhe të plagosurit nga kjo ngjarje në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
“Spitali i Gjirokastrës është në gatishmëri të plotë të situatës. Nga Tirana ka ardhur edhe një ekip mjekësor për të ndihmuar. Në tërësi, situata e të plagosurve nuk paraqet rrezik. Problemi më madhor në këtë ngjarje shumë të rëndë është fati i atyre që kanë mbetur nën rrënoja, për të cilët ndërhyrja, në të gjitha aspektet, është e rrezikshme. Sidoqoftë, po priten edhe disa mendime ekspertësh, ose për të shembur pjesën e mbetur të pallatit, i cili në fakt është postuar disa metra nga shkarja e bazamentit, ose për të vazhduar kërkimet në ato rrënoja, të cilat, nga momenti në moment, ashtu siç ju i keni parë dhe filmuar edhe vet, mund të pësojnë rrokullisje të mëtejshme.
Po ndihmohen të plagosurit, po ndërmerren masa për sistemimin e familjarëve që kanë humbur strehimin dhe po vazhdohet me insistim për të gjetur rrugën më shpëtuese të mundshme, për të ndihmuar ata të cilët janë nën rrënoja. Numri se sa persona mund të jenë nën rrënoja, nuk është i qartë, mund të jenë 3, mund të jenë 5, mund të jenë edhe më shumë, sepse edhe në zonën ku punonin punëtorët e firmës, edhe pse thuhet se ata janë larguar, ka mjete pune që janë nën rrënoja. Ndaj kërkimi i mëtejshëm do të qartësojë përmasat e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë.
Po pritet të vijnë me helikopter një ekip i gjeologëve nga Tirana dhe një ekip nga Janina, që do të ndihmojnë në kërkimet në rrënoja. Këto dy ndihma janë shumë të nevojshme. Gjeologët do të japin disa vlerësime më objektive mbi mundësinë e shkarjes ose jo të mëtejshme të tokës, ndërkohë që, nëpërmjet diktimit të personave se ku ndodhen, do të mund të përcaktohet më qartë se çfarë operacioni shpëtimi do të ndërmerret.
Qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të mund të zgjidhë problemet më të mprehta të situatës së krijuar.
Gjithashtu, duhet të bëhet dhe do të bëhet një hetim i plotë, i gjithanshëm i të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje tragjike, e cila ka tronditur gjithë Gjirokastrën. Hetimi ka filluar dhe policia kriminale, prokuroria, policia gjyqësore e të tjera struktura, po merren me çështjen e hetimit të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë”.
09/11/2008