Kryeministri Berisha: Asnjë zonë e Shqipërisë nuk do të ndihet e harruar nga qeveria
Në vijim të turit të inaugurimeve të veprave publike në rrethin e Lezhës, Kryeministri Berisha përuroi fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Grykë Manati, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 38 milionë lekë. Kryeministri theksoi se kjo rrugë do të lidhë 5 fshatra dhe përbën investimin e parë publik në tërë historinë e kësaj zone.
“Uroj banorët e kësaj zone ta gëzojnë këtë rrugë dhe dua t`i siguroj ata se qeveria do të mbështesë çdo projekt, për të cilin ka nevojë kjo zonë”, tha Kryeministri Berisha.
Është në detyrën tonë, të qeverisë qendrore dhe qeverisjes vendore, vijoi Kryeministri, që zonat të cilat kanë pasur përkrahjen më të vogël ose përkrahjen minimale tashmë të marrin përkrahjen që meritojnë në mënyrë që në Shqipëri askush të mos ndihet i harruar.
“Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se kudo që ata jetojnë, qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar jetën e tyre. Kjo rrugë lehtëson jetën e këtyre banorëve, të cilët do të udhëtojnë si të gjithë qytetarët e tjerë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri nënvizoi se sistemimi i përroit të kësaj zone, i cili ka qenë problematik për shkak të përmbytjeve që shkaktonte, po realizohet me investimet e Bankës Botërore dhe Ministrisë së Bujqësisë. Por ne, vijoi Kryeministri Berisha, do të mbështesim edhe projekte të tjera, të cilat nuk mund të mos merret parasysh dendësia e popullatës në këtë zonë. “Kryetari juaj më informoi se në Shënkoll, nga 8 mijë banorë, tani janë 18 mijë banorë dhe kjo nënkupton rritjen e investimeve. Gjithashtu dhe popullsia e Lezhës është trefishuar; ka qenë 11 mijë banorë dhe është bërë 33 mijë”, deklaroi Kryeministri duke garantuar se asnjë zonë e Lezhës apo e Shqipërisë nuk do të ndihet e harruar nga qeveria.
Kryeministri i sugjeroi kompanisë ndërtuese që ta shpejtojë përfundimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për banorët e kësaj zone.
Përfaqësuesit e firmës ndërtuese premtuan se do t`i përfundojnë punimet brenda këtij viti dhe dot`ua bëjnë rrugën si dhuratë banorëve të zonës për Vitin e Ri.
08/11/2008