E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Durrësi dhe mbështetja e tij, faktor kryesor në shndërrimin në realitet të ëndrrave tona të mëdha kombëtare

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite takimin përmbyllës elektoral në Durrës, me banorë të këtij qyteti. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Partive Popullore Evropiane, z. Wilfried Martens.  Në përshëndetjen  e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 “I dashur z. Martenes, President i Partive Popullore Evropiane,

 I dashur z. Kostas, Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i PPE-së,

Të dashur qytetarë të Durrësit,

Mirëmbrëma!

Së pari, dua të falënderoj, në emrin tuaj, Mikun e madh, të shquar, të Partisë Demokratike, të demokracisë shqiptare, të kombit shqiptar, Presidentin e PPE z. Wilfried Martens, për praninë e tij këtu dhe fjalën e mbajtur.

Së dyti, kam nder të veçantë, gëzim dhe kënaqësi të madhe, të sjell këtu në Durrës, nga Korça, kurorën e fitores, e fitores së thellë, fitores që buron nga zemrat tuaja, fitores që shkëlqen në sytë tuaj, fitores që është mbartur në besimin tuaj, fitores së madhe të 28 qershorit, fitores së Durrësit evropian, fitores së Shqipërisë evropiane.

Durrësi, me mbështetjen e tij, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ishte Durrësi dhe mbështetja e tij faktor kryesor  që ne, së bashku, shndërruam në realitete ëndrrat tona të mëdha kombëtare. Së bashku, mblidhemi sot si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Së bashku, ne aplikuam për anëtarë në Bashkimin Evropian, së bashku ne shembëm malet, bashkuam kombin dhe ecim të sigurt  në projektin tonë evropian.

Qytetarë të Durrësit,

Jam sot këtu për t’ju bërë një thirrje vëllazërore të gjithë qytetarëve të Durrësit; bashkohuni me ne. Me votën tuaj votoni 10-ën, sepse keni votuar për Durrësin, për infrastrukturën moderne të tij, për portin e tij evropian, për furnizimin e tij me ujë 24 orë, keni votuar për Durrësin, fytyrën turistike të Shqipërisë dhe kombit mbarë, keni votuar për Durrësin, gjenerator i fuqishëm i punësimit të durrsakëve dhe shqiptarëve, parkun e tij industrial, universitetin e tij modern.  

Qytetarë të Durrësit,

E diela është e diela e idealeve tona evropiane. Të dielën, Durrësi blu voton për veten e tij, voton 10-ën, voton Shqipërinë blu, voton të ardhmen e tij në Evropën blu, e cila mezi pret në gjirin e vet qytetin mijëra vjeçar, djep i fuqishëm i kulturës perëndimore të kombit shqiptar, kryeurë e lidhjes së tij me perëndimin.

 Në 28 qershor të votojmë të gjithë së bashku për të ardhmen tonë evropiane, të votojmë së bashku për mirëqenien tonë, për shërbimin shëndetësor dhe arsimin modern, të votojmë për t’i kthyer Shqipërisë të ardhmen që meriton, të votojmë për të kapur së bashku horizontin evropian që na pret.

 Rroftë Durrësi,

Rroftë Shqipëria,

Fitore, Fitore, fitore.”   


26/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›