Kryeministri Berisha u bën apel qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë në votim
Përshëndetje. Meqenëse duhet të respektoj heshtjen elektorale, apelin tim për të gjithë qytetarët shqiptarë të të gjitha bindjeve, të të gjithë orientimeve për ditën e diel, dëshiroj ta bëj sot. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, me maturi dhe me qytetarinë e tyre të kontribuojnë në këto zgjedhje për procesin zgjedhor më të lirë, më të mirë në historinë e këtij vendi.
Zgjedhjet e 28 qershorit zhvillohen me infrastrukturën teknike më moderne që mund të ekzistojë kund. Ato zhvillohen me regjistër civil elektronik dixhital, listë votuesish dixhitale, letërnjoftime dixhitale, numërim dixhital para kamerave. Pra, është bërë një përgatitje e jashtëzakonshme.
Një moment është jashtëzakonisht jetik, shmangia e çdo lloj tensioni. Së dyti, të mos lejojmë që një virtyt, një vlerë madhore e jona, siç është solidariteti familjar, të na kthehet në një dëm serioz për zgjedhjet. Çka do të thotë që të gjithë ne në familjet tona, kush me bashkëshortin, kush me prindërit, me gjyshërit, më vëllain, motrën do të shkojmë pasnesër në kutitë e votimit, por kusht vendimtar është që asnjë të mos tentojë të votojë kolektivisht. Unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari shqiptar, të shmangë me çdo kusht këtë standard, i cili dëmton shumë zgjedhjet. Votimi kolektiv dhe vota e lirë janë të papajtueshme. Kjo është një vërejtje e përsëritur, e drejtë që vëzhguesit, miqtë tanë kanë bërë për procesin zgjedhor në Shqipëri. Asgjë nuk kemi më shumë në dorë, sesa shmangien e saj. Ftoj komisionerët e të gjitha forcave politike të mos pranojnë që në qendrat e votimit, ku ata drejtojnë procesin, qoftë edhe një qytetar i vetëm të mos votojë ndryshe, veçse individualisht. Vota individuale është kushti më themelor për t’u konsideruar e lirë dhe e ndershme.
Ftoj për pjesëmarrjen më masive, e cila duket se do të ndodhë. Ju e dini që unë jam shumë i pakët në parashikime, por në dy gjëra që parashikoj, njëra prej tyre është se do të kemi një pjesëmarrje vërtet masive dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Natyrisht, nuk do të duket shumë tek përqindja, por do të duket tek numri i votuesve, krahasuar me zgjedhjet e tjera.
Edhe një herë apeli im për të gjithë mbështetësit, anëtarët, simpatizantët e forcës politike që kryesoj, por të të gjitha forcave politike dhe të gjithë qytetarët t’i japim pasnesër vendit procesin zgjedhor më të bukur, më të mirë, më të lirë që vendi ka njohur ndonjëherë dhe të dëshmojmë se besimi i madh që është vendosur tek ne nga qytetarët shqiptarët, nga miqtë tanë në botë të justifikohet plotësisht.
Së fundi, dua t’u them se nuk isha dot korrekt në këtë konferencë, sepse Tirana ishte e përmbytur nga çerek ore shi. Imagjinoni, kur përmbytja pengon Kryeministrin, se çfarë heqin qytetarët e tjerë.
Pyetje: Në ekranet e televizorit ju kemi parë sot duke ndjekur situatën e krijuar para godinës së qeverisë për skelat e mitingut që Partia Socialiste, do të organizojë sot, në të njëjtën orë me ju.
Kryeministri Berisha: Edi Rama organizoi një provokacion ordiner. E bëri këtë edhe për faktin se sheshet nuk i mbush dot. Meqenëse nuk mbush sheshet, i lamë këtë rrugën këtu, le ta bëjë aty mitingun. Por sheshet janë për festat e mëdha. Nuk e bën dot, le ta mbajë. Le që më thanë edhe tjetrën, se po bëhej gati të shpallte bojkotin. Lëre thashë, hiqja pretekstin. Kishim një projekt ne, e ndryshuam. Nuk prish fare punë, ishte një projekt fare i thjeshtë. Le ta bëjë, e rëndësishme është që ai zgjedh vend të ngushtë dhe jo hapësira. Se çfarë do t’i sjellë ajo?! Unë nuk kisha ndonjë gjë tjetër, pasi ju e dini, që kur ka ardhur ai për të protestuar unë kam dalë dhe e kam përshëndetur. Këtu ka protestuar me qindra herë, ka ardhur edhe vetë ai në krye të protestës dhe kam dalë dhe e kam salutuar.
Pyetje: Ju i cilësuat si provokacione zoti Kryeministër, por a mund të ndikojnë këto te rezultati përfundimtar i vëzhguesve të fushatës elektorale, por edhe për zgjedhjet?
Kryeministri Berisha: Jo, ka dokumente për këto. Ka një traditë, mitingjet për 20 vjet janë zhvilluar në dy sheshet. Absolutisht, në qoftë se zotëria e tij do të kërkonte sheshin “Skënderbe”, unë isha i gatshëm ta ripozicionoja orarin, jo të ikja nga sheshi, se këto janë mitingje përmbyllëse. E bëre në 7, e bëre në 8, apo e bërë në 9, nuk ka ndonjë problem, kjo është festë. Por ai ka frikë nga sheshet, ky është problemi. Madje indirekt më thanë që ia kishin sugjeruar atë, por ky zotëria nuk e mbush dot, nuk mbush dot as këtë tjetrin. Prandaj ja ku e ka këtë rrugën këtu 16 metër të gjerë.
Pyetje: Nga ku do ta ndiqni rezultatin e votimeve zoti Kryeministër?
Kryeministri Berisha: Rezultatin e votimeve, në seli. Do ta pres në selinë e Partisë Demokratike, sepse ajo është normale, aty janë mbështetësit, janë të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe unë do të jem me ta, të ndaj me ta festën e fitores.
26/06/2009