Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të Devollit
- Sot inauguruam nisjen e punimeve për autostradën Qafë Plloç - Qukës,e cila shkurton distancën me Tiranën. Ju garantoj se shumë shpejt do të fillojë edhe autostrada e re Elbasan – Tiranë dhe ju, me prodhimet tuaja, do të kapni tregun e kryeqytetit në një kohë 2 herë më të shkurtër sesa tani.
Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Devollit. Në këtë takim, kryeministri Berisha u shpreh:
"Të dashur qytetarë të Devollit
Përshëndetjet më vëllazërore nga Tirana, Saranda, Peshkopia, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe mbarë Shqipëria.
Gëzuar fitoren e madhe të Devollit europian, të devollinjve evropianë, të Shqipërisë evropiane.
Qytetarë të Devollit,
Kjo fushatë po shkon drejt kurorës së vet dhe këtu në Devoll, sot ne firmosim për Devollin evropian, për idealet tona evropiane, për ëndrrën tonë evropiane, për Shqipërinë evropiane.
Qytetarë të Devollit, në rast se ka një gjë në të cilën ju jeni Evropë, ju jeni të tillë me mundin, djersë dhe shpirtin tuaj punëtor. Kam ardhur sot këtu tek ju për t’ju dhënë fjalën se, në katër vitet që vijnë, në rrethin tuaj, nuk do të ketë as edhe një metër rrugë të pa asfaltuar, se në rrethin tuaj nuk do të ketë familje pa ujë të pijshëm 24 orë. Fermat tuaja do të kenë mbështetje të fuqishme nga qeveria ime dhe ne do të financojmë çdo projekt tuajin për rritjen e prodhimit, sistemet e ftohjes dhe përpunimit të këtyre prodhimeve, do të financojmë akcizën e naftës dhe të gjitha imputet për sipërfaqen e mbjellë. Do të rrisim pensionet tuaja duke i barazuar me ato të qytetit dhe duke bërë që të jenë më shumë se në 6 vende anëtare të BE-së. Tokat tuaja në Devoll, por edhe tokat e mbarë fermerëve shqiptarë, do të vendosen nën ujë. Le të kushtojë sa të dojë, qeveria ime do të ngrejë sistemet më të fuqishme, më moderne të vaditjes, në Ballkan e më gjerë.
Qytetarë të Devollit,
Kur po vinim këtu, me ministrin e Financave, devollitin tuaj Ridvan Bode, inauguruam nisjen e punimeve për autostradën Qafë Plloç - Qukës,e cila u shkurton juve shumë, kohën për të mbërritur në Tiranë. Unë ju garantoj se shumë shpejt do të fillojë edhe autostrada e re Elbasan – Tiranë dhe ju, me prodhimet tuaja, do të kapni tregun e kryeqytetit në një kohë 2 herë më të shkurtër sesa tani.
Qytetarë të Devollit,
28 qershori është një datë e vërtetë historike, sepse në 28 qershor, ne, banorët më të vjetër të këtij kontinenti, vendosim për të shndërruar në realitet ëndrrën tonë evropiane. Ndaj, dua t’ju bëj thirrje të gjithë devollinjve, pavarësisht nga bindjet politike, socialistë e qytetarë të çdo bindjeje; bashkohuni me ne. Thirrja ime është e ndershme, thirrja ime është vëllazërore dhe këtë thirrje e bëj sepse ëndrra evropiane nuk është ëndërr vetëm e demokratëve, është ëndërr e të gjithë shqiptarëve. Ideali evropian është ideali i të gjithë shqiptarëve, është projekti më i bukur për mbarë shqiptarët, për familjen e tij dhe vendin e tij. Ne që bëmë realitet ëndrrën euroatlantike të shqiptarëve dhe anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne kemi të gjithë vullnetin, të gjithë dijen, të gjithë përkushtimin, të gjithë besimin për të përgatitur Shqipërinë drejt vendimit përfundimtar për të shndërruar në realitet ëndrrën tonë evropiane.
Vota së bashku, në 28 qershor, është votë për pensionet tuaja, është votë për fermat tuaja, është votë për ujë 24 orë, është votë për Devollin e urbanizuar tërësisht, është votë për Devollin turistik, është votë për të ardhmen tuaja.
Qytetarë të Devollit,
Ju garantoj se do të financoj çdo rrënjë dru frutor që do të mbillni në tokat tuaja, sikundër ju garantoj se do të mbështes prodhimet tuaja,. Ne i kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë ato gjithnjë e më shumë.
Në 28 qershor le të bashkohemi së bashku. Gjërat e mëdha duhet t’i ndajmë me njëri – tjetrin dhe në gjërat e mëdha ka vend për të gjithë. Ëndrra jonë evropiane është ëndërr mbarë shqiptare.
Ndaj në 28 qershor le të votojmë të gjithë 10-ën. 10-a jeni ju, devollinj, 10 meriton shpirti juaj punëtor, 10-a janë fëmijët tuaj të mrekullueshëm, familjet tuaja, 10-a është Devolli, 10-a është Shqipëria, 10-a është Partia Demokratike, është Evropa blu që mezi pret Devollin blu, Shqipërinë blu, ëndrrën shqiptare blu, për të hequr vizat brenda vitit të parë të mandatit tonë të ardhshëm.
Ju ftoj ta shndërrojmë 28 qershorin në festën e madhe të maturisë sonë demokratike, të respektit tonë të madh për lirinë, të votojmë me dinjitet të plotë, të shkojmë në qendrat e votimit si familje, por të votojmë veç e veç, sepse ky është standardi evropian. Le të trokasim me voton tonë, në 28 qershor, në dyert e Evropës blu. Fitorja është e çdo shqiptari. 28 qershori ka vetëm të fituar, të fituar janë të gjithë ata që i besojnë ëndrrës evropiane
Rroftë Devolli
Rroftë Shqipëria!”
25/06/2009