Zv.kryeministri Genc Pollo nënshkruan me USAID-in Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit
Qeveria shqiptare, përmes Zëvendëskryeministrit Genc Pollo dh ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përfaqësuar nga Drejtoresha e USAID-it Roberta Mahoney nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (TIK). Përmes kësaj marrëveshjeje, USAID-i do të ofrojë asistencë teknike në mbështetje të përmirësimit të sektorit të TIK-ut në Shqipëri.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua sot në selinë e Këshillit të Ministrave në një ceremoni, ku ishin të pranishëm përfaqësues të kompanive që ofrojnë shërbime telekomunikimi dhe interneti në mbarë vendin.
Zëvendëskryeministri Pollo u shpreh se nënshkrimi me USAID-in i Memorandumit të Mirëkuptimit i hap rrugën një asistence të frytshme e të dobishme, që do të ndihmojë zhvillimin e infrastrukturës dixhitale në vend.
“Me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë, vendi ka hyrë në moshën dixhitale, duke pasur parasysh që kemi rritjen më të lartë në Europë të penetrimit të internetit dhe sipas UN e-government Survey të vitit 2008, Shqipëria renditet e 86, ndër 180 vende, në krahasim me vendin 102, që mbante 4 vjet më parë,” u shpreh z. Pollo.
Ndërsa Drejtoresha e USAID-it, zonja Mahoney tha se “USAID-i është krenar që po e rrit përfshirjen e tij në zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit përmes këtij memorandumi mirëkuptimi që po e nënshkruajnë sot këtu. Ne shpresojmë në lehtësimin e zhvillimeve në këtë fushë, që do të kenë një ndikim të shpejtë e kuptimplotë për qytetarët e Shqipërisë dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare.”
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Pollo u shpreh:
“Qeveria jonë e konsideron zhvillimin e shoqërisë së informacionit dhe përdorimin e përhapjen e teknologjive të informacionit dhe komunikimit si një ndër prioritetet më të larta për të arritur zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe standarde të larta jetese. Këtë e synon edhe strategjia kombëtare përkatëse e miratuar më 21 janar të këtij viti.
Gjatë viteve të fundit, sektori i TIK-ut në Shqipëri ka pasur një rritje të ndjeshme, është rritur numri i kompanive të krijuara dhe aktive në këtë fushë. Projektet tona kryesore në zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në vend, në nivel kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, fokusohen në qeverisjen elektronike, në të mësuarit elektronik, por edhe në zhvillimin e infrastrukturës elektronike, të cilën ne synojmë ta realizojmë sëbashku me sektorin privat. Ne jemi të orientuar tek TIK-ut në mbështetje të biznesit, industrisë, për të plotësuar sfidat shoqërore të qeverisjes, për përmbajtjen, zhvillimin personal, si dhe arritjen e sfidave shoqërore në arsim dhe në shëndetësi.
Gjatë katër viteve të fundit, është realizuar ngritja dhe vënia në funksionim e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, mbështetja për projekte të rëndësishme të infrastrukturës, shërbimet ‘on line’, modernizimi i administratës me këto instrumente. Të tillë mund të përmend krijimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, krijimin e një sistemi të ri modern identiteti bazuar në këtë regjistër, përmes letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, është miratuar ligji për komunikimet elektronike, po modernizohet sistemi i adresave, shërbimet ‘on line’ të taksave dhe prokurimeve publike, zhvillimi i sistemeve informative dhe administrimit të bazës së të dhënave në sektorin e shëndetit publik, në dogana, e fundit ishte ASYCUDA World. Por projekti TIK shkollat, projekti për të pajisur shkollat tona të arsimit bazë dhe të arsimimit të mesëm me kabinete informatike, të lidhura me internetin ka qenë një projekt madhor i kësaj qeveri, që tashmë ka përfunduar me sukses dhe sfida të tjera na presin në të ardhmen.
Nevoja dhe rrethanat kombëtare do të jenë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë së informacionit, teknologjia do të kontribuojë në konsolidimin e administratës publike dhe institucioneve shtetërore, do të jetë faktor vendimmarrës në procesin e decentralizimit dhe qeverisjes lokale. Gjithashtu, ka projekte të mëdha e të rëndësishme që përfshijnë përdorimin e teknologjisë së informacionit. Krahas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve që është ngritur dhe funksionon, pak javë më parë u inaugurua nga Kryeministri edhe Qendra Kombëtare e Licencimit, e mbështetur nga Sfida e Mijëvjeçarit, ashtu siç punojmë për regjistrimin e planifikimit të territorit dhe sistemin elektronik të gjykatave administrative.
Tashmë me këto përpjekje, por edhe arritje vendi ka hyrë në moshën dixhitale, duke pasur parasysh që kemi rritjen më të lartë në Europë të penetrimit të internetit dhe sipas UN e-government Survey të vitit 2008, Shqipëria renditet e 86, ndër 180 vende, në krahasim me vendin 102, që mbante 4 vjet më parë.
Financimi i donatorëve do të jetë shumë i vyer për të mbështetur sektorin e teknologjisë dhe do të fokusohet edhe në nxitjen e sektorit privat për të mbështetur projekte të mëdha e afatgjata në këtë fushë. Gjithashtu, synimi ynë është që sektori privat të luajë një rol gjithnjë e më aktiv, gjithnjë përfshirës, i koordinuar mirë me projektet dhe planet qeveritare, për kuadrin rregullator, por edhe për investimet konkrete. Këtë synojmë ta realizojmë edhe nëpërmjet asistencës të ofruar nga USaid-I. Me këtë Memorandum Mirëkuptimi, qeveria jonë synon krijimin e kushteve të kërkuara për zhvillimin e TIK-ut. Partneriteti me USAID-in ka luajtur një rol të rëndësishëm, që vlerësohet maksimalisht. Do të doja të shprehja edhe një herë falënderimin për këtë asistencë të çmuar. Nënshkrimi me USAID-in i Memorandumit të Mirëkuptimit i hap rrugën një asistence të frytshme e të dobishme, që do të ndihmojë zhvillimin e infrastrukturës dixhitale në vend. Zonja Mahoney faleminderit për gjithçka dhe jam i sigurt se do të bashkëpunojmë shumë ngushtë në 4 vitet e ardhshme në këtë fushë, si dhe në fushat e tjera.
26/06/2009