Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare i ka të gjitha kushtet për një rritje gjithnjë e më të madhe
- Ekonomia shqiptare bazohet më shumë se çdo ekonomi tjetër në sektorin privat dhe Shqipëria është absolutisht vendi më privat i Evropës.
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot, mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, gjatë së cilës kryeministri e vuri theksin tek ekonomia, rritja e së cilës këtë tremujor shënoi 3.4 % kundrejt një rritje prej 1.2 % që shënoi tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim realisht inkurajues, kryeministri konsideroi si një faktor shumë pozitiv rikthimin e ndërtimit si promotorin e zhvillimit të vendit. “Këtë tremujor ndërtimi është + 4.1 % pra ka një rritje mbi 21 % dhe ky është një ogur shumë i mirë dhe natyrisht në vende të cilat kanë si platformë zhvillimin, pra në projektin Shqipëria- vendi i zhvilluar, promotori i këtij projekti është dhe mbetet ndërtimi me të gjitha degët dhe nëndegët e tij.”u shpreh kryeministri.
Kryeministri tha gjithashtu se një rritje të ndjeshme ka patur këtë tremujor edhe transporti prej 13.3 %. “Shqipëria lëviz me shpejtësi. Rritja e transportit është rritja e lëvizjes.” u shpreh Kryeministri. Kryeministri shprehu besimin se ky tremujor do të jetë kulmor duke patur parasysh edhe stinën e verës, gjatë se cilës turizmi merr një rol shumë të rëndësishëm. “Shqipëria turistike është Shqipëria, e cila mbidyfshion banorët e saj dhe kjo rritje kulmon muajt e verës. Turizmi këtë vit, fatmirësisht ka qenë më i hershëm. Promovimi i agjencive turistike botërore ka qenë më i madhi që mund ti jetë bërë ndonjë vendi.” tha kryeministri.
Kryeministri theksoi se të dhënat në shumë sektorë janë të qarta për një dinamizëm dhe entuziazëm real të ekonomisë shqiptare.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Sot, kryefjala e kësaj mbledhje është sërish ekonomia. Tremujori i parë i vitit mbyllet me një rezultat 3.4 % më të lartë, sesa tremujori parë i vitit të kaluar, çka përbën një zhvillim realisht inkurajues. Gjithnjë tremujori i parë është një tremujor i përgjumur për ekonominë,por nuk mund të thuash se ky është një tremujor i përgjumur.
Ky ishte një tremujor, në të cilin ekonomia e vendit u rrit me 3.4 % kundrejt një rritje prej 1.2 % që ishte tremujorin e parë të viti të kaluar. Pra faktikisht rritja është mbi 40 % më ë madhe se sa rritja e vjetshme. Konsideroj shumë pozitive rikthimin e ndërtimit si promotorin e zhvillimit të vendit. Vjet ndërtimi ka patur një rënie. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar ndërtimi ka qenë – 17 % , këtë tremujor ndërtimi është + 4.1 % pra ka një rritje mbi 21 % dhe ky është një ogur shumë i mirë dhe natyrisht në vende të cilat kanë si platformë zhvillimin, pra në projektin Shqipëria- vendi i zhvilluar, promotori i këtij projekti është dhe mbetet ndërtimi me të gjitha degët dhe nëndegët e tij. Pra siç e shihni edhe pas përfundimit të projektit të shekullit siç ishte rruga e kombit , në të cilën mblidhen 100 milion metër kub dhera dhe shkëmbinj, prapa ndërtimi pësoi një rënie, por tani ka rimarr veten fuqishëm. Shqipëria ndërton në të katër anët e saj. Sigurisht ndërtimi diktohet dhe nga tregu, si psh sektori i banesave. Tregu është i shkëlqyer. Ajo që e pengon tregun nuk është aspak mungesa e parave, por babëzia sepse më duhet të them që ka ndërtues që kërkon ti shesë qytetarëve të këtij vendi, në periferi po flas dhe jo në qendër, pasi nuk është preokupimi i qeverisë ata që blejnë në qendër, pasi ata ikanë mundësitë, por në periferi është ekzakt 40 -50 % më i kushtueshëm se në periferinë e Berlinit, qytetit më të kamur të Evropës. Megjithatë uroj që këta ndërtues të përqafojnë rregullat e tregut, të kuptojnë që fitimi ka një kod sepse të mbash çmime stratosferike me idenë se mund të fitosh më shumë, gabohesh. Mund të kesh më pak para, por i qarkullon dhe japin shumë më tepër. Sidoqoftë e vërteta është se Shqipëria po ndërtohet dhe në atë që ndërtohet pjesa publike e buxhetit publik është realisht në minorancë, ndërtimi kryesor është në sektorin privat. Rritje të lakmueshme ka transporti. Shqipëria lëviz me shpejtësi. Rritja e transportit është rritja e lëvizjes. Rritje të lakmueshme ka industria. Pra zotërinj ministra. Disa rënie janë pseudorënie, janë të tilla sepse vlerësohen kryesisht nga kontributi tatimor. E vërteta është që tregu i telekomunikacionit në veprimtari dhe në minuta ka një rritje prej 38 % , në të ardhura për shkaqe që janë në studim e sipër por një prej tyre janë edhe paketat ofertë edhe rëna e cmimeve që u realizua nëpërmjet liberalizimit të tregut, por edhe paketat që kompanitë e telekomunikacionit iu ofrojnë qytetarëve, për të cilat nuk mund të dekurajohen pavarësisht se janë taksa të munguara në arkën e shtetit, por janë para të kursyera në xhepat e qytetarëve dhe ne e tolerojmë këtë rënie. Në fakt kjo nuk është rënie. E thashë edhe njëherë, në vëllim veprimtarie rritja ka qene 38 %. Pra të dhënat janë të qarta për një dinamizëm dhe entuziazëm real të ekonomisë shqiptare. Pritet që ky tremujor të jetë kulmor. Shqipëria turistike është Shqipëria, e cila mbidyfishon banorët e saj dhe kjo rritje kulmon muajt e verës. Turizmi këtë vit , fatmirësisht ka qenë më i hershëm. Promovimi i agjencive turistike botërore ka qenë më I madhi që mund ti jetë bërë ndonjë vendi.
Po kështu transporti ka një rritje prej 13.3 % dhe këtë tremujor do të ketë një rritje shumë të madhe. Duke vlerësuar këtë rritje ekonomike vendimi që morëm për shkurtimet e shpenzimeve është vendimi drejtë dhe shumë i rëndësishëm sepse ka të bëjë me stabilitetin makroekonomik, stabilitet i cili është kushti kryesor i kësaj rritje. Pa këtë stabilitet kjo rritje nuk do të mund të realizohej, ndaj dhe uroj që pesimistët se ka dy lloj pesimistësh, skeptikë nga natyra, por që s’janë pesimistë dhe zemërligjtë, të cilët janë të pashërueshëm, por për të gjithë të tjerët këto të dhëna janë jashtëzakonisht të rëndësishme në një kohë të një krize reale të borxheve në Evropë, sepse kriza e borxheve është një krizë shumë thelbësore, një krizë e cila siç duket nuk do të ketë një kalim të shpejtë, por do të zgjasë më shumë se ç’parashikohet, por këto janë të dhënat ekonomisë shqiptare, e cila ka të gjitha kushtet për një rritje gjithnjë e më të madhe, kjo është një ekonomi , e cila bazohet më shumë se çdo ekonomi tjetër në sektorin privat dhe Shqipëria është absolutisht vendi më privat i Evropës.
Dhe ata të cilët shprehen se do të bëjnë nacionalizime, atyre iu kujtoj Chavezin, sepse i vetmi i vetëshpallur socialist në botë është Hugo Chavez që bën nacionalizime, sepse dhe socialistët evropiane, nuk kanë më atë program, kanë platformën e Tony Bler. Toni Bler e quajti rruga e ndërmjetme. Në fakt e ndërmjetme nuk është, por është përafërsisht qendra e djathë, por ai nuk mund të thoshte kështu. E mori nga Anthony Giddens e elaboroi por vendit të vet i bëri shërbime të mëdha me privatizimet që i vazhdoi. Mund të themi se në Evropë nuk asnjë forcë politike të partisë socialiste evropiane që të ketë nacionalizimim, sepse të heqësh privatizimin do të thotë të fusësh nacionalizimin, praktika me të cilat, Evropa, socialdemokracia evropiane është ndarë që nga fundi i viteve 70 .
Në qoftë se ekonomia shqiptare po reziston si Davidi, me krizën po reziston se është ekonomi private, nuk po reziston në sajë të ndërmarrjeve publike se ne kemi shumë pak ndërmarrje publike. Po reziston se qeveria ka vendosur në themel të kësaj ekonomie parimin që bën të mundur dhe këtë rritje ekonomike prej 3.4 % në tremujorin më të zymtë, normalisht tremujori i parë është tremujor plogështie, nuk është shumë entuziast. Ekonomia ka edhe ajo ndjeshmërinë e saj të zhvillimit dhe nuk ka si mos ndikohet, nuk ka se si të mos ndjejë stinën e verës ku shitjet kulmojnë.
06/07/2011