E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtorin Ekzekutiv të Grupit Carrefour, Christian Charitat

Kryeministri Berisha priti sot, në takim Drejtorin Ekzekutiv të Grupit Carrefour Christian Charitat.

Investimi i Grupit Carrefour në Shqipëri është Qendra e parë Carrefour në vend, duke shënuar njëherësh edhe vendin e parë në rajon, ku ky Grup është prezent me investimet e tij. Zoti Charitat informoi Kryeministrin Berisha se qendra Carrefour do të hapet në nëntor të këtij viti dhe do ta kryejnë aktivitetin e saj në një sipërfaqe komerciale mbi 7 mijë metra katror dhe me një gamë të gjerë produktesh ushqimore dhe tekstile. Grupi, tha zoti Charitat, do të ketë një politikë të ndërthurjes të produkteve të importit dhe njëherësh të nxitjes së prodhimeve shqiptare, veçanërisht ato agroindustriale. 

Kryeministri Berisha e konsideroi investimin e Grupit Carrefour në Shqipëri një ngjarje pozitive e të rëndësishme për vendin. Një vëmendje të veçantë, Kryeministri Berisha i kushtoi faktit se grupi në fazën e tij fillestare do të punësojë 550 punonjës, si dhe faktin që në planin e tyre të biznesit Grupi Carrefour synon të zgjerojë aktivitetin e tij edhe në qytete të tjera të vendit. Kryeministri vlerësoi gjithashtu, edhe synimet e Grupit për të shtrirë në të ardhmen aktivitetin e tyre në rajon.


06/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›