E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Modeli i suksesshëm i ekonomisë shqiptare mundëson rritjen konstante dhe të përvitshme të rrogave dhe pensioneve

-          Me rritjen e rrogave dhe pensioneve nuk shkelet asnjë marrëveshje me FMN. Qeveria shqiptare ka marrëdhënie të shkëlqyera me FMN, BB dhe të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare

-          Pretendimet e opozitës se jemi në prag të katastrofës janë sa të pavërteta, aq edhe të pashpirta. Të kundërshtosh rritjen e rrogave dhe pensioneve, i mohon vetes autoritetin moral që ka opozita.

Nën drejtimin  e Kryeministri Berisha u zhvillua sot, mbledhja e Këshillit të Ministrave, e cila vendosi për zbatimin e ligjit të parlamentit për buxhetin e shtetit dhe rritjen e rrogave dhe pensioneve në Republikën e Shqipërisë.

Duke e cilësuar këtë mbledhje, si mbledhjen e dytë më të rëndësishme të vitit, kryeministri u shpreh se ky vendim është i pazakontë, në një kohë kur Evropa dhe bota është përfshirë nga kriza e thellë ekonomike dhe financiare e këtyre tre viteve të fundit.

Duke theksuar se kjo rritje vazhdon tashmë prej 6 vitesh në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo politikë bazohet tërësisht në suksesin  e modelit ekonomik të mazhorances dhe të kësaj qeverie. “Është ky model ekonomik dhe performanca në këtë model, ajo që ka bërë dhe bën të mundur rritjen konstante dhe të përvitshme të rrogave dhe pensioneve.  Jashtë kësaj performance, jashtë suksesit të modelit ekonomik ekzistues, rritja  e rrogave dhe pensioneve do të ishte tërësisht e paimagjinueshme” u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se në sajë të këtij modeli të suksesshëm ekonomik, i cili përfshin politikën për uljen e taksave është krijuar në vend, një liri fiskale, ndër më të lartat në Evropë dhe në botë, e cila bëri të mundur që në katër anët  e vendit, pavarësisht nga distanca,  të dyfishohej dhe të mbi dyfishohej numri i bizneseve.

Kryeministri theksoi se me këtë rritje nuk shkelet asnjë marrëveshje e qeverisë me FMN-në dhe se qeveria ka marrëdhënie të shkëlqyera me FMN, BB dhe të gjitha institucionet financiare, ndërkombëtare. “Me këtë rritje edhe njëherë dua të theksoj se nuk shkelim asnjë marrëveshje me FMN, por dua të informoj  shqiptarët se para  vitit 2006, rrogat dhe pensionet, jo vetëm nuk siguroheshin me të ardhurat buxhetore, por një pjesë e kredive përdorej për financimin e tyre. Megjithëse kemi investuar miliarda euro dhe nuk kemi përdorur një qindarkë për rroga dhe pensione, borxhi publik do të jetë 59.7 %, nuk rritet më. Ky është zotimi ynë para partnerit tonë të shkëlqyer FMN”, tha kryeministri.

Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se pretendimet e opozitës “se jemi në prag të katastrofës” janë sa të pavërteta, aq edhe të pashpirta. “Është e dhimbshme kur sheh se si kundërshtarët tanë të vetmit në Evropë dhe në botë kundërshtojnë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe të pensioneve.” tha kryeministri.

Në fjalën e mbajtur, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u shpreh:

“Kjo është mbledhja e dytë më e rëndësishme e vitit, pasi në këtë mbledhje ne vendosim zbatimin e ligjit të parlamentit mbi buxhetin e shtetit, vendosim rritjen e rrogave dhe pensioneve në Republikën e Shqipërisë.

Ky vendim sot është një vendim shumë i pazakontë për shkak të krisës së thelle ekonomike dhe financiare që ka pllakosur Evropën dhe botën, tre vitet e fundit dhe që tashmë po kulmon me krizën e borxheve, po kaq apo më thellë tronditëse, se sa ajo e flluskave të mëdha financiare. Pra ky vendim tingëllon paradoksal, tingëllon në kundërrymë, pasi rregulli i sotëm është jo rritja, por ulja shumë domethënëse e rrogave dhe pensioneve dhe në variantin më të mirë, ngrirja  e tyre, ndërsa ne, për të 6 vite me radhë vazhdojmë rritjen më te madhe te rrogave dhe pensioneve, në përqindje, se çdo vend tjetër në Evropë, por dhe më gjere.

Në 6 vite rrogat e arsimtarëve, krahasuar me rrogën fillestare rriten në masën rreth 120 %, po kaq rriten dhe rrogat  e infermierëve, e mjekëve, mbi 100 % ritet rroga mesatare, rriten mbi 120 % të gjitha pensionet e ulëta në Republikën  e Shqipërisë që kanë qene pensionet e fshatit.

Kjo politikë theksoj dhe njëherë bazohet tërësisht dhe kryekëput në suksesin e modelit ekonomik të kësaj mazhorance dhe të kësaj qeverie. Është ky model ekonomik dhe performanca në këtë model, ajo që ka bërë dhe bën të mundur rritjen konstante dhe të përvitshme të rrogave dhe pensioneve. 

Jashtë kësaj performance, jashtë suksesit të modelit ekonomik ekzistues, rritja  e rrogave dhe pensioneve do të ishte tërësisht ne paimagjinueshme, rritja e rrogave dhe pensioneve do të ishte e zëvendësuar me ulje të përvitshme dhe maksimumi ngrirje të tyre, por e vërteta është se funksionimi i reformave ekonomike që ne kemi ndërmarre, perfomanca ekonomike ka bërë të mundur këtë vendim 6 vite me radhë dhe do të vazhdojë ta beje.

Ne vendosim sot, rritjen e të gjitha rrogave dhe pensioneve të vendit sepse të gjithë treguesit e kësaj ekonomie dëshmojnë sërish se ekonomia e vogël shqiptare, por e gjallë, dinamike dhe entuziaste do të kryesojë rritjen  ekonomike në Evropë; tregojnë se jo vetëm, nuk ka patur dhe nuk ka shenja recensioni, e cila është baraz me krizë, por përkundrazi në rast se rritja në vitin 2009, në vitin më kulmor të krizës ishte 3,2 % , këtë vit ajo parashikohet të jetë rreth 5 % , pra ka një ngjitje.

Theksoj dhe njëherë se kjo rritje nuk është një çështje zemërgjerësie. Ajo ekziston dhe duhet të ekzistojë. Qeveria duhet të udhëhiqet nga parimet e njerëzisë e dhembshurisë , e solidaritet e ndarjes më të mirë të të ardhurave, por këto nuk mjaftojnë, këto do të ishin të gjitha në letër, në rast se modeli i ekonomisë shqiptare nuk do të ishte model i vërtetë suksesi.

Ne rrisim sot rrogat dhe pensionet, në një periudhë kur kriza e borxheve ka tronditur dhe po trondit në themel tregjet evropiane dhe botërore sepse ne vendosëm ekonominë tonë, kohë para krize, në parime të reja funksionimi. Së pari, ne i dhamë vendit qeverinë e vogël, të gjithë punonjësit e sektorit privat duhet ta dinë, të gjithë sipërmarrësit shqiptarë duhet ta dinë se administrata shtetërore peshon në shpatullat  e tyre 50 % më pak, se në çdo vend tjetër të rajonit, qoftë kjo “per kapita” , qoftë dhe jo “per kapita”. Ne, megjithë rritjen agresive të rrogave dhe pensioneve mbetemi një qeveri  e vogël, pasi shpenzojmë për to rreth 6 % të prodhimit të brendshëm dhe kjo është një arritje  e madhe, është një arritje e jashtëzakonshme, kjo sepse ne kemi bërë shkurtimet e nevojshme në administratë, por kjo edhe sepse ne kemi ndërmarrë dhe privatizimet më agresive, më të shpejta, më të suksesshme, duke reduktuar në mënyrë drastike sektorin publik të vendit. Korporatat që ne privatizuam, jo vetëm në Shqipëri, ju garantoj, por edhe në shumë vende të tjera, korporatat publike janë “mamuthë korrupsioni”, ku të gjithë ndukin, shkulin sa munden si në prona të askujt. Natyrisht kjo nuk ndodh në vendet më të zhvilluara, por në vende të tjera po. Prandaj privatizimi që bëmë ne  i nxorri këto korporata nga një lukuni  e papërmbajtur korrupsioni dhe dora dorës do të përmirësoje menaxhimin e tyre.

Modeli ynë funksionoi dhe është model suksesi sepse ne me një vendim shumë të guximshëm ulëm taksat më shumë se çdo vend tjetër në Evropë; ne ulëm taksën  e tatim fitimit, nga 25 % në 10 %; ulëm tatimin mbi të ardhurat personale, nga 23 % në 10 %; kemi shndërruar në zero apo në një euro me dhjetëra e dhjetëra tarifa; ne kemi ulur, me vendimin  e parë që ka marrë kjo qeveri, në javën e parë të saj, në vitin 2005, me 50 % taksën  e biznesit të vogël. Ne kemi ulur nga 32 % në 15 % kontributin e sigurimeve shoqërore, ne hoqëm fare taksën që paguajnë për mallrat e importuara për regjim përpunimi në vend, pra ne kemi krijuar një liri fiskale ndër më të lartat në Evropë dhe në botë dhe kjo liri fiskale bëri që në katër anët  e vendit pavarësisht nga distanca,  numri i bizneseve të dyfishohej dhe të mbi dyfishohej. Politika e taksave të ulëta është një nga kushtet më kryesore për zhvillimin e biznesit.

Ky ishte një revolucion i vërtetë fiskal, modeli ynë  ekomomik  është  një model suksesi të vërtetë sepse ne bëmë gjithçka për të zhdukur barrierat burokratike ndaj biznesit dhe afarizmit në tërësi. Shqipëria sot është  vendi me nivelin më të mirë, qëndron 27 % më lart si mesatare, në vendet më të zhvilluara të botës në regjistrimin e biznesit; qëndrojmë 5 % më lart se vendet më të zhvilluara atë botës, anëtare të OECD, për investime në sektorë të ndryshëm. Shqipëria është një nga vendet me garancitë më të mëdha për investime të huaja, është një nga vendet me kushtet më të mira për kreditin, pra krijimi i një mjedisi lehtësues në rrafshin burokratik për biznesin; aplikimi i parimit “heshtja është miratim” apo i nismës 1 euro për kontrata toke deri dhe në 1000 ha apo dhe 2 mijë ha, për qëllime bujqësore, industriale apo dhe turistike, pra të gjithë këto bënë që të dhjeterafishohen investimet e huaja në këtë vend. Të gjitha këto bënë dhe ky model bëri që, jo vetëm të mos rritet, por edhe të ulet progresisvisht papunësia. Ky model bëri që në tre vite, sipas anketës së BB të ulet me 33 % varfëria. Ky model bëri që po sipas kësaj ankete, mjerimi apo varfëria  e skajshme që ishte 4,3 %  të zbresë në 1.4 %, pra të ketë zbritjen më dramatike. Ky model bëri që të trefishohen eksportet e vendit, këtë vit, krahasuar me 5 vite më parë. Ky model bëri që të ardhurat buxhetore të rriten nga 97 miliard lekë, që ishin nga taksat dhe tatimet në vitin 2004, në 188 miliard lekë në vitin 2009 dhe rritja në vazhdim.

Modeli ynë ekonomik bazohet në investime të mëdha dhe kjo përbën një nga shtyllat e rëndësishme te suksesit të tij. Asnjë vend nuk ka investuar në % të prodhimit të brendshëm saç ka investuar dhe investon Shqipëria. Nga 2400 km rrugë të asfaltuara, në fillim të vitit 2006 u asfaltuan edhe 8 mijë km të tjera, sa që në zgjedhjet e fundit kundërshtari im u deklaronte zgjedhësve prore, se unë udhëtoja me helikopter, ndonëse u kisha thënë se votat janë në tokë, nuk janë ajër, nuk mund të udhëtoj unë me helikopter, fushata është për vota nuk është për panorama.

Pra, sot në sajë të këtyre investimeve, 98 % e shqiptarëve kanë ujë të rrjedhshëm , nuk e kanë 24 orë, por kanë ujë të rrjedhshëm. Sot, në sajë të këtyre investimeve mbi 1200 shkolla në mbarë vendin u ndërtuan dhe rindërtuan. Sot, në sajë të këtyre investime janë ndërtuar dhe po ndërtohen në mbarë vendin sistemet e kanalizimeve, janë ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër 14 impiante të mëdha të ujërave të zeza dhe unë ju garantoj se së shpejti detet dhe liqenet e Shqipërisë do të jenë ndër më të pastrit në Evropë.

Por, problem është se e tërë Shqipëria shihet për fat të keq, në një kënd të ngushtë, prandaj ju ftoj për ta njohur vendin. Modeli ynë ekonomik është model suksesi. Të mos harrojmë se në fillim të vitit 2006, treguesi i përdorimit të internetit ishte ndër më ultit në botë, ishte i tillë sikur ne të ishim një komb në një planet tjetër dhe jo në Evropë, ishte gjithsej 4.8 % . Sot është mbi 50 % dhe kjo që them është e vjetruar sepse dje, ministri Pollo dhe drejtori i përgjithshëm i postave informuan vendin, se me vendosjen  e internetit falas në të 510 zyrat postare te vendi, rreth 2,2 milion shqiptarë, në një hark kohor të shkurtër kanë përdorur internetin. Qeveria u përqendrua me të gjitha potencialet në nismën “Shqipëria në moshën dixhitale”. Një skepticizëm masiv u induktua nga opozita dhe media rreth këtij projekti. Ironira, sarkazma e shoqëruan shpalljen  e tij, por sot është  një realitet më të bukura, më të rëndësishme të këtij vendi. Kudo që të udhëtosh me i-pod tënd të hyn në valë rrjete, që natyrisht ndonëse nuk e ke password-in, fakti që ato hyjnë tregon që ato ekzistojnë në çdo kilometër, por mos harroni se qeveria ka bërë gati dhe po bën gati kurrizoret kombëtare, të cilat do të mund të furnizojnë internet me bazë super të gjerë, në të katër anët  e vendit. Pra hi-tech, infrastruktura moderne janë bërë faktorë shtesë të rritjes ekonomike të vendit, janë bërë një mbrojtje e vërtetë e vendit ndaj recensionit.

Modeli ynë funksionoi dhe ështe model suksesi sepse në një hark kohor, më të shkurtrin, mbi njëmbëdhjetëfishoi numrin e turistëve dhe vizitorëve në vend. Shumë vite më parë kam vizituar një nga ishujt më të njohur të Azisë, i njohur për potencialin e tij turistik dhe kur kolegu im më thotë se 10 vjet më parë numri i turistëve ne atë vend kishte qenë 200 mije dhe atë vit që ishim ne parashikohej 1,3 milion, ajo mu duk një gjë e jashtëzakonshme atëherë, një kapërcim ylberi në kuptimin e vështirësisë.

Shqipëria, jo në 10 vjet, por në 5 vite  e rriti mbi 11 herë numrin e turistëve dhe të vizitorëve të saj dhe kjo absolutisht falë suksesit të modelit ekonomik, i cili bëri të mundur  me një shpejtësi të madhe të ndërtohet dhe të rindërtohet një infrastrukturë tërësisht moderne, në të gjithë ultësirën bregdetare te vendit, bëri të mundur që ky vend të ketë ndër shërbimet më të mira në gastronomi dhe fusha të tjera sepse pa këto, turistët do të ishin dhe ata ekzotikë. Pra, natyrisht modeli  ekonomik funksionoi dhe u faktua si një model suksesi, falë përkushtimit të mijëra punonjësve të kësaj administrate në të gjithë sektorët, të cilat shndërruan reformat  e kësaj qeverie në kredo dhe moto të gjithë veprimtarisë së tyre. Pa punën, përkushtimin, aftësitë  e tyre, ky model nuk do të mund të qëndronte, sepse vendosja  e tij ka kërkuar qindra dhe mijëra vendime, ligje, amendime, zbatime.

Dhe me këtë rritje edhe njëherë dua të theksoj se nuk shkelim asnjë marrëveshje me FMN, por dua të informoj  shqiptarët se, para  vitit 2006, rrogat dhe pensionet, jo vetëm nuk siguroheshin me të ardhurat buxhetore, por një pjesë e kredive përdorej për financimin e tyre. Borxhi publik, për të cilin flasin sot, kritizerë të pabazuar, ishte 72 %, deficiti buxhetor ishte 7,8 % . Kjo është e vërteta e kuadrit makroekonomik që ne gjetëm në shtator të vitit 2005 dhe megjithëse kemi investuar miliarda euro dhe nuk kemi përdorur një qindarkë për rroga dhe pensione, borxhi publik do të jetë 59.7 %, nuk rritet më. Ky është zotimi ynë para partnerit tonë të shkëlqyer FMN.

Deficiti buxhetor nuk rritet dhe nuk do të pranojmë të rrisim, por shkurtojmë shpenzimet administrative, në mënyrë që ne të qëndrojmë besnikërisht në një deficit buxhetor, jo mbi 3.5 % dhe ky është një zotim solemn dhe një ligj i kaluar në parlament dhe ne nuk po e lëvizim, nuk po e ndryshojmë. Në shtyllat kryesore të stabilitetit makroekonomik, ne qëndrojmë pikë për pikë siç eshtë votuar në parlament dhe siç jemi marrë vesh me FMN. Por, po në këtë ligj,  po aty ku kemi miratuar borxhin 59,7 %, po në të njëjtin ligj ku kemi miratuar inflacionin 3 % dhe deficitin buxhetor 3.5 % , po aty kemi miratuar rritjen e rrogave dhe pensioneve. Parlamenti e ka votuar atë, ndaj dhe ne po i përmbahemi ligjeve të vendit, po i zbatojmë ato.

Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me FMN, BB dhe të gjitha institucionet financiare, ndërkombëtare. Dua ti informoj shqiptarët se suksesi i projekteve në Shqipëri, suksesi i vërtetë i zbatimit të projekteve në Shqipëri ka bërë që këtij vendi ti ofrohen financime të leverdishme nga shumë institucione, por ne jemi të angazhuar të mos rritim borxhin, por ti qëndrojmë atij që kemi shpallur dhe bëjmë shumë mirë, sepse sot borxhet janë bërë  një problem madhor, sepse ne vërtetë mund të bëjmë një ndërtim më shumë, duke marrë borxhin, por dënojmë, kërcënojmë sektorin privat sepse performanca apo kredibiliteti i sistemit bankar vihet në dyshim, në rast se vendi do të rrisë borxhin. Ju e shihni se disa kompani reitingu me emër në botë, e kanë borxhin dhe qëndrimin ndaj borxhit, si kriter kryesor për vlerësimin e perfomancës bankare, performancë kjo jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë dua të falënderoj bankat  e vendit, të cilat po performojnë në një mënyrë mjaft dinjitoze. Unë dua ti falënderoj ato edhe për nismën që ato kanë ndërmarrë dhe po vazhdojnë, për uljen e pagesave për transaksionet. Sot janë një seri shërbimesh që kryhen falas në këto banka.

Pra pretendimet se jemi në prag të katastrofës janë sa të pavërteta aq edhe të pashpirta Është e dhimbshme kur sheh se si kundërshtarët tanë, të vetmit në Evropë dhe në botë kundërshtojnë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Pikërisht këtë vit, për të shmangur kundërshtimin e tyre, se do të thoshin që kjo rritje po bëhet për zgjedhje, e shtymë. U bënë dhe zgjedhjet, por sërish ata ngrihen dhe bëjnë Kasandrën me parashikime halucinante për ekonominë shqiptare. Në vitin 2009 u thanë shqiptarëve se Shqipëria nuk do të ketë para për ngritjen e rrogave dhe pensioneve. Në vitin 2010 u thanë se rritja e rrogave dhe pensioneve ishte një krim i shëmtuar. Por në vitin 2011 deklaruan se kjo do të sjellë krizën greke. Vazhdon motoja se “fajin  e ka Saliu”. Kur nuk nxjerr mësime këtë do të bësh. Sipas tyre kjo do të thotë se fajin e ka qeveria që po rrit rrogat dhe pensionet . Faje të tilla le të ketë kjo qeveri sa më shumë.  Ne do ti rrisim rrogat dhe pensionet sa më shumë . Kjo është politikë konstante  e kësaj qeverie. Gjithë jetën time kam besuar se vendi pasurohet kur pasurohen njerëzit, dhe se kurë një vend dhe një komb nuk mund të pasurohet duke shkatërruar të pasurit, përkundrazi suksesi i tyre është suksesi i begatimit të vendit, por do ta modifikoj pak mendimin tim, opozita e pasur qenka problem për vendin. Kur ke një  opozitë që kryesohet nga miliarderë, rritja  e rrogave dhe pensioneve është një krim. Kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, natyrisht rritja  e rrogave dhe pensioneve është katastrofë, kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, të gjithë zhvillimin e madh me rreptësinë e  disiplinës fiskale të autoriteteve fiskale, se e bëjnë ato ligjin, por politikat nuk kanë parasysh një individ të caktuar apo grupe të ngushta. Politikat u adresohen qytetarëve në tërësi.

Ndaj dhe uroj të dalin nga ky spiral, se të kundërshtosh rrogat dhe pensionet, rritjen e tyre, pothuajse i mohon vetes autoritetin moral që ka opozita, se ku e gjen atë shpirt , ku e gjen atë moral, që duke qenë në opozitë të shpallësh katastrofike, politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Këtë e bën vetëm po të bazohesh në parimin që “unë të kem dhe ai të mos ketë”, por kjo nuk funksionon .

Edhe njëherë, në një vend që nuk është ende i pasur, opozita e kryesuar nga miliarderë përbën një problem, problem në vlerësim, p[problem në gjykim, por pavarësisht nga kjo ne, rrogat dhe pensionet do ti rrisim.


02/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›