Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e përfundimit të fazës së parë të punimeve të Hidrocentralit të Ashtës
- HEC i Ashtës është një diamant e do të mbetet i tillë në kurorën e qindra hidrocentraleve që do të ndërtohen në këtë vend.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e arritjes së kuotës maksimale të stacionit elektrik të Hidrocentralit Ashta 1, që shënon përfundimin e fazës së parë të punimeve për këtë Hidrocentral, pjesë e projektit, i cili po vihet në zbatim nga kompania austriake “Energji Ashta” një kompani e përbashkët e kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN. Me Ashta 1 përfundon faza e parë e projektit për ndërtimin e dy hidrocentraleve Ashta1 dhe Ashta 2 në zonën e Bushatit, në Shkodër, një investim me vlerë rreth 200 milion euro, që aplikon teknologjinë më të avancuar në prodhimin e energjisë ujore.
Në të ardhmen në Ashtë do të prodhohen 240 milion kwh energji elektrike. Nga viti 2012, energjia elektrike e prodhuar do të ushqehet në rrjetin shqiptar 110 kV. Projekti i HEC të Ashtës mbështet mekanizimin e Zhvillimit të Pastër (CDM), në kuadër të Konventës Kombeve të bashkuara mbi ndryshimet klimatike (UNFCCC)
Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha u shpreh se kjo ditë është një ditë e madhe në përpjekjen e shqiptarëve për të shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar.
Kryeministri përgëzoi drejtuesit e bordeve të kompanive austriake për punën e bërë dhe shprehu besimin për një të ardhme premtuese ne bashkëpunimin e gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Austrisë, vecanërisht në sektorin energjitik. “Unë shoh një të ardhme të shkëlqyer në bashkëpunim ekonomik, kulturor, politik e të gjithanshëm me Austrinë mike. Tradita e tyre në energjinë e rinovuehsme dhe atë ujore është jashtëzakonisht e çmuar për Austrinë, për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën. Ne mbetmi të vendosur të bëjnë çdo përpjekje të inkurajojmë ndërtimin e mbi 443 hidrocentraleve në këtë vend.” shpreh, kryeministri.
Kryeministri vlerësoi teknologjinë e avancuar të prodhimit të energjisë ujore, nëpërmjet instalimit të turbinave metriks, të cilat instalohen për herë të parë në botë, në hidrocentralin e Ashtës.
Kryeministri garantoi se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë e shqiptarët.
Në këtë ceremoni, së bashku me Kryeministrin Berisha merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Ministri i Ekonomise,Tregëtisë dhe Energjitikës, zoti Nasip Naço, Ministri i Bujqësisë, zoti Genc Ruli, drejtues të bordit të kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN, përfaqësues të autoriteteve lokale, ambasadori austriak në Tiranë, punonjës të kompanive, etj.
-
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot është një ditë vërtet e madhe për Shqipërinë që po ndryshon. Një ditë e madhe për realizimin apo në përpjekjen e shqiptarëve për të shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar. Sot, ne inaugurojmë fazën e parë të hidrocentralit Ashta, një kryevepër arti e kompanive VERBUND dhe EVN, kontraktorëve e nënkontraktorëve të tyre, e kryer në një kohë rekord dhe përsosmëri të madhe. Kjo është një ditë e veçantë dhe një hap i rëndësishëm në rrugën e shndërrimit të ëndrrës sonë në realit, Shqipëria - vend i zhvilluar, sepse në këtë hidrocentral përdoret për herë të parë teknologjia më e avancuar e prodhimit të energjisë ujore. Turbinat metriks të dimensioneve më të mëdha instalohen për herë të parë në botë në hidrocentralin e Ashtës. Unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë kompanive për përzgjedhjen e shkëlqyer.
Zonja dhe zotërinj,
Në zhvillimin e një vendi, energja është themeli i të gjitha themeleve, është forca lëvizëse e të gjitha fushave. Për qeverinë kjo është dhe mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë e shqiptarët. Shqipëria ka pasuri të gjithanshme, të shumta, por gjithnjë mbetem i bindur se pasuria e saj më e madhe natyrore janë ujërat e bollshme, të pasura që e bëjnë këtë vend të vogël një Norvegji të dytë të vogël, në gadishullin e Ballkanit. Hidrocentrali që përurojmë sot fazën e parë është gjithashtu, jo vetëm për shkak të teknologjisë, por edhe për parametrat unikë në llojin e tij, nuk është më i madhi apo ndër më të mëdhenjtë, por është më i miri se çdo hidrocentral tjetër i ndërtuar, është një diamant e do të mbetet i tillë në kurorën e qindra hidrocentraleve që do të ndërtohen në këtë vend. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që rezervat ujore të Shqipërisë të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët e vendin.
Gjatë dy-tre viteve të fundit, ne kemi firmosur me sektorin privat, kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve në të katër të vendit. Në 36 prej tyre po punohet me intensitet. Problemi i tyre është vetëm një, se nuk janë përreth Sheratonit e Rognerit. Ato janë të vendosura në zona nga më të bukurat, por valët e televizorëve nuk i kapin ato. Ndaj i bëj thirrje mendiave të jenë më të ndjeshme ndaj Shqipërisë së lumenjve të djersës. Në një vit shihni se çfarë kanë bërë punëtorët, inxhinierët e teknikët në këtë kantier ndërtimi. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të njohin gjithnjë e më shumë vendin e tyre.
Zonja e zotërinj,
nuk është e rastit që kjo kryevepër energjetike në teknologjinë e saj ndërtohet nga kompanitë më të mira austriake. Ko ishte një garë e hapur, me tranparencë të plotë absolute, ku morën pjesë kompani nga mbarë Europa, por fitoi konsorciumi VERBUND-EVN, sepse solli ofertën më të leverdishme për qytetarët shqiptarë. EVN po punon edhe në kaskadën e Devollit. Biznesi austriak është sot i treti në Shqipëri në investimet e tij. Ky investim është rreth 200 milion euro. Unë shoh një të ardhme të shkëlqyer në bashkëpunim ekonomik, kulturor, politik e të gjithanshëm me Austrinë mike. Tradita e tyre në energjinë e rinovuehsme dhe atë ujore është jashtëzakonisht e çmuar për Austrinë, për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën. Ne mbetmi të vendosur të bëjnë çdo përpjekje të inkurajojmë ndërtimin e mbi 443 hidrocentraleve në këtë vend. Ujërat e Shqipërisë duhet të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët shqiptarë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëhet një superfuqi e vogël energjetike në rjaon. Përparësia për energjinë është përparësia jonë më madhore.
Ndaj dhe një herë dua t’ju përgëzoj ju, drejtuesve kryesorë të Bordit të EVN, zotin Layr, zotin Rabensteiner të Bordit të VERBUND, të gjithë ekipin e punëtorët tuaj të përkushtuar për këtë vepër shumë të rëndësishme të standardeve më të mira, të përkujdesjes më të madhe për mbrojten e mjedisit dhe që do të faktohet së shpejti hidrocentrali me eficencen më të lartë në Shqipëri. Faleminderit.”
05/07/2011