Kryeministri Berisha pret një kompani japoneze, që ofrojnë mundësi financimi në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot paradite në zyrën e tij dy përfaqësues të kompanisë japoneze “Marubeni”, që financon dhe zhvillon projekte në fushën e energjetikës, tekstilit, agrobiznesit dhe teknologjisë së informacionit.
Zoti Toshiya Sano dhe zoti Takeshi Kitamura, kanë ofruar, në këtë takim, në emër të qeverisë japoneze mundësi financimi të tipit grand dhe kredi të buta për sektorët në nevojë në Shqipëri. Por një interes më i veçantë është treguar në fushën energjetike dhe për projektet e KESH-it.
Vizita e përfaqësuesve të këtij grupi financimi është bërë në kuadrin e përforcimit të marrëdhënieve ekonomike midis Japonisë dhe Shqipërisë. Interesi që ata kanë prezantuar tek kryeministri Berisha jo vetëm në fushën e energjetikës por edhe në atë të tekstilit dhe agrobiznesit kanë dëshmuar se Shqipëria ka hyrë në fokusin e investitorëve japonezë, si një vend me klimë të përshtatshme biznesi dhe me mundësi të reja investimesh.
Kryeministri Berisha i ka falënderuar dhe mirëpritur propozimet e këtij grupi, për investime dhe financime në Shqipëri dhe ka theksuar edhe një herë më shumë se fusha e zgjedhur prej kësaj kompanie, pra energjetika, është prioritet edhe për qeverinë shqiptare, ndaj bashkëpunimi në këtë fushë konsiderohet shumë I frytshëm.
Kryeministri u ka bërë me dije përfaqësuesve se reformat e zbatuara dhe kuadri ligjor favorizojnë dhe garantojnë investimet e huaja në të gjitha fushat. Për nxitjen e këtyre investimeve qeveria shqiptare ofron lehtësira dhe avantazhe për investitorët siç janë për shembull dhe kontratat afatgjata për blerje energjie.
Në fund të këtij takimi kryeministri Berisha e cilësoi si shumë të rëndësishme forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Japoninë dhe nxitjen e investimeve japoneze në Shqipëri.