Kryeministri Berisha nderon kujtimin e dëshmorit të demokracisë Azem Hajdari
Sot, kryeministri Berisha nderoi kujtimin e dëshmorit të demokracisë Azem Hajdari, në ditën e 9- vjetorit të ekzekutimit të tij nga dora e krimit.
Duke vlerësuar lart veprën dhe kontibutin e Azem Hajdarit në rrugën e demokracisë shqiptare, kryeministri Berisha u shpreh se në këtë ditë, shqiptarët nderojnë tribunin e lirisë, i cili me kurajon, mençurinë dhe shpirtin e tij, bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Të nderuar prindër, familjarë, të tribunit të lirisë Azem Hajdari dhe sivllaut të tij Besim Çerja. Sot ne nderojmë me respektin më të thelle Azem Hajdarin, tribunin e lirisë së shqiptarëve, nderojmë të riun që me të gjithë kurajon , mençurinë, shpirtin e tij bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, për të drejtat e tyre. Nderojmë sot, të riun që vuri jetën e tij në themelet e pluralizmit politik shqiptar. Nderojmë të riun, udhëheqësin e Partisë Demokratike që vuri në themele të proceseve të integrimit, ëndrrën e tij dhe të bashkëmoshatarëve të tij, ëndrrën europiane.
Çdo vit që kalon sa më të mëdha që bëhen hapsirat e lirisë, aq më e madhe, aq më shumë shndërrit vepra e Azem Hajdarit dhe sivllaut të tij Besim Çerja që u ekzekutuan këtu vetëm e vetëm se themeluan pluralizmin politik në Shqipëri, se i dhanë goditjen fatale diktaturës komuniste, diktaturës më të egër që Evropa kishte njohur në historinë e saj të pasluftës.
I paharruar do të mbetet përjetë kujtimi I Azem Hajdarit dhe sivllaut të tij Besim Çerja.”