E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Fondi i Ekselencës dhe programi Brain Gain, dy mekanizma të fuqishme për konsolidimin e softit perëndimor të kombit shqiptar!

  
-   “Duhet të bëjmë gjithçka, që nga ky Fond të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, të përfitojnë shqiptarët nga Maqedonia, të përfitojnë shqiptarët nga diaspora, të përfitojë çdo shqiptarë kudo që ndodhet”
 
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të Fondit të Ekselencës për 67 studentë shqiptarë, të cilët janë pranuar të studiojnë në nivele të ndryshme akademike në 15 universitetet më të mira të botës.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha, u përcolli urimet më të përzemërta pedagogëve, stafeve akademike, studentëve të universiteteve të vendit , duke iu uruar atyre një vit të mbarë dhe të suksesshëm.  Ai  përgëzoi 67 të rinjtë që përfituan nga Fondi i Ekselencës për këtë vit dhe theksoi se brenda vitit 2013 numri i atyre që do të përfitojnë nga ky fond  do të kapi shifrën e 300 studentëve.

Rritja e numrit të Studentëve të Ekselencës duhet të jetë parësore – u shpreh kryeministri-  ndaj duhet të gjenden të gjitha rrugët dhe mekanizmat për të shumëfishuar këtë kontingjent, të inkurajojmë të gjitha ekselencat, nga matura, vitet e  para, vitet në vazhdim, që me guxim dhe kurajë  të aplikojnë në këto universitete, sepse mbështetja e qeverisë për  këtë fond do të jetë pa limit.

Kryeministri theksoi gjithashtu se objektiv për vitin 2013 do të jetë rritja e cilësisë së arsimit si dhe shtimi i përfituesve të fondit të ekselencës me studentë shqiptarë edhe nga jashtë vendit. “Duhet të bëjmë gjithçka, që nga ky fond të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, të përfitojnë shqiptarët nga Maqedonia, të përfitojnë shqiptarët nga diaspora, të përfitojë çdo shqiptarë kudo që ndodhet”, u shpreh kryeministri. Ai gjithashtu theksoi se Fondi i Ekselencës dhe Brain Gain duhet të shndërrohen në dy mekanizma të fuqishme të konsolidimit të softit perëndimor të kombit shqiptar.
 
Në fjalën e tij kryeministri u shpreh:
 
Së pari, dëshiroj edhe njëherë, t’ju përcjell  urimet më të përzemërta pedagogëve, stafeve akademike, studentëve të universiteteve të vendit , t’ju uroj atyre, një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

Të shpreh kënaqësinë time, që qeveria hap këtë vit me këtë ceremoni, e cila ka si simbol forcën e mendimit, forcën e dijes, forcën e ideve, garën e të gjitha garave, garën e dijes, ekselencës,  të elitës.

Ne sot këtu, kemi rreth 67 kandidat, të cilët kanë përfituar nga fondi i ekselencës dhe në total brenda vitit 2013, përfituesit e këtij fondi do të kapin shifrën 300. Ky është një hap i mirë përpara, por unë ju bëj thirrje ju, të gjejmë të gjitha rrugët dhe mekanizmat, për ta shumëfishuar këtë kontingjent dhe unë ju garantoj ju, se i vetmi fond që është pa limit, është ky fond, sa të jetë kjo qeveri.

Ne caktojmë këtu 1 milion, por ne do të mbështesim  çdo vajzë dhe djalë që aplikon në 15 universitetet e para të botës, pavarësisht nga numri i tyre që fitojnë.  Ndaj dhe duhet të gjejmë një mekanizëm, që të inkurajojmë të gjitha ekselencat, nga matura, vitet e  para, vitet në vazhdim, që me guxim dhe kurajë  të aplikojnë në këto universitete.

Kjo është një çështje shumë e madhe, është një çështje, e cila ka të bëjë me themelin e zhvillimit tonë. “Shqipëria  vend i zhvilluar”, do të mund të jetë  vetëm Shqipëria e bazuar në dije. Ekonomia shqiptare  dhe një ekonomi e zhvilluar, do të mund të jetë vetëm ekonomia e bazuar në dije. 
Ne sëbashku kemi bërë një transformim epokal dhe unë jam i vetëdijshëm për barrën e rëndë që ju përballoni në universitetet e vendit.  Në vitin 2004-2005, ky vend  kishte 12 student  për  1 mijë banorë, ndërsa këtë vit, Shqipëri a ka 49 studentë  për  1 mijë banorë, nga 40 studentë që është mesatarja e Bashkimit Evropian, dhe kjo është një arritje historike, epokale e jona.

Ne kemi më shumë, sepse kemi më shumë të rinj, por ne  ambicien tonë e realizuam dhe do e vazhdojmë. Për ne jetike dhe vendimtare është cilësia në shkollat  tona të larta.

Duhet të bëjmë gjithçka, të bëjmë çdo investim, në mënyrë që dora dorës, në mënyrë të vazhdueshme të rrisim cilësinë e mësimdhënies. Duhet të bëjmë  gjithçka, të inkurajojmë kërkimin shkencorë  si kushtin më themelor, që institucionet tona të arsimit të lartë, të përmbushin misionin e tyre.
Ndaj dhe duke shprehur kënaqësinë për ecurinë e këtij projekti, do të kërkoja nga ju të nderuar Dekanë, Rektorë, nga ju të dashur pedagogë e pedagoge, zyrtarë të ministrisë,  të bëjmë  gjithçka, që të shtojmë numrin e atyre që ne përcjellim çdo vit për doktoratura në universitetet  më të mira për të studiuar në 15 universitetet më të mira të planetit.

Unë e di që ju keni bërë punë dhe e keni degëzuar, sepse në renditje tjetër janë artet, tjetër janë shkencat teknike. Pra të mos lëmë asnjë nga degët,nga lëmitë pa i përfshirë në Fondin e Ekselencës , të mos jete burokracia një pengesë e tyre. Të shihen edhe degëzime të tjera, në rast se p.sh; studiuesit tanë marrin të drejtën të punojnë dhe bashkëpunojnë me një shkencëtarë të shquar, në një kohë të caktuar, ne duhet të gjejmë të gjitha mënyrat  jo burokratike për ti mbështetur ata.  Ne duhet ta shndërrojmë Fondin e Ekselencës dhe Brain Gain, në dy mekanizma të fuqishme të konsolidimit të softit perëndimor të kombit shqiptar.

Duhet të bëjmë gjithçka, që nga ky Fond të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, të përfitojnë shqiptarët nga Maqedonia, të përfitojnë shqiptarët nga diaspora, të përfitojë çdo shqiptarë kudo që ndodhet.

Edhe njëherë, ju përshëndes dhe ju përgëzoj për arritjet tuaja!


04/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›