E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ibrahim Rugova, frymëzuesi dhe arkitekti i Kosovës së pavarur

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm, në ceremoninë e emërtimit të një prej rrugëve qendrore të Tiranës “Ibrahim Rugova”, në nderim të frymëzuesit të lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës dhe Presidentit të parë të Republikës së Kosovës.

Vendimi për emërtimin e një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit me emrin “Ibrahim Rugova” u mor nga Këshillit Bashkiak i Tiranës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i bashkisë së Tiranë Lulzim Basha, i Ngarkuari me Punë i Kosovës në Tiranë Gani Veselaj, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ministrat e Kulturës i Shqipërisë dhe i Kosovës, Aldo Bumçi dhe Memli Krasniqi, si dhe pjesëtarë të familjes Rugova.

Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e Presidentit Rugova si “arkitektin e Kosovës së pavarur” dhe theksoi faktin se kjo ceremoni zhvillohet “në një ditë të madhe për shqiptarët”, 17 shkurtin, shpalljes së pavarësisë së Kosovës.     

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Jemi mbledhur sot, këtu, për të shprehur nderimin tonë ndaj burrit vizionar që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër, pas Ismail Qemalit, këto shekujt e fundit, Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova është themeluesi i Partisë së Parë Antikomunistë në Ballkanin e diktaturave komuniste, është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historisë e Shqipërisë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera europiane, është arkitekti i Kosovës së pavarur. Ndaj, sot, çfarëdo nderimi që ne të shprehim ndaj tij, me asgjë nuk mund të arrijmë mirënjohjen që ai meriton. Pas luftërave, një seri kombesh njohën ndarje dhe copëtime, por historia fakton, vetëm ne shqiptarët ia dolëm dhe ia dolëm para së gjithash e mbi të gjitha, se ne nxorëm burra vizionarë si Ibrahim Rugova, nxorëm komandantë legjendarë, të cilët vendosën kulme në rezistencën, heroizmin dhe përpjekjet për liri të kombit të tyre, si Adem Jashari.

Sot, ne nderojmë kujtimin e Presidentit Rugova, me këtë rrugë, në një ditë të madhe në historinë e kombit shqiptar, më të madhen pas pavarësisë së Shqipërisë, por ndofta edhe ditën më të ndritshme në tërë historinë e shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeu gjer më sot, ditën e pavarësisë së Kosovës. Pavarësi kjo, e cila u ndërtua mbi gjakun, flijimin e jetët e sakrifikuara të qindra e mijërave shqiptarëve në Kosovë, gjatë një shekulli. Pavarësi, e cila u arrit me forcën, ngadhënjimin dhe triumfin e ideve të Ibrahim Rugovës e të sakrificës të popullit të Kosovës. Pavarësi, që bëri të lirë shqiptarët, kudo që ndodhen. Ne nderojmë sot, presidentin Rugova, këtë vizionar  e misionar të madh, të pashembullt, të kombit tonë, në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ibrahim Rugova, me veprën e mendjen e tij të ndritur, me përkushtimin e plotë, guximin e jashtëzakonshëm bëri të mundur që shqiptarët të vijnë në këtë 100 vjetor kryelartë, krenarë, të lirë e të sigurt në të ardhmen që meritojnë.

Ndaj, edhe një herë do të përulem me nderim të madh para veprës së këtij burri mendjendritur, këtij misionari të pashoq në historinë tonë kombëtare, arkitektit të Kosovës së pavarur. Faleminderit President Rugova, për gjithçka bëtë! Shqiptarët, kudo që ndodhen, sot përkulen me nderim të madh para jush.”


17/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›