Kryeministri Berisha përshëndet kontingjentin OMLT, para nisjes me mision në Afganistan
Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, me rastin e përcjelljes së kontingjentit OMLT 2, me mision në Afganistan.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, Ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Xhemal Gjunkshi, ambasadori i SHBA-ve, zoti Alexander Arvizu, Komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t,Gjeneral James Grant, si dhe ushtarakë të tjerë të FA shqiptare dhe të Gardës Kombëtare të New Jersey-t.
Në kuadrin e kontributit të vendit tonë, në Forcat Ndërkombëtare të Asistencës së Sigurisë, në mars të vitit 2012 do të dërgohet në Afganistan, me një mision 6 mujor, një grup operacional patronazhi dhe koordinimi, i përbërë nga 32 ushtarakë, prej të cilëve 20 janë ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe 12 janë ushtarakë të Ushtrisë së SHBA-ve.
Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha e vlerësoi këtë moment si shumë të rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura dhe vendin në tërësi.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj qeverisë së SHBA-ve dhe ushtrisë amerikane për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe ushtrisë shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri falënderoi Gardën Kombëtare te New Jersey-t, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare, në procesin e transformimit të tyre, në një ushtri të denjë për misionet më të rëndësishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Duke ju uruar suksese ushtarakëve shqiptarë, që do të jenë pjesë e këtij misioni, kryeministri shprehu bindjen se do ata do të përmbushin me dinjitet dhe përkushtim detyrën e tyre fisnike.
Në fjalën e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur oficerë dhe nënoficerë të OMLT 2 që niseni së shpejti, me misionin më të rëndësishëm të jetës suaj,
Ky është një moment shumë i rëndësishëm, për ju familjet tuaja, Forcat tona të Armatosura dhe vendin në tërësi. Pas një stërvitje shumë mujore te realizuar në Shqipëri, në SHBA dhe në baza te tjera të NATO-s, ju jeni grupuar sot, në këtë ceremoni për tu nisur ne misionin, në Kabul, Afganistan.
Për të gjithë ju ose ndoshta për shumicën tuaj, ky është misioni më rëndësishëm i jetës, për të cilën do të jeni gjithnjë krenarë, ju familjet tuaja, efektivat e forcave të armatosura dhe mbarë shqiptarët dhe amerikanët. Ju shkoni për të përgatitur, për ndihmuar për të konsoliduar ushtrinë afgane, në mënyrë që në përputhje me vendimin e Samitit të Lisbonës, Aleanca e Atlantikut të Veriut, Forcat e ISAF-it të mund ti dorëzojnë përgjegjësinë e sigurisë dhe të mbrojtjes, këtij vendi mik dhe të madh, ushtrisë afgane.
Por, ju shkoni në këtë mision gjithashtu, në përmbushje te detyrimeve që Shqipëria vend anëtar i NATO-s ka ndaj Aleancës të Atlantikut të Veriut.
Ambasador Arvizu, me këtë rast, unë dua ti shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë së vendit tuaj, ushtrisë së shkëlqyer amerikane për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë dhe ushtrisë shqiptare. Por një falënderim shumë të veçantë për ju gjeneral Grant, Gardën Kombëtare te New Jersey-t për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ju ka dhënë dhe i jep Forcave tona të Armatosura gjatë këtyre 20 viteve. Kjo ndihme ka qene e një rëndësie parësore në procesin e transformimit të tyre në një ushtri të denjë për misionet më të rëndësishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Një falënderim të veçantë dua tu bëj këtu, familjeve tuaja në Shqipëri por edhe familjeve në SHBA, të cilat kanë ndare me ju, përgjegjësinë e misionit të madh që ndërmerrni sot.
Ju shkoni si njësia e dytë na Kabul dhe gjeni aty një traditë të shkëlqyer nga pararendësit tuaj që gjashtë muaj më parë shkuan aty në këtë mision të rëndësishëm.
Ndaj dhe unë ju uroj rrugë të mbarë, ju uroj suksese ne detyrën tuaj shumë të rëndësishme dhe shpreh bindjen më të plotë se do atë përmbushni atë me dinjitet dhe përkushtim të madh.”
16/02/2012