E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh urimi, kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thaçi.

 Në urimin e tij, Kryeministri Berisha shprehet:

 “ I nderuar zoti Kryeministër,

Kremtimi i shpalljes së Republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran më jep kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë, që në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare t’ju përcjell Juve dhe, përmes Jush, të gjithë popullit të Kosovës, përshëndetjet e mia më të ngrohta vëllazërore dhe urimet më të mira.

Në këto katër vjet Republika e Kosovës ka shënuar një progres domethënës në  ndërtimin  dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e funksionale të shtetit  ligjor në shërbim të qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike.

Më lejoni, i dashur zoti Kryeministër, të ndaj me Ju dhe tërë popullin e Kosovës kënaqësinë për fillimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe procesin përmbyllës të pavarësisë së mbikqyrur, duke mundësuar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit si demokraci e pavarur, sovrane dhe multi-etnike.

Komuniteti serb dhe komunitetet e tjera pakicë që morën pjesë masivisht në zgjedhjet e fundit parlamentare, tashmë janë pjesë e procesit qeverisës të Kosovës në nivel qendror e lokal, pasi kanë krijuar bindjen e qëndrueshme,  se zgjidhja e problemeve të tyre të përditshme realizohet përmes angazhimit dhe përfaqësimit të tyre politik në institucionet legjitime të Kosovës.

Me këtë rast më lejoni t’ju siguroj, se Qeveria Shqiptare dhe unë personalisht, jemi plotësisht të vendosur e të angazhuar, që marrëdheniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona të njohin zhvillime të reja pozitive,  të pasurohen më tej në të gjitha fushat, në dobi të popujve tanë vëllezër.

Duke ndarë vizionin tonë të përbashkët për integrimin evropian, jam i bindur se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të shndërrohet në shëmbullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërshtetëror në rajon, duke dhënë kontributin tonë, në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Në këtë ditë feste, gjej rastin të përshëndes edhe një here Qeverinë dhe tërë popullin e Kosovës për solidaritetin e jashtëzakonshëm të treguar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të prekur nga ky dimër i jashtëzakonshëm që po kalojmë.

Duke rikonfirmuar mbështetjen time maksimale dhe vullnetin për një bashkëpunim sa më të ngushtë me Ju, pranoni Zoti Kryeministër, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

 

   Me respekt

SALI BERISHA


17/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›