E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet prezantimin e librit “Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore” të Paolo Ragos

16 shkurt 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot paradite në ceremoninë e prezantimit të librit “Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore” të autorit italian Paolo Rago, të organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë dhe Instituti Italian i Kulturës, në ambientet e Hotel “Rogner Europapark”. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Ambasadori italian në vendin tonë, Masimo Gaiani, Shefi i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Klaijv Rumbold, Drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, Profesori Augusto D’Anxhelo i Universitetit “La Sapienca”, Avokati i Popullit Igli Totozani, studiues dhe historianë, etj.

Kreu i Shtetit, shqiptar duke marrë fjalën gjatë këtij aktiviteti të rëndësishëm historiko-kulturor, përshëndeti prezantimin e këtij botimi duke iu drejtuar të pranishmëve: “I nderuar Ambasador Gaiani,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë të pranishëm,
I nderuar zoti Rago,
Të nderuara zonja e zotërinj!

Dy dekada më parë, rinia universitare e Tiranës, pikërisht në javën e tretë të shkurtit, nën thirrjet “E duam Shqipërisë si gjithë Evropa” nisi një grevë urie për të protestuar kundër mbrojtjes zyrtare të trashëgimisë së diktaturës dhe bashkëjetesës së pakuptimtë midis sistemit pluralist konkurrues dhe simboleve të diktatorit. Studentët ishin pjesa e re e një shoqërie, e cila ishte lindur, rritur dhe edukuar në sistemin e frikës, ku qytetari nuk mund të ishte individ i lirë me mendimet, aspiratat dhe as besimi i tij. Regjimi njësoi partinë me shtetin dhe me shoqërinë; diktatori njësoi veten me Zotin, përkatësia ideologjike komuniste njësoi veten me identitetin qytetar, duke na dhënë një nga modelet më ekstreme të sundimeve totalitare.

Duke parë më tej se sa një regjim, Shqipëria feston këtë vit 100-vjetorin e krijimit të shtetit. Një shekull me përvoja, me eksperimente dhe probleme të mëdha në kërkim të një modeli të suksesshëm dhe të qëndrueshëm qeverisës; përvoja me monarki të huaj dhe shqiptare, me republikë presidenciale dhe parlamentare, nën pushtime të huaja dhe në regjime satelite ndaj fuqive ideologjike të kohës. Natyrisht një bilanc real kërkon qetësi dhe gjykim profesionistësh të historisë, por si politikan, më lejohet të them se sistemi aktual politik, pavarësisht problemeve të funksionimit, përbën modelin më pozitiv përgjatë një shekulli. Sot Shqipëria është një vend i lirë, i hapur ndaj fqinjëve dhe më gjerë, anëtar në NATO dhe me objektiv të qartë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sot kemi dy shtete shqiptare në rajon, dhe me rëndësi; - janë dy shtete me orientim të qartë euro-atlantik, pa ekuivok në zgjedhjen e tyre, pa dilemë në përkatësinë evropiane.

Në procesin e integrimit në një familje më të madhe politike, të hapjes dhe shkëmbimeve në rajon, në Evropë dhe në kuadër global, - si çdo popull tjetër edhe shqiptarët kanë një identitet, një kulturë, një trashëgimi historike. Zgjerimi evropian nuk mund të shoqërohet me skepticizëm kulturor apo identiteti. Shqiptarët, në një apo dy e më shumë shtete, përmes integrimit, me modestinë e një populli të vjetër dhe shteti të vogël, - e pasurojnë mozaikun e identitetit komunitar, e forcojnë modelin unik të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, e zgjerojnë hartën e vlerave perëndimore dhe kështu ndihmojnë që familja ballkanike të shkrihet me familjen e madhe evropiane.

Kjo prespektivë nuk mendoj se ka dilemë sidomos midis atyre individëve apo shteteve që e njohin mirë historinë tonë, sakrificat e mëdha të mbijetesës, kalvarin e gjatë për ruajtjen e gjuhës, identitetit, trashëgimisë dhe modeleve frymëzuese që prej kohës së Skënderbeut.

Paolo Rago është një nënshtetas shqiptar me kombësi italiane, siç komentohet edhe në parathënie. Ai ka zgjedhur Shqipërinë të jetojë prej 20 vitesh, të qëndrojë pranë nesh në ditë të vështira, të ndihmojë me të gjitha fuqitë, të bashkëjetojë në të njëjtat hapësira qyteti si edhe ne, të kontribuojë në edukimin e studentëve shqiptarë dhe së fundi, të na ofrojë një botim të ri, një këndvështrim të paanshëm dhe akademik mbi rrënjët, tiparet dhe mitet e historisë sonë moderne.

Ai e shikon Shqipërinë nga larg, por njëkohësisht edhe nga afër, në raportet me të tjerët dhe raportet brenda nesh, në keqkuptimet midis asaj sesi ne e gjykojmë veten tonë dhe sesi na gjykojnë të tjerët, - pra në një pozicion sa komod aq edhe të vështirë; duke ofruar një nga botimet, personalisht, më të arrirë në trajtimin e çështjeve të tilla.

Autori dhe libri kanë edhe simbolikën e njohjes që vjen nga fqinji tjetër i Adriatikut, Italia, një vend mik dhe me lidhje historike. Gjej rastin ta shpreh mirënjohjen e thellë zyrtare, personale, por në këtë rast edhe akademike për të gjithë ata studiues dhe historianë italianë që kanë zgjedhur t’u kushtojnë vepra të tyre tematikave që lidhen me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Punimet e tyre, përfshirë edhe librin që prezantojmë sot, përbëjnë një ndihmesë të madhe për një auditor të gjerë akademik e universitar në Shqipëri, për një këndvështrim më profesional për historinë, ngjarjet e personazhet historike, raportet tona me fqinjët dhe pjesën tjetër të botës, arritjet dhe problemet, imazhin, mitet dhe realitetet, si dhe tiparet themelore që për ne përbëjnë identitetin tonë kombëtar dhe evropian.

Edhe njëherë dëshiroj të falenderoj Profesor Ragon, Universitetin “La Sapienza”, Universitetin “Marin Barleti”, si dhe Shkëlqesitë Ambasadorë për kontributin dhe sjelljen para publikut tonë të këtij libri interesant! Ju faleminderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›