Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë takimit me qytetarët e Korçës
Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Korçës. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha u shpreh:
Është nder i madh për mua t`ju përshëndes ju sot, të ndaj me ju gëzimin e madh të Korçës në NATO, të Shqipërisë në NATO. Korça në NATO është merita juaj historike. Qytetare dhe qytetarë të Korçës dhe mbarë Shqipërisë, në 15 vite ju vendosët në Shqipëri institucionet demokratike, ndërtuat në Shqipëri nga sistemi më i përçudnuar totalitar, një vend të lirë, një vend ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut, një vend ku qytetarët përpiqen duke shfrytëzuar lirinë dhe pasuritë e saj të mëdha për të ndërtuar jetën e tyre, ekonominë e tregut, prosperitetin.
Ftesa për në NATO është meritë e juaja dhe mbarë shqiptarëve që në 15 vite dëshmuan një bashkëpunim luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut njëlloj sikur të ishte një vend anëtar. Shqipëria, 15 vjet në një gadishull luftërash, konfliktesh dhe dramash qëndroi në çdo ditë dhe në çdo hap në anën e Aleancës së Atlantikut të Veriut, mbështetja ishte për paqen e stabilitetin në rajon.
Ftesa për në NATO është arritja më e madhe historike e shqiptarëve dhe unë dua të theksoj se zonjusha që më ftoi këtu e vuri theksin disa herë tek identiteti. Po të futesh në historinë tonë nuk ka një komb tjetër të ketë përshkuar vuajtje dhe sakrifica të mëdha, privime ekstreme, luftëra dhe kryengritje, vetëm e vetëm për të mbrojtur identitetin tonë dhe sot ky identitet i mbajtur në shekuj, me mijëvjeçarë ankoron në brigjet e sigurisë, në brigjet e lirisë së sigurtë, në brigjet e të ardhmes.
Ftesa në NATO është prestigj i madh për të gjithë ne, për të gjithë aspiratat që përmbysën në Shqipëri diktaturën më të egër komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore, dhe mbushën rrugët dhe sheshet e vendit me thirrjen “Shqipëria në NATO”.
Ftesa për në NATO është arritja më madhore e jona, për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, për këta rinj të cilët janë në gjeneratën e NATO, të cilët nuk do të njohin kurrë më diktatura që njohën prindërit e tyre, nuk do të njohin pushtime, ndjekje, që njohën gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Por, këtu në Korçën e lirë, në Shqipërinë e lirë e të sigurtë do të ndërtojnë shtëpinë e tyre më të bukur, të ardhmen e tyre. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Ë. Bush do t`u drejtohej shqiptarëve nga sheshi i Shën Markut në Zagreb se tani e tutje ‘kushdo të guxojë të prekë lirinë tuaj do të përballet me fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleancës së Atlantikut të Veriut’.
Ftesa për në NATO është dhe fundi i dekadave dhe shekujve të përpjekjes, të nëpërkëmbjes, së kombit shqiptar, është një pasaportë e re për kombin, për vendin, është dhe një moral i madh, është Korça zonjë, Shqipëria zonjë, është Korça e respektuar Shqipëria e respektuar. Më 3 prill në Bukuresht flamuri ynë, flamuri më i vjetër shtetëror i Europës u vendos krahas flamujve të vendeve më të fuqishme, më të lira të planetit, fitojmë atë vend për të cilin kemi shekuj me radhë nga koha e Skënderbeut deri më 3 prill.
Ftesa për në NATO, u bë e mundur dhe pati një hap përcaktues reformat që qeveria ime ndërmori këto tre vjet. Tre vjet më parë me gjithë dashurinë dhe respektin që ushqenin miqtë tanë të shumtë për ju dhe për Shqipërinë, të paktë ishin ata që besonin se Shqipëria do të mund të merrte ftesën, sepse vendet anëtare të NATO nuk mund të pranonin në gjirin e saj një vend në të cilin sundonin bandat kriminale, bandat e aldo bareve, bandat e nehat kullave, një vend në të cilin nga Tropoja në Sarandë qytete dhe fshatra dominoheshin nga bandat kriminale. Qeveria ime tre vjet më parë në këtë sallë, në këtë shesh, në mbarë Shqipërinë, dha fjalën e nderit; zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe kjo u bë realitet. Në një vit e gjysëm ne ndoqëm njëra pas tjetrës çdo bandë, çdo organizatë kriminale, çmontuam 206 prej tyre, arrestuam dhe vumë prapa hekurave 900 anëtarë, bosët e tyre dhe këto ishin ndër organizatat më të fuqishme në Europë, ndër më të pasurat, por toleranca jonë zero ndaj tyre bëri që forcat e rendit me një siguri, forcë dhe heroizëm e përkushtim të madh së bashku me agjencitë e tjera t`i kapin ata, t`i gjejnë ata kudo që ndodheshin, në Shqipëri, në Spanjë, Gjermani, SHBA, Itali, Suedi e kudo që ndodheshin. Kudo që ishin fshehur në pallate, vila a hotele me pesë yje apo shpella e male.
Zero tolerancë do të jetë qëndrimi ynë. Në këtë mënyrë ne u treguam vendeve anëtare se për ne e para e të parave është siguria e jetës së qytetarëve tanë, është siguria e rrugicave e rrugëve e shtëpive fshatrave shesheve për fëmijët tanë, gratë tona, vajzat tona.
Sot, Shqipëria ka treguesit e kriminalitetit qartësisht më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe unë ju garantoj se qeveria do mobilizojë çdo formë për t`i shtypur kokën në çdo moment krimit të organizuar në të katër anët e vendit.
Ftesa në NATO u bë e mundur se ne dëshmuan se jemi seriozë në reformat tona, ne kemi ardhur këtu para zgjedhjeve kam takuar të gjitha grupet, kam bërë një takim të gjatë me biznesin e Korçës, më kanë kërkuar se a do të publikohen çmimet e referencave? – U thashë tre muaj para dhe çmimet e referencave do të publikohen tërësisht. Ju premtova atyre se të gjitha burokracitë në regjistrimin e biznesit do të thjeshtohen në një ditë dhe do të vendoset One-stop-shop, ju premtuam se do t`i ulnim taksat, doganat, do të shkonim drejt taksës elektronike. Të gjitha këto janë shndërruar dhe do të shndërrohen në realitet duke u faktuar qytetarëve të Korçës se ne jemi seriozë në reformat që marrim, nuk bëjmë gjëra për sy e faqe, sepse nuk është ky morali i kësaj qeverie.
Tre vjet më parë ftesa për në NATO ishte si ylli në horizont, ishte larg sepse Shqipëria ishte vendi i sistemit të korrupsionit dhe kleptokracisë, sepse në Shqipëri ministrat kishin monopole, njëri të naftës, tjetri të ndërtimit, sepse Shqipëria ishte vendi ku 70 % e tenderëve bëheshin direkt, ndaheshin midis kontraktuesit dhe sipërmarrësit paratë, sepse Shqipëria ishte vendi në të cilin në taksa tatime dogana shpërdoroheshin dhe vidheshin 1.4 miliardë dollarë sipas raportit të Bankës Botërore. Ftesa ishte larg sepse Shqipëria kishte administratën më makute që shpërdoronte dhjetëra miliona lekë, udhëtime, makina, telefonata, ahengje. Në Shqipëri punonin në administratë me mijëra borde të ndërtuara mbi konfliktin e interesit si në asnjë vend tjetër, caktonin rrogën e drejtorit më të lartë se të ministrit në mënyrë që anëtarët e bordit të merrnin si përqindje në bazë të rrogës së drejtorit. Shqipëria ishte vendi ku një projekt prokurohej 2-3 herë. Kjo ishte e vërteta dhe për këto vendi ishte i dënuar. Kur erdhëm në pushtet nuk lejuam anëtarësimin në më shumë se tre borde sepse e dinim që ato shpërdoreshin dhe nuk vinin në interesin tuaj, kjo ishte situata. Në këto kushte morëm pushtetin dhe i kujtova këto vetëm për një qëllim, sepse sot prapë ka korrupsion, por me mençurinë tuaj dhe të shqiptarëve nuk duhet kurrë të mohojmë, të pranojmë të mohojmë arritjet e mëdha në këtë fushë, arritjet si në asnjë vend. Unë jam këtu për t`u raportuar cilat janë këto arritje. Nuk shprehin kurrë ministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së për reformat në Shqipëri si frymëzuese për vendet e rajonit në rast se rezultatet nuk do të kishin qenë spektakolare.
Sot, sërish ka korrupsion, por të dalë një shqiptar dhe të thotë cili ministër apo zyrtar ka monopole, cili është në konflikt interesash, disa gjëra do t`i mësoni, konflikti i interesit është leva e Arkimedit për korrupsionin. Kjo do të thotë që ministri i bujqësisë ngre importe ushqime dhe natyrisht i mbyt vlerat e ushqimeve vendase, shfrytëzon postin e ministrit dhe vetë fryhet çdo ditë. Sot prapë ka korrupsion, ka dhe shpërdorime, por po ju them se qeveria ime dhe administrata që unë kryesoj shpenzon me gjithë rritjen e çmimeve, 31 % më pak se administratat e mëparshme, të cilat shpenzonin me qindra miliona litra naftë, telefonata të pafundme, bileta të klasit të parë sikur të ishin administratë sheikësh dhe jo përfaqësues të një populli të varfër, hotele me 5 ose 6 yje në mënyrë abuzive. Atëherë ne vendosëm kritere dhe kursyem 110 milionë euro që bëheshin rrush e kumbulla në administratën e mëparshme. Nuk duhet të pranoni t`u errësojnë ferrat, bulevardet, apo gjethet e rrugëve. Duhet t`i shohim gjërat në sy. Prapë sot ka korrupsion. Le të më thotë dikush se cili ka paguar qoftë edhe 10 mijë lekë për të futur djalin e tij në shkollë të lartë? Askush dhe ju them se kryeministri i këtij vendi, ministrat e këtij vendi, deputetët e këtij vendi, zyrtarët e këtij vendi nuk kanë patur mundësi të fusin jashtë ligjit qoftë edhe një të afërm në universitetet e vendit. Kjo është e vërteta, kthehuni pak tek shitja e tezave poshtë e përpjetë. Tre vjet më parë nëse shkoje në dogana dhe nxirrje librin e pagesave çfarë gjeje? Të njëjtin mall e gjeje me pesë çmime. Doganieri ia priste si të donte. Nuk them se nuk ka korrupsion, por kjo nuk ndodh.
Korrupsioni i madh është aty ku janë paratë tuaja. Para së gjithash dhe mbi të gjitha janë në tatime dhe dogana. Cfarë ka bërë kjo qeveri? Cilat janë rezultatet e saj? Në 8 vjet rresht në parlamentin shqiptar cdo buxhet ngriheshin dhe thonin se rriteshin 0.5 % të ardhurat buxhetore, 0.5 % në atë kohë ishin rreth 50 milionë dollarë, kurrë nuk e lëvizën as 0.1 % dhe ato mbetën 22 % të Prodhimit të Brendshëm. Çfarë bëmë ne dhe ku jemi sot ? Është viti i tretë që ne dërgojmë një buxhet të dytë në muajin qershor në parlament, buxhet me qindra milionë euro, buxhet i tëri rezultat i luftës kundër korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit. Ne ulëm taksat, sa asnjë vend tjetër në Europë, por cilat janë të ardhurat? -1.2 miliardë dollarë më shumë në vitin 2008 se në vitin 2005. Të gjitha këto të nxjerra nga lufta kundër kontrabandës, korrupsionit, informalitetit. Le të shkojmë tek prokurimet. edhe aty kishte korrupsion, ku janë paratë është korrupsioni. Në vitin 2005, 70 % e prokurimeve ishin direkte pra i ndanin me njëri-tjetrin, në vitin 2007 raporti i Bashkimit Europian pohon se në Shqipëri nuk ka pasur asnjë prokurim direkt, besoj se midis prokurimit të hapur dhe midis të gjitha prokurimeve të hapura dhe 70 % të prokurimeve direkte shkalla e korrupsionit është si nata me ditën dhe kjo ka bërë që ne të kursejmë qindra miliona euro, kjo ka bërë që ne të kemi sot qindra e qindra projekte në mbarë vendin, që të ulet kostoja e prokurimeve publike pavarësisht nga rritja marramendëse e çmimeve me 18 %.
Sërish ka korrupsion, por çfarë po bëjmë ne? Ne po kalojmë në prokurimet elektronike, ku asnjëri nuk njeh vlerësuesin dhe ofruesin.
Sërish ka korrupsion në taksa por ç`po bëjmë ne? Po kalojmë në taksa elektronike ku secili deklaron pa takim me taksidarin të ardhurat e tij dhe në sistem përcaktohet në mënyrën më transparente vlera. Ne po përpiqemi me të gjithë forcën tonë të luftojmë korrupsionin, por në këtë betejë ju garantoj se të paktën në 1.5 miliardë dollarë para tuajat janë kursyer nga tatimet, taksat,doganat, bordet, nga të gjitha. Prapë ka korrupsion, por tani është radha më shumë se kurrë e juaja. Takova para një jave një grup të rinjsh të parlamentit rinor, një nga çështjet që u ngritën ishte se më thanë që ka korrupsion në arsim dhe ne kërkojmë që të na ndihmoni që ta luftojmë. Unë iu zotova që t`i ndihmoj që të bëhet buxheti transparent e këto, por unë u kërkova dhe atyre të dashur fëmijë çfarë kërkoj unë nga ju, kërkoj që t`i luteni prindërve tuaj t`i thonë jo ryshfetit, t`i presin dorën me gërshërën e ligjit atij faqeziu që për të njohur të drejtën tuaj fut dorën në xhepin tuaj. Ju them se është e vërtetë që ju mund ta realizoni atë të drejtë prandaj le të përdorim bashkimin me qytetarët për t`i dhënë goditjen fatale korrupsionit për të dalë nga sistemi i ryshfetit dhe ju do të më gjykoni mua dhe çdo shqiptar le të më gjykojë në rast se bashkëpunoni iu jap fjalën e nderit se cilido që do t`iu gjobisë ju do të ketë vetëm një fat, hekurat dhe vetëm hekurat.
Nuk kërkoj nga ju të më informoni kush lëviz aty, kush lëviz këtu. Nuk dua të më thoni bindjet politike të këtij apo të atij, këtë nuk e kërkoj kurrë. Po kërkoj nga ju së bashku të denoncojmë trafikantët. Ne jemi komb i NATO-s jo komb i ryshfetit ne jemi komb i moralit, ne kemi besim tek ligji. Ne nuk duhet të pranojmë të ndalemi para të korruptuarve. Ne nuk duhet të ndalemi përballë prokurorit që e len të pafajshëm kriminelin. Nuk duhet të ndalemi ndaj gjykatësit që i jep kriminelit lirinë që nuk i takon. Morali juaj dhe fibra juaj qytetare është 1000 herë më e fortë se sa anti-morali i tyre. Ndaj dhe ju bëj thirrje ju qytetarëve Korçë të ndërmarrim një luftë me tolerancë zero kundër krimit. Unë ju jap fjalën se qeveria do të mbështesë secilin prej jush në këtë betejë.
Qytetare dhe qytetarë të Korçës unë vij shumë krenarë sot tek ju, me premtimin e mbajtur për NATO-n, por dhe për të gjitha premtimet e mbajtura, që kemi dhënë në këtë qytet në këtë vend, të cilat ju jap fjalën ju që në këtë pjesë të mandatit do të përfundojnë të gjitha premtimet e dhëna një për një. Gjithë ju duhet të shtroni pyetjet çfarë bëhet me paratë tona kur nuk duhet të hiqni dorë nga këto pyetje. Kemi një buxhet tjetër shtesë dhe unë vij këtu për t`u thënë ju se çfarë bëhet me paratë tuaja po me paratë tuaja. Ne kemi mbledhur 1.2 miliardë dollarë më shumë se në 2005 dhe ju them tjetër se për shkak të luftës kundër korrupsionit ne na besojnë në NATO, na besojnë për kredi dhe e kanë rritur tre herë kreditin. Pra çfarë bëjmë ne me paratë tuaja? Ne jemi përpjekur të pakësojmë dhimbjet e varfërisë se ajo i ka dhimbjet më të mëdha se të gjitha dhimbjet e tjera.
Kemi vendosur këto tre vite në rritjen e rrogave dhe pensioneve, 35 miliardë lekë, rreth 13.1 miliard në vit, kundrejt 4.1 miliardë në vit që vendoste qeveria e mëparshme. Përcaktuam kufirin minimal të pensioneve në qytet 100 dollarë, me kursin e atëhershëm rritja është bërë 120 dollarë jo me të tanishmin. Deklaruam që do të dyfishojmë pensionet minimale, pensionet minimale po shkojnë drejt dyfishimit. U rritën çmimet këtë vit u deklarova 800 mijë pensionistëve se do ja kompensojmë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimeve, të gjithë atyre me ndihmë ekonomike të gjithë rrogëtarëve. Ju siguroj se Korça dhe Shqipëria kanë hyrë drejt zhvillimit të shpejtë. Ne u zotuam se mësuesve të fëmijëve tanë do t`ua dyfishojmë rrogat. Pse e bëmë ne këtë sepse ai që merrte diplomën e arsimit të lartë nuk kishte interes të shkonte në arsim. Dhe këta do zëvendësoheshin me ata që nuk bënin dot shkollën. Kudo që shkoj nëpër rrethe tani më raportojnë se të gjithë mësuesit i kemi me arsim të lartë. Dhe kjo na nderon sepse fëmijët tanë mësojnë me mësues të kualifikuar.
Nëpunësit e zotit Bode më thonë se na e prishe piramidën e rrogave, po bëhen rrogat e mësuesve sa nëpunësit e ministrive. U them se më parë duhet të rregullojmë mësuesit, por dhe ju do ju rregullojmë së shpejti. Por mësuesit janë 43 mijë punonjës. Dhe nëpunësve të tjerë do ja rregullojmë rrogat. Për 13 mijë infermierë që do ju dyfishohet rroga. Qytetarë të Korçës ju them se rrogat e buxhetorëve janë rritur me 43%. Pra këtu shkojnë paratë tuaja shkojnë në të mirë të arsimit. Tre vite më parë unë iu dhashë fjalën juve se çdo shkollë do ketë internet se Shqipëria në moshën digjitale do jetë një realitet. Kur e thashë këtë u tallën gazetat me titujt të ndryshëm, tani kjo është realitet. Një Shqipëri moderne është një Shqipëri digjitale. Ne sapo t`u plotësojmë fëmijëve internetin ne do ua mësojmë atë edhe prindërve të tyre. Tre vite më parë kishim 72 mijë studentë, sot kemi mbi 100 mijë dhe ju jap fjalën ju 140 mijë do kemi në mbarë vendin. Në të gjithë Shqipërinë do të ngrihen 11 konvikte, të cilat do të strehojnë fëmijët për t`u shkolluar nga katër anët e vendit në mënyrë që të shkollohen fëmijët me arsimin e mesëm dhe më pas të lartin.
Pra, arsimi është një përparësi e kësaj qeverie sikundër dua të informoj fëmijët e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë, se secili prej tyre që do fitojë të drejtën për të vazhduar njërin prej 10 universiteteve më të njohura në të gjithë Europën qeveria shqiptare do t`i japë bursën e plotë. Ndaj dhe i ftoj bijtë e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë të aplikojnë për këtë.
Paratë tuaja shkojnë sot në ndërtimin e një infrastrukture moderne në të gjithë Shqipërinë. Unë ju raportoj ju këtu se nga Konispoli deri në Valbonë janë me mijëra kilometra rrugë të asfaltuara, në ndërtim në rindërtim, janë autostrada nga më të mirat në botë siç është autostrada Durrës-Morinë, rrugë turistike nga më të bukurat, janë autostrada të tjera, por janë dhe me mijëra rrugë rurale që janë rindërtuar sepse ne kemi bërë përparësi absolute rrugët sepse rrugët kanë qenë rrugë të dobëta, rrugë qerresh, rrugë balte, nga 18 mijë kilometra rrugë vetëm 6 mijë kanë qenë të asfaltuara. Ne do ta nxjerrim Shqipërinë nga balta dhe do t`i asfaltojmë të gjithë rrugët.
Kam inauguruar me qeveritarët tuaj një sërë rrugësh. Që të gjithëve ju thashë që bëni projekte për rrugët dhe qeveria do ju mbështesë në të gjitha projektet për rrugët. Qeveria ka fonde për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta vetëm këtë vit 90 miliardë lekë janë investuar në rrugët tuaja dhe të Shqipërisë. Qeveria po investon në rrugët tuaja 11 herë më shumë se në vitin më kulmor të qeverisë socialiste. Kjo është merita e luftës kundër korrupsionit. Ne këtë mori investimesh dhe Korça ka investime këto tre vite ka 6 herë më shumë se 8 vitet së bashku të qeverive paraardhëse. Korça ka 70 km rrugë rurale në rindërtim ose të përfunduara ka autostradën më të gjatë. Korça këto tre vite ka pasur 53 rindërtime, restaurime shkolla të mesme dhe 9-vjeçare. Vetëm 14 prej tyre janë bërë në 8 vitet paraardhëse. Po llogarisni dhe 2009 do të shkoj të paktën deri tek 70. Qeveria e ka në përparësi arsimin. Kemi investuar dhe do të investojmë 30 ujësjellës kemi investuar dhe do investojmë prapë në të tjerë. Ujë 24 orë dhe i kam premtuar kryetarit se do të kemi ujë 24 orë. Në Korçë janë investuar 21 projekte kanalizime dhe sot kam kënaqësinë e madhe që firmosa me Bankën Europiane së bashku me qeverinë shqiptare rreth 2 miliardë lekë në kanalizime. Korça në bujqësi ka marrë për tre vite dy herë më shumë se ç`ka marrë në tre vite. Ju garantoj se vitin e ardhshëm do të marrë dy herë më shumë se këtë vit. Në këtë vit ka marrë investime 7 herë më shumë se qeveritë paraardhëse. Korça do të jetë model sepse ju në Shqipëri keni hapur një model. Do ta bëjmë Shqipërinë europiane.
Rroftë Korça!