Kryeministri Berisha: Ju jap fjalën minatorëve të Manzës dhe të mbarë Shqipërisë se pensionet e tyre do të jenë ndër më të lartat, ndër më të mirat

Sot, kryeministri Berisha zhvilloi nja takim me banorë të Manzës. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:
"Vëllezër dhe motra,
Se pari ju përshëndes vëllazërisht dhe ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e madhe , mbështetjen fuqishme që ju qytetaret e kësaj bashkie i keni dhëne dhe i jepeni Partisë Demokratike. Shpreh nderin dhe krenarinë time që takohemi sot së bashku, si qytetare, të një qyteti dhe të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi si qytetarë të një vendi, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ju siguroj se qeveria ime, e cila në 4 vite ka investuar në këtë bashki, 1.5 miliard lekë nga 0 lekë investime të qeverisë socialiste, në katër vitet që vijnë do të shumëfishojë investimet për të përmirësuar jetën tuaj. Në këto 4 vite në bashkinë e Manzës ne kemi ndërtuar 5 rrugë, 4 shkolla, 3 ujësjellës dhe 3 ambulanca. Ne ndërtuam rrugën kryesore të Manzës, rrugën Seravë-Radë, rrugën Kapedanaj-Armalle, rrugën Lagja Gjakovë- Baxho, rrugën Sefa-Radë, kemi ndërtuar shkollën 9 vjeçare, “Zyber Çollaku”, shkollën e mesme në Manzë, si dhe shkollat 9 vjeçare në Borë dhe Rade. Kemi ndërtuar qendrat shëndetësore të fshatit Shkallë dhe ambulancat e fshatrave Borçë e Kameras. Për fermerët e Manzës, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë kemi dhjetëfishuar grantet për projekte tuaja, për prodhimet bujqësore.
Qytetarë dhe qytetare të Manzës,
Kam ardhur sot këtu tu jap fjalën ish minatorëve të kësaj qyteze se do të shkurtojmë me 5 vite moshën e pensionit të tyre dhe kjo do të ketë efekt prapaveprues, për pensionet. Së dyti,kërkoj mirëkuptimin e minatorëve të Manzës dhe të mbarë Shqipërisë se të besojnë tek Sali Berisha për rritjen e pensioneve te tyre. Unë ju jap fjalën atyre se do të jem avokat kryesor i pensioneve të larta të tyre, por kërkoj mirëkuptimin e tyre se reforma e pensioneve na lejon ti vendosim pensionet e minatorëve aty ku duam , por nuk na lejon të përcaktojmë statuse, sepse edhe në rast se e përcaktojmë sot, do të detyrohemi ti heqim nesër, se reforma e re e pensioneve nuk lejon statuse. Ndaj dhe mos u mashtroni, unë që dyfishova pensionet e të gjithë fermerëve të Shqipërisë që rrita me 50 deri në 70 % pensionet ne qytet, iu jap fjalën minatorëve se pensionet e tyre do të jene ndër më të lartat dhe më të mirat.
Zoti Kryetar i bashkisë, së bashku 4 vitet që vijnë në këtë bashki do të garantojmë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, në çdo familje, në çdo shtëpi.
Së dyti, do të rindërtoj të gjitha rrugët, rrugicat e kësaj bashkie. Së treti, do të rindërtoj të gjitha rezervuarët dhe kanalet vaditëse të këtij territori, sikundër garantoj fermerët e Manzës se 4 vitet që vijnë qeveria ime do të subvencionojë, imputet, naftën, për të gjithë sipërfaqen që ju do të mbillni, do të subvencionojë pa asnjë kufizim çdo rrënjë ulliri që do mbillni, do të subvencionojë frutikulturën dhe kultura e tjera bujqësore dhe çdo projekt tuajin. Ju jap fjalën fermerëve të Manzës se 4 vitet që vijnë pensionet tuaj do të barazohen 100 për 100 me pensionet e qytetit. Pra këto janë premtimet për ju sikundër ju garantoj pensionistët dhe punonjësit se në krye të 4 viteve rrogat dhe pensionet do të jenë më të larta se të 6 vendeve anëtare të BE. Thirrja ime vëllazërore ,votoni bashkëqytetarin tuaj Bedri Lukun, votoni 10-tën, sepse për të votuar Bedri Lukun, duhet të votoni 10-të, 10 është Bedri Luku, 10-ta është Manza, 10 është Durrësi, 10 është Shqipëria, 10 është fitorja e Partisë Demokratike. Socialistëve të Manzës dhe të mbarë Shqipërisë, në emër tuaj i ftoj të bashkohen me ne , të bashkohen sepse asgjë nuk duam që ta kemi për veten tonë, çdo gjë që do të bëjmë, duam dhe do ta ndajmë me të gjithë shqiptarët. Socialistë të Manzës me Edi Ramën jeni me kilometra larg. Edi Rama nuk pranon të vendosë emrin në krye tuajën, ai nisi në betejë ushtarët pa komandë, sepse ka frikë. Ai do që ju të humbisni kurse veten ta shohë në breg, duke thënë se unë nuk isha në listë apo në krye të saj. Mos e votoni atë vëllezër, sepse morali është moral, mos mendoni ju se ne, kundërshtarin e shohim si armik, absolutisht jo, përkundrazi, pa opozitë nuk ka demokraci, por kurrë ndonjëherë ndonjë lider i opozitës nuk ka bërë këtë që beri Edi Rama në këto zgjedhje. Bazën e vet militante e zëvendësoi me 99-shat e tij, vetën e vetëm se me ata ndan fitimet përrallore të lejeve të ndërtimit dhe korrupsionit të bashkisë. Atëherë jeni të mirëseardhur. Le të bashkohemi ne, në një ëndërr, të bashkohemi në një projekt, të bashkohemi në këtë ndryshim të madh. Le të bashkohemi ne, në Manzën Evropiane, në Shqipërinë Evropiane. Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne që bëmë gati vendin për lëvizje të lirë, në mbarë Evropën brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ne do të përgatisim Manzën dhe Shqipërinë të gatshme për verdiktin përfundimtar, integrimin evropian.
Edhe njëherë ju ftoj në 28 qershor të merrni të gjithë pjesë në votime. Ju bëj thirrje këto tre ditë që kanë mbetur për aplikimet, të verifikoni çdo familjar, çdo mik , çdo të njohur, nxitini të marrin letërnjoftimin, është dokumenti më modern që lëshohet sot në Evropë, dokument që do ju duhet për dhjetëra e dhjetëra përdorime. Ky është dokumenti i fitores.
Rroftë Manza, rroftë Shqipëria!
16/06/2009