Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë, pagat e mjekëve, infermierëve dhe laborantëve do të kalojnë ato të kolegëve të tyre të 6 vendeve të BE-së
Kryeministri Berisha inauguroi sot maternitetin e ri, pjesë e kompleksit spitalor të Durrësit. Me një investim prej 11 milion dollarë është realizuar jo vetëm ndërtimi i ambienteve të brendshme të standardeve moderne, por edhe kompletimin e tij me pajisje mjekësore dhe aparatura bashkëkohore për diagnostikim dhe trajtim, në standarde europiane.
Kryeministri Berisha tha se kjo qendër së bashku me spitalin e ri krijon në Durrës bazën e fuqishme të një qendre të madhe universitare.
Në takimin me mjekët dhe infermierët, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që investimet në shëndetësi në këto katër vite janë rritur me 7.1 përqind.
“Së pari, janë dyfishuar pagat e mjekëve dhe infermierëve dhe dje, pas reformës që ndërmorëm, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore informoi se këto paga shkojnë akoma më lart dyfishimit, p.sh mjekëve të një kategorie paga u shkon deri në 600 mijë lekë dhe për këtë i përgëzoj. Unë i sigurova miqtë e mi, shumë prej tyre i kam pasur studentë të shkëlqyer, se në katër vitet që vijnë dhe sa kohë të jem në pushtet, rrogat do të rriten në mënyrë të fuqishme. Objektivi im është që në katër vite mjekët, infermierët dhe laborantët të marrin më shumë se kolegët e tyre të 6 vendeve anëtare ët Bashkimin Europian. Unë besoj në efektin jashtëzakonisht pozitiv të rritjes së rrogave, pasi është investim në energjitë njerëzore. Së dyti, i kërkova ministres së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore që në asnjë rrethanë në ekran nuk mund të na shfaqet qëndrimi i shkuar ndaj infermierëve. Kjo politikë që kemi ndjekur në këto katër vite do të vazhdojë edhe ndaj laborantëve, pasi mjeku punon në ekip. Asgjë nuk ia cenon më shumë suksesin atij, sesa defektet e ekipit. Ndaj do të vazhdojmë t’ua rrisim pagat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, sigurisht në proporcion. Së treti, kemi vendosur një mekanizëm të ri financimi. Dje, Instituti informoi se një pjesë e të ardhurave do t’u lejohet t’i përdorin për shpërblime, për rritje, për investime,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi se lufta kundër korrupsionit në shëndetësi do të thellohet përmes reformave të gjithanshme dhe procedurave transparente në shërbimin ndaj qytetarit.
“Në shëndetësi ka korrupsion, nuk mohohet, por, në mënyrë absolute, nuk mund të mohohen lumenjtë e djersës. Mjekësia është profesion me sakrifica, të mjekëve, infermierëve dhe laborantëve. Korrupsioni luftohet në të gjitha praktikat me reforma. Ne do të përcaktojmë procedura transparente, në të gjitha kontaktet e qytetarit me shëndetësinë. Nëse ju kujtohet katër vite më parë, panairi i korrupsionit me pranimet në universitete, sot nuk ai u zhduk, nuk e kemi më.”
Duke u ndalur në idenë e shprehur nga kryetari i PS-ës për heqjen e sigurimeve shëndetësore, Kryeministri Berisha e konsideroi atë tepër të dëmshme sistemin shëndetësor.
“Dua t’u them shqiptarëve, - u shpreh Kryeministri - se ideja e Edi Ramës për të hequr sigurimet shëndetësore është shpartalluese për sistemin shëndetësor. I them se këtë sistem e ka vendosur burri më i madh i tokës gjermane, kancelari Bismark. Ky është një sistem që ekziston në të gjitha vendet e lira të botës, pavarësisht nëse janë socialdemokratë apo të qendrës së djathtë. Sigurimet shëndetësore i ka hequr vetëm diktatura. Të gjithë atyre që për nivelin e të ardhurave apo shkaqe të tjera nuk kanë mundësi të paguajnë sigurime shëndetësore, ato do t’i paguajë qeveria dhe kjo do të jetë një shumë, veças nga ndihma ekonomike apo të tjera. Heqja e sigurimeve shëndetësore do të thotë që, në emër të barazisë, të thellosh në mënyrë progresive varfërinë, do të thotë që ne që kemi paga të larta, të trajtohemi njëlloj si ai që merr ndihmë ekonomike. Këto forma janë çnjerëzore dhe të papranueshme.”
Në këtë inaugurim, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo.
Në fund të vizitës, përgjigje të pyetjes së gazetarëve si e komenton grisjen e posterave dhe se a mund të ndikonte kjo negativisht në raportet ndërkombëtare, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Unë mendoj se në tërësi fushata, përveç rastit shumë të dënueshëm dhe fatkeq të Katundit të Ri, është një fushatë që po ecën në standardet më normale. Sërish thirrja ime është për të gjithë drejtuesit e partive politike, por edhe të gjithë militantëve është të heqin dorë nga çdo lloj gjesti intolerance. Këtë duhet ta ketë çdo militant i secilës parti, sepse intoleranca vetëm të largon votën.”
16/06/2009