E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: KRRTRSH nuk do të miratojë asnjë plan urbanistik, pa u përfshirë në të një sipërfaqje për kënd lojërash për fëmijë

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi ‘studim urbanistik i zonës Qesarakë, në komunën Dajt, në qarkun Tiranë”. 

Duke komentuar këtë studim, Kryeministri Berisha u shpreh se KRRTRSH nuk do të miratojë asnjë plan urbanistik, në rast se projekti nuk përcakton një sipërfaqe për kënd lojërash për fëmijët. Pavarësisht se ky studim sot miratohet, u shpreh Kryeministri, asnjë vendim nuk do të zbardhet pa u faktuar këndi i lojërave për fëmijët. 

“Nuk do të miratohet asnjë plan urbanistik i cilitdo qyteti në vend, në qoftë se nuk ka të përcaktuar sipërfaqen e nevojshme të këndit të lojërave për fëmijët. Kjo miratohet, por nuk zbardhet pa u faktuar këndi i lojërave për fëmijë. Çdo plan tjetër do të ketë kushtin ‘sine equanon,’ një kënd i bollshëm lojërash për fëmijë. Një djalë 15 vjeçar nga Gjirokastra më dërgoi një mesazh ku më thoshte; ‘meqenëse qeveritarët vendorë nuk mendojnë për ne,  ju lutem bëni çdo gjë që të kemi kënde lojërash për fëmijët”. Kjo do të thotë që çdo projekt, çdo plan dhe gjithçka nuk vjen në KRRTRSH pa pasur të përcaktuar territorin e lojërave për fëmijë. Shembulli i shëmtuar dhe më i keq është Tirana, në të cilën fëmijët fatin më të madh e kanë të shkojnë e të dalin tek Liqeni, por nuk ka një park të vërtetë lojërash. Ndaj, ky Këshill nuk do të miratojë dhe nuk do të shpallë asnjë plan urbanistik në të cilin nuk janë përcaktuar hapësirat për fëmijët”, u shpreh Kryeministri.


14/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›