Kryeministri Berisha: Për të nxitur punësimin në zonat e varfra, qeveria ime do të heqë taksat për bizneset për 5 vjet

Kryeministri Berisha sot në mbrëmje u takua me banorë të Rrogozhinës. Në fjalën e tij në takimin me ta, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes vëllazërisht. Dua të shpreh kënaqësinë time që në këtë shesh, në të cilin jemi takuar gjatë këtyre viteve me dhjetëra e qindra herë, sot takohemi si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, takohemi si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, takohemi si qytetarë të një vendi që në katër vite ia doli të kryesojë në kontinent për rritjen ekonomike, ia doli në katër vite që në luftën kundër korrupsionit të shpallet më i miri në Ballkan dhe në 10-shen më të mirë në Europë.
Ne ia dolëm që në katër vite të dyfishojë pensionet për të gjithë fermerët shqiptarë dhe t’i rrisim 50 deri në 70 përqind për të gjithë pensionistët në qytet.
Ne ia dolëm si asnjëherë tjetër të dyfishojmë pagat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve.
Ne ia dolëm të ndërtojmë e rindërtojmë mbi 1012 shkolla për fëmijët shqiptarë, të shtrijmë internetin në çdo shkollë të Shqipërisë, të ndërtojmë mbi 5900 kilometra autostrada, rrugë kombëtare, rrugë rurale, rrugë dytësore të qyteteve dhe fshatrave tona, ia dolëm të ndërtojmë mbi 700 ujësjellës.
Ne ia dolëm ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin më të preferuar në rajon për investimet e huaja.
Këto janë arritjet tona të mëdha. Këto janë baza, mbi të cilën ne do të firmosim së bashku marrëveshjen shqiptare për Rrogozhinën dhe për gjithë Shqipërinë europiane.
Shqipëria europiane është premtimi ynë për ju, për fëmijët tuaj, për brezat që vijnë. Shqipëria europiane është Shqipëria e qytetarëve në punë. Ndaj sot jam këtu për t’u zotuar para jush se punësimi do të jetë kryetema e programit të ardhshëm të qeverisë sime.
Ne punësuam në katër vite mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë. Në katër vitet që vijnë, nisin ndërtimin e tyre me qindra hidrocentrale, me mijëra e mijëra kilometra rrugë e autostrada do të përfundojnë së ndërtuari dhe me parqet industriale të vendit dhe me biznesin shqiptar në tërësi do të punësohen, së paku, edhe 160 mijë qytetarë shqiptarë.
Shqipëria në punë është dhe do të mbetet motoja jonë. Për të nxitur punësimin në zonat e varfra të vendit, qeveria ime do të heqë taksat për bizneset për 5 vjet. Për të nxitur punësimin në mbarë, qeveria ime do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për kualifikimin, trajnimin dhe rikualifikimin e punëtorëve, do të paguajë për ta primin dhe sigurimet shoqërore. Për të nxitur punësimin, qeveria ime do ta konsolidojë Shqipërinë si vendin e taksave më të ulëta në Europë, si vendin me koston më të ulët të prodhimit në Europë.
Ne jemi të bindur se në katër vitet që vijnë Shqipëria europiane, Rrogozhina europiane, qytetarë shqiptarë europianë do të thotë 24 orë ujë, kudo, ku ata ndodhen. Ne që lamë mbrapa terrin dhe errësirën për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike, do të lëmë pas çdo ndërprerje të ujit për shqiptarët dhe ata do të kenë furnizim me ujë 24 orë, kudo që të ndodhen.
Rrogozhina do të nisë së shpejti by pass-in e saj, sikundër investime të mëdha do të bëhen në të gjithë infrastrukturën e qytetit dhe të fshatrave përreth. Kanali vaditës Rrogozhinë-Kavajë do të jetë një nga veprat e para që do të rindërtohet.
Unë ju premtoj fermerëve të Rrogozhinës se në katër vitet që vijnë qeveria ime do të subvencionojë çdo projekt që ata do të paraqesin për nxitjen e prodhimit të tyre. Katër vitet që vijnë, qeveria ime do të subvencionojë naftën dhe të gjitha inputet që ata do të përdorin për sipërfaqet e mbjella. Në katër vitet që vijnë, ne do të katërfishojmë kapacitetet përpunuese të agrobiznesit në Shqipëri. Ne jemi këtu për t’u zotuar para fermerëve të Rrogozhinës e të mbarë Shqipërisë se do të pesëfishojmë grantin për projektet e tyre.
Qytetarë të Rrogozhinës,
askush në këtë vend nuk mund të ndihet qytetar europian në rast se ai nuk shpërblehet, nuk paguhet njësoj si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Me këtë rast, natyrisht unë kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe nuk premtoj këtu se në katër vite, ne do të kemi pagat e francezëve, gjermanëve, italianëve apo austriakëve, por në katër vite ne, së bashku, do të parakalojmë jo dy, por 6 vende anëtare të BE-së për sa i përket pagave dhe pensioneve. Katër vitet që lamë pas, ne ia dolëm së bashku që të parakalojmë dy vende. Sot pagat dhe pensionet në Shqipëri janë 30 përqind më të larta se në Rumani dhe Bullgari dhe pas katër vitesh, do të parakalojmë 6 vende të BE-së.
28 qershori po afron. 28 qershori është festa e demokracisë, por 28 qershori është festa e ëndrrës sonë europiane, e projektit tonë më madhështor, e projektit të Shqipërisë europiane, Shqipërisë më të bukur për veten dhe fëmijët tanë. Ndaj unë ju ftoj të vazhdojmë ndryshimin. Ftoj shqiptarët kudo që ata ndodhen të bashkohen me ne, të vazhdojmë ndryshimin, të ecim së bashku drejt destinacionit dhe fatit të përbashkët. Shqipëria në Europë është destinacioni më i shkëlqyer për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë.”
06/06/2009