E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Këto makete, kryeveprat e ardhshme, që do të zbukurojnë parqet, lulishtet, sheshet e kryeqytetit

Kryeministri Berisha vizitoi sot Galerinë Kombëtare të Arteve në ambientet e së cilës ndodhen të ekspozuara maketet për monumentin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. I shoqëruar nga Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Drejtori i Galerisë Rubens Shima, Kryeministri u njoh dhe pa nga afër rreth 70 punimet e artistëve vendas e të huaj të ekspozuara, pjesë e konkursit ndërkombëtar.

Në fjalën e tij kryeministri shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e gjerë ku mbi 60 skulptorë, artistë, kanë sjellë bocetet dhe maketet për monumentin e 100 Vjetorit të Pavarësisë.

Kryeministri theksoi se vështirësitë e përzgjedhjes janë vërtet serioze pasi është e vështirë, që në këtë seri kaq të bukur veprash të artistëve të mëdhenj shqiptarë, por dhe nga mbarë Europa, të përjashtosh nga vendi i parë. "Sidoqoftë, tha ai, juria është një juri kompetente, e përbërë nga artistë me reputacion botëror të huaj dhe vendas dhe Tirana do të ketë një monument për 100 Vjetorin e Pavarësisë".

"Kryetari i Bashkisë ka një shans të madh të përzgjedhjes së një seri prej këtyre veprave, për të pasuruar Tiranën me vlerat kulturore që i mungojnë, me vlera artistike që i mungojnë, ndaj dhe vlerësoj se ky konkurs, që u hap përbën një avantazh të madh për kryeqytetin e vendit" u shpreh kryeministri.

Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë për të mbështetur fuqishëm vendimet që do të marrë Këshillit Bashkiak, për të ndarë Tiranën nga ajo periudhë 50 vjeçare, e cila, tha kryeministri, e vërviti kryeqytetin drejt mjegullnajave ballkanike lindore.

Pasi vizitoi maketet e ekspozuara kryeministri Berisha u shpreh:

“Siç e shikoni ky është konkursi me pjesëmarrjen më të gjerë në historinë e këtij vendi. Konkurs në të cilin mbi 60 skulptorë, artisë, kanë sjellë bocetet, maketet për monumentin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Të gjitha këto janë një diversitet, një larmi e madhe, por bashkohen në idenë e qëndresës së shqiptarëve. Frymëzohen gjerësisht nga simboli i flamurit të tyre, shqiponja dy krenare, e cila stilizohet në dhjetëra forma, por mbizotëron në të gjitha bocetet si ide qendrore. Ministria e Kulturës, Galeria e Arteve, realizuan me shumë sukses këtë konkurs, por vështirësitë e përzgjedhjes janë vërtet serioze pasi është e vështirë, që në këtë seri kaq të bukur veprash të artistëve të mëdhenj shqiptarë, por dhe nga mbarë Europa të përjashtosh nga vendi i parë. Sidoqoftë juria është një juri kompetente, e përbërë nga artistë me reputacion botëror të huaj dhe vendas dhe Tirana do të ketë një monument për 100 Vjetorin e Pavarësisë. Por këtu realisht, Kryetari i Bashkisë ka një shans të madh të përzgjedhjes së një seri prej këtyre veprave, për të pasuruar Tiranën me vlerat kulturore që i mungojnë, me vlera artistike që i mungojnë, ndaj dhe vlerësoj se ky konkurs, që u hap përbën një avantazh të madh për kryeqytetin e vendit.

Se një aspekt është historia dhe nderimi i saj, por një aspekt tjetër, po kaq i rëndësishëm mos më shumë është krijimi i vlerave, vendosja e vlerave të gjinisë krijuese të shqiptarëve dhe skulptorëve artistëve të huaj, të cilët e sjellin gjithnjë e më afër këtë kryeqytet, në rrafshin kulturor me simotrat e veta në Europën perëndimore. Ky duhet të jetë një nga drejtimet më themelore të punës, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm, në qoftë se qyteti u themelua si qytet perëndimor, në rrugën e tij vazhdoi as lindje dhe as perëndim. Në realitet lindje po dhe jo, perëndim.

E theksoj përsëri ai Pallat Kulture ndodhet vetëm në Lambador , dhe atje mund të përshtatej me stepat, por këtu s’kemi stepa, këtu kemi male ndër më të bukurat, kemi detin në anën tjetër dhe pastaj 11 vitet e humbura të Tiranës. Në rrafshin Europian dua të them. 11 vite, të cilat vizitori dhe qytetari nuk mund të gjejë një vlerë artistike europiane të derdhur diku, përveç kumbullave të kuqe, që nuk bënë kumbulla kurrë. Absolutisht. Po çfarë pengese kishte, që të shihnim vlera artistike edhe këtu dhe një seri prej këtyre veprave të mrekullueshme të pasqyroheshin për vizitorët?. Veprat artistike kanë lexime shumë tërheqëse në shumë raste dhe aty kanë mëritën e tyre, por bëheshin beteja për të mbrojtur një trashëgimi , nga e cila uroj dhe dëshiroj, që Bashkia e Tiranës ta çlirojë këtë qytet dhe e garantoj se do të ketë mbështetje të plotë duke filluar me Pallatin e Kulturës, që përben një shëmtirë të pamerituar për kryeqytetin, një problem madhor për qytetarët e Tiranë.

Natyrisht nuk është fjala të marrim angazhime, por është fjala për të vërteten, se çdo vendim që do të marrë Bashkia e Tiranës, për ta rivendosur kryeqytetin në platformën Europiane në të cilën lindi, qeveria do ta mbështesë fuqishëm. Tirana është sigurisht qyteti  i qytetarëve që jetojnë, por është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.

Në Tiranë janë aksionerë në rrafshin shpirtëror, kulturor, material të gjithanshëm, të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ndaj zoti Kryetar, unë ju garantoj se do t’i mbështes fuqishëm vendimet e Këshillit Bashkiak, për të ndarë Tiranën nga ajo periudhë 50 vjeçare, e cila e vërviti kryeqytetin drejt mjegullnajave ballkanike lindore, ndërkohe që ky është një kryeqytet me frymëmarrje. Nga kreshta e Dajtit, tek kurorat e kodrave në perëndim dhe zona e Krrabës. Gjithçka ka vetëm aromë perëndimore. Unë jam i bindur se edhe këtu, në këto vepra të mrekullueshme, janë kryeveprat e ardhshme, që do të zbukurojnë parqet, lulishtet, sheshet e këtij qyteti të mrekullueshëm.

Faleminderit !


18/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›