Kryeministri Berisha viziton ekspozitën vetjake të piktorit Orion Shima
Gjatë vizitës së tij në Galerinë e Arteve ku pa nga afër maketet e ekspozuara për monumentin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri Berisha ka vizituar edhe ekspozitën vetjake të piktorit Orion Shima me titull "Kundërpeisazh".
Kryeministri duke vlerësuar punimet e piktorit Shima u shpreh:
“Kjo ekspozitë e piktorit të talentuar Orion Shima është ekspozita më e bukur që unë kam parë, kushtuar kryesisht, për të mos thënë tërësish, magjisë së pyllit, bukurisë, pasurisë së pyllit.
Orioni në një seri tablosh shpreh gjithashtu dhe dhimbjen e tij për injorimin apo për qëndrimin jo miqësor ndaj pyllit dhe pyjeve. Ndaj dhe këtu gjejmë pyjet në të gjitha sezonet, por dhe në të gjitha gjendjet. Natyrisht në këtë ekspozitë mendoj se ai plotëson një boshllëk në pikturën shqiptare, jo se pyjet dhe pylli nuk janë trajtuar, ata janë trajtuar nga piktorët më të mëdhenj shqiptare, por në një spektër të tillë kaq të gjerë në të gjitha aspektet, merita i takon Orion Shimës, këtij pasardhësi të piktorit të madh shqiptarë Alush Shima.
Duke soditur të shkon mendja tek një piktor romantik dhe e vërteta është se janë gërshetuar në mënyrën më mjeshtërore dashuria për pyllin e shprehur natyrisht dhe me notat e një romantisti të admirueshëm, por dhe modern të sotëm, me të cilat dëshmon se nostalgjia dhe admirimi që ka për natyrën e shtyn të përdorë format më lehtësisht të lexueshme dhe më inspiruese për publikun dhe nuk harron të kalojë dhe në botën tjetër të tij, të post realizmit, të modernizmit, në të cilin ai ka kohë që operon.
Ndaj dhe unë dua ti bëj përshëndetjet më të përzemërta piktorit për këtë ekspozitë të shkëlqyer, do të thosha pa mëdyshje në një stad të ri, që ia ka arritur në gjeninë e tij krijuese në artet pamore”.
18/03/2012