Kryeministri Berisha: Kjo qeveri ka tejkaluar qartësisht objektivat e saj
- Arsimi, infrastruktura dhe furnizimi me ujë pa ndërprerje i qytetarëve, mbeten prioritetet e strategjisë 2009-2011
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Komiteti i Planifikimit Strategjik, i cili diskutoi në lidhje me kuadrin makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2009-2011.
Kryeministri Berisha tha se vendi ka bërë një progres të ndjeshëm në politikën e buxhetimit. Në këtë kontekst tha Kryeministri, kjo qeveri ka të drejtën e plotë ligjore dhe morale të shpallë objektivat e saj pasi ka faktuar tre vite rresht se jo vetëm i ka realizuar ato pikë për pikë, por i ka tejkaluar qartësisht ato me mbirealizime. Në këtë kontekst Kryeministri evidentoi faktin se tre vjet me radhë qeveria ka dërguar në parlament një buxhet suplementar, duke tejkaluar edhe parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.
Kryeministri Berisha e vuri theksin në rëndësinë që do të vazhdojë t`i kushtojë ai personalisht dhe qeveria e drejtuar prej tij sektorit të arsimit. "Për sa kohë që shqiptarët të votojnë Sali Berishën duhet t`a kenë të qartë se arsimi do të mbetet përparësia ime më madhore dhe qeverive që unë do të kryesoj", nënvizoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se këtë vit të ardhurat buxhetore krahasuar vetëm me një vit më parë janë rritur me 2 % të GDP-së, si rezultat i forcimit të disiplinës fiskale dhe reformave ekonomike.
Shqipëria, vijoi Kryeministri Berisha, ka një inflacion plotësisht të kontrollueshëm të importuar dhe të diktuar. "Nëse nuk do të bënim lëvizjet e çmimit të energjisë dhe të biletave të transportit ky inflacion do të shkonte në 3 % për të rënë nën 3 % në muajin ardhshëm. Rreth 0.8 % e inflacionit ka ardhur direkt nga rritja e çmimit të energjisë sepse kjo ka peshën e vet . Po kështu rritja e çmimit të biletave të transportit ka patur ndikim", u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke iu referuar statistikave, Kryeministri tha se Shqipëria ka një rritje të madhe të prodhimit. "Është rritur me 30 % prodhimi industrial , me 40 % ndërtimi, janë rritur me 41 % eksportet 'Made in Albania' , ka një rritje thelbësore të prodhimit bujqësor. Rendimenti i grurit këtë vit është më i larti që vendi ka shënuar ndonjëherë", nënvizoi Kryeministri.
Në këtë buxhet afatmesëm, theksoi Kryeministri, ne synojmë të përfundojmë sistemin modern të rrugëve kombëtare të vendit. "Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më modernët në rajon dhe në Europë. Po punohet në të gjitha akset. Vitet 2009-2011 do të jenë vitet e finalizimit të këtyre projekteve, do jenë vitet në të cilët ne do të asfaltojmë së paku 6 mijë km rrugë dytësore. Këtë vit ne disponojmë 400 milionë euro, por në mënyrë absolute ne jemi plotësisht të gatshëm dhe kemi çdo mundësi që këtë shifër ta dyfishojmë në përputhje me kapacitetet e shfrytëzimit të këtyre parave", tha Kryeministri. Në këtë kontekst Kryeministri tha se së shpejti do të fillojnë punimet në 10 qarqe për rrugët 10 rrugë kryesore dytësore.
Më tej Kryeministri nënvizoi se periudha 2009-2011 do të ketë si prioritet furnizimin pa ndërprerje të qytetarëve me ujë.
Viti 2008, u shpreh më tej Kryeministri, është viti i kthesës më të madhe në historinë financiare buxhetore të këtij vendi, është viti në të cilin buxheti i Shqipërisë kapi vlerën 4.2 miliardë dollarë.
Kryeministri Berisha tha se infrastruktura portuale është një nga më të rëndësishmet, duke nënvizuar se korridori Durrës-Prishtinë i bën ujërat dhe brigjet e Shqipërisë më të afërta për Veriun e Greqisë, Maqedoninë , Bullgarinë Perëndimore, Serbinë Jugore, Kosovën dhe Bosnjën Juglindore. Faktikisht, tha Kryeministri korridori ndryshon gjeografinë e rajonit, rikthen portet shqiptare në portet më kryesore dhe rrit interesin e jashtëzakonshëm për to.
Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri përgëzoi Ministrinë e Financave dhe punonjësit e saj për punën që kanë bërë në hartimin e kësaj strategjie.