E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik

Kjo është një mbledhje shumë e rëndësishme në të cilën ne do të diskutojmë probleme madhore siç është kuadri makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2009-2011, që i bie mandati i dytë i qeverisë. Kjo për faktin se duke respektuar plotësisht votën e shqiptarëve duket se "four years more" do të bëhet realitet, por më mirë të mos merremi me fushatën elektorale sepse nuk është detyrë e kësaj salle, por të ndalemi tek kuadri makroekonomik dhe fiskal i vitit 2009-2011.

 Mendoj se vendi ka bërë një progres të madh në politikën e buxhetimit. Në këtë kontekst kjo qeveri ka të drejtën e plotë ligjore dhe morale të shpallë objektivat e saj pasi ka faktuar tre vite rresht se jo vetëm i ka realizuar pikë për pikë, por i ka tejkaluar qartësisht ato me mbirealizime.

Tre vjet me radhë ne kemi dërguar buxhet suplementar në parlament duke dalë mbi parashikimet edhe të institucioneve ndërkombëtare për performancën buxhetore të kësaj qeverie. Në rast se ne u rikthehemi diskutimeve që kemi bërë për buxhetin afatmesëm 6 muaj më parë në Komitetin e Planifikimit Strategjik ne do të shohim se rezultatet e sotme janë qartësisht më të mëdha se ato që kemi parashikuar. Ne po tejkalojmë parashikimet tona. Kjo është performanca e kësaj qeverie dhe ato nuk kanë qenë parashikime jo ambicioze, kanë qenë parashikime ambicioze, por realizimet janë edhe më të mëdha se ato parashikime. Mjafton t`u them se këtë vit të ardhurat buxhetore krahasuar jo me tre vjet më parë as me dy vjet më parë, por me një vit më parë rriten rreth 2 % të GDP-së, pra një rritje absolutisht e jashtëzakonshme kur kjo rritje nuk është bazuar në një shpërthim të fuqishëm nafte apo gazi apo një faktor i ngjashëm me to.

 Ky është rezultat si i forcimit të disiplinës fiskale ashtu edhe masave të marra të reformës ekonomike. Shqipëria ka një inflacion plotësisht të kontrollueshëm të importuar dhe të diktuar. Nëse nuk do të bënim lëvizjet e çmimit të energjisë dhe të biletave të transportit ky inflacion do të shkonte në 3 % për të rënë nën 3 % në muajin ardhshëm. Rreth 0.8 % e inflacionit ka ardhur direkt nga rritja e çmimit të energjisë sepse kjo ka peshën e vet . Po kështu rritja e çmimit të biletave të transportit ka pasur ndikim.


 Shqipëria ka një rritje të madhe të prodhimit. Është rritur me 30 % prodhimi industrial , është rritur me 40 % ndërtimi dhe më shumë, janë rritur me 41 % eksportet "Made in Albania" , ka një rritje thelbësore të prodhimit bujqësor, rendimenti i grurit këtë vit  është më i larti që vendi ka shënuar ndonjëherë. Duke mbetur sërish vendi i halleve dhe problemeve të shumta, Shqipëria çdo ditë e më shumë bëhet vendi i mundësive të mëdha dhe zgjidhjeve të rëndësishme. Në këtë buxhet afatmesëm ne synojmë të përfundojmë sistemin modern të rrugëve kombëtare të vendit. Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më modernët në rajon dhe në Europë. Po punohet në të gjitha akset. Vitet 2009-2011 do të jenë vitet e finalizimit të këtyre projekteve, do jenë vitet në të cilët ne do të asfaltojmë së paku 6 mijë km rrugë dytësore. Këtë vit ne disponojmë 400 milionë euro, por në mënyrë absolute ne jemi plotësisht të gatshëm dhe kemi çdo mundësi që këtë shifër ta dyfishojmë në përputhje me kapacitetet e shfrytëzimit të këtyre parave.


Së shpejti ne fillojmë punimet në 10 qarqe në 10 rrugë kryesore dytësore. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë porosi të nisë punën përgatitore për 10 të tjera sepse do të bëjmë një shpërndarje në të gjitha qarqet. Pra infrastruktura rrugore do të finalizohet.
Unë do të thosha se 2009-2011 do të ketë si prioritet furnizimin e qytetarëve me ujë. Unë do të thosha se këtë përkushtim total që kemi dëshmuar gjatë këtij mandati dhe që dëshmojmë në rrugë ne duhet ta rikthejmë në një përpjekje të jashtëzakonshme për furnizimin me ujë. Përpjekje të mëdha po bëhen. Para pak javësh isha në Korçë në këtë rreth gjeta 30 projekte ujësjellësish në fshatra të ndryshme dhe po kështu kudo që shkoj. Por sërish Shqipëria ka mundësi shumë më të mëdha, është vend i pasur me ujëra. Gjatë periudhës 2009-2011 do të doja që projektet më të mëdha të ishin në ujësjellës siç ishin në këtë periudhë rrugët duhet të kthehemi tek ujësjellësit. Ka projekte shumë të rëndësishme një ndër të cilat është ujësjellësi nga Vau i Dejës në Fier, apo nga zona të tjera. Ne do t`i përkushtohemi shumë furnizimit pa ndërprerje me ujë të qytetarëve.

Viti 2008 është viti i kthesës së madhe, i kthesës më të madhe në historinë financiare buxhetore të këtij vendi, është viti në të cilin buxheti i Shqipërisë kapi vlerën 4.2 miliardë dollarë. Tani e tutje i mundëson këtij vendi të ndërmarrë çdo lloj projekti në territorin e tij, autostrada, porte, aeroporte çfarëdo të jetë e nevojshme për popullatën e vendit. Është viti që hapi portat e mundësive të mëdha financiare të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë kontekst infrastruktura portuale është një nga më të rëndësishmet, korridori që po ndërtojmë Durrës-Prishtinë i bën ujërat dhe brigjet e Shqipërisë më të afërta për Veriun e Greqisë, Maqedoninë , Bullgarinë Perëndimore, Serbinë Jugore , Kosovën, Bosnjën Juglindore. Faktikisht korridori ndryshon gjeografinë e rajonit, rikthen portet shqiptare në portet më kryesore dhe rrit interesin e jashtëzakonshëm për to. Ne do të përpiqemi të ecim me koncesionet. Natyrisht në rast nevoje ne do të ndërmarrim ndërtimin e çdo porti gjigant të të gjitha përmasave në të gjitha brigjet e vendit, por e vërteta është se nuk mbetet për këtë sepse siç shihet kompani të mëdha botërore kanë shprehur interes të madh për të ndërtuar porte të mëdha në Vlorë, në Durrës, në Shëngjin , Porto Romano. Portet shqiptare po bëhen magnet për shkak të korridorit që po ndërtohet. Ky buxhet mundëson ndjekjen e politikave të strehimit si për popullatën rome ashtu dhe për të tjerët në nevojë. Edhe në këtë drejtim ne do të përqendrohemi gjatë viteve që vijnë.

 Natyrisht për sa kohë që shqiptarët të votojnë Sali Berishën duhet t`a kenë të qartë se arsimi do të mbetet përparësia ime më madhore dhe qeverive që unë do të kryesoj. Vitin që vjen ne dyfishojmë buxhetin, por prapë nuk jam i kënaqur. Efektet e reformës sonë arsimore po ndjehen ndjeshëm. Profesioni i mësuesit po bëhet sërish ndër profesionet e preferuara. Rritja në 3 vjet me 75 % e rrogës së  arsimtarëve ka qenë një vendim shumë i vështirë, me peshë të rëndë, por i domosdoshëm sepse po konsolidon trupën pedagogjike të vendit. Natyrisht ka sjellë një çrregullim serioz në hierarkinë e rrogave dhe unë jam i vetëdijshëm për këtë, por unë kërkoj mirëkuptimin e të gjitha kategorive të tjera sepse ne duhet që trupën pedagogjike, të cilëve u besojmë fëmijët tanë ta vendosim në një nivel të ri pagash dhe i siguroj se pas realizimit të këtij objektivi do të punohet për normalizimin dhe qeveria ka të gjitha mundësitë për të vendosur normalitetin në piramidën e pagave duke mbajtur mësuesit gjithmonë mbi mesataren e saj. Sa kohë shqiptarët të më votojnë mua unë do të kem të parin arsimin. E lashë në `96-ën me 4.2 % të buxhetit të shtetit dhe e gjeta jetim me 2.1 % të buxhetit të shtetit. Do të shkojë prapë tek 4.2 dhe më tutje.

Unë mendoj të ndjekim ekspozenë e shkëlqyer që ka përgatitur Ministria e Financave të cilën dëshiroj ta përgëzoj atë dhe ekipin e saj, të gjithë punonjësit sepse perfomanca dhe funksionimi i tyre i ka bërë të mundura këto që ne sot raportojmë dhe që vendosim këtu.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›