Kryeministri Berisha: Komunikimi dhe transparenca me qytetarët, përparësi madhore e qeverisë
- Do të përjashtohen nga të gjitha taksat vendosja e antenave të komunikimit të telefonisë celulare në prona publike
Në kuadrin e komunikimit sa më transparent dhe të shpejtë me qytetarët, kryeministri bëri të qartë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se vendosja e antenave të kompanive celulare në prona publike do të përjashtohet nga çdo lloj takse dhe nuk do të bie më pre e veprimeve abuzive të autoriteteve vendore, të cilat në shumë raste kanë vendosur mbi këto kompani taksa të padrejta. “Antenat e komunikimit të kompanive celulare përjashtohen në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Ato e kthejnë shpërblimin e vet disa herë më të madh se sa ajo që mendohet, ndaj dhe vendosja e këtyre antenave nuk do të mund të jetë subjekt tatimi as nga ato vendore, as nga ato qendrore, në asnjë pjesë, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi sot nga kabineti qeveritar realizimin në një kohë sa më të shpejtë të transparencës në komunikimin me qytetarët, nëpërmjet publikimit të të dhënave si numri personal i telefonit, e-mail-i, në ëeb e ministrive dhe rrjetet sociale si facebook, etj.
Më gjerësisht, lidhur me këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj ministra, mbledhjen e kaluar të qeverisë unë kërkova që secili prej jush së pari të krijojë linjën falas të komunikimit të qytetarëve, së dyti të afishojë numrin e vet, i cili ka ndër të tjera edhe taksat e qytetarëve. Subvencioni është taksë e qytetarëve. Ndaj edhe ai numër duhet të afishohet. Gjithashtu duhet të publikohet adresa e email-t në faqen zyrtare dhe në Facebook. Duhet të krijoni facebook-un të gjithë. Ende disa ministri nuk i kanë vendosur dhe kërkoj që këto të vendosen përfundimisht dhe deri ditën e shtunë të jenë funksionuese për të gjithë qytetarët shqiptarë, pa përjashtim. Këto janë linjat e transparencës së qytetarit. Këto janë avantazhet e komunikimit.
Meqënëse jam tek komunikimi. Ka shpërthyer një histeri e autoriteteve lokale kundër antenave të kompanive celulare dhe nga që gjykohet se këto janë kompani të pasura ju këpusin taksa dhe kryesisht disa nga ata që po zotohen për të hequr çdo taksë në Shqipëri. Zoti Ministër i financave do të më sjellësh ligjin me urgjencë. Antena e komunikimit përjashtohet në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Ato e kthejnë shpërblimin e vet disa herë më të madh se sa ajo që mendohet, ndaj dhe vendosja e këtyre antenave nuk do të mund të jetë subjekt tatimi as nga ato vendore, as nga ato qendrore, në asnjë pjesë. Natyrisht kur i vendosin në pronë private, kjo është çështje tjetër. Por në rast se ato janë në pronë publike do të përjashtohen nga çdo lloj tatimi, pasi tani janë lëshuar pas tyre për ti rrjepur, në një kohë kur ato kanë një rol të jashtëzakonshëm zhvillimor. Nuk e dini ju sa mesazhe më vijnë mua nga Valbona, nga Boga, dhe nga zona të tjera të cilat janë të vështira për tu kapur nga telefonia dhe si ndihen ata pa telefoninë mobile, dhe dua tu them autoriteteve vendore, hiqni dorë se nuk keni të drejtë më sapo të dale ligji , të tatoni as edhe një qindarkë antenat e transmetimit të telekomunikacionit në Shqipëri. Ne jemi të interesuar ta zgjerojmë sa më shumë.
09/01/2013