Këshilli i Ministrave shqyrton vendimin për kuotat e pranimeve në institucionet publike të individëve që studiojnë me kohë të pjesshme

- Ftoj qytetarët që në interesin më të mirë të punësimit dhe të së ardhmes së shkollimit të fëmijëve të tyre të konsiderojnë në mënyrën më serioze shkollimin në shkolla profesionale të fëmijëve të tyre.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave Kryeministri Berisha veçoi vendimin për kuotat e pranimeve në institucionet publike të individëve që studiojnë me kohë të pjesshme. Duke folur për këtë vendim, Kryeministri u shpreh se këto kuota do të kenë një rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, prej nga do të përfitojnë kategoritë më të diskriminuara në të kaluarën, siç janë të përndjekurit, romët, personat me aftësi të kufizuara.
Kryeministri informoi se këtë vit në sektorin publik dhe privat ulen në bankat e shkollave të larta dhe te universiteteve te vendit me kohë të plotë dhe të pjesshme rreth 37 mijë shqiptarë. Kryeministri e vlerësoi këtë si një arritje të madhe, si dëshmi e funksionimit dhe konkretizimit të platformës për arsimin. “Këtë vit janë mbi 70 % e atyre që mbarojnë shkollat e mesme që ulen në bankat e universiteteve. Ruajtja e këtij treguesi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për rritjen e nivelit edukativ dhe arsimor të shoqërisë dhe kombit në tërësi.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi rëndësinë e arsimit profesional për të rinjtë shqiptarë, duke ftuar qytetarët që në interesin më të mirë të punësimit të së ardhmes së shkollimit të fëmijëve të tyre, të konsiderojnë në mënyrën më serioze shkollimin në shkolla profesionale të fëmije të tyre.
Kryeministri sektorin ftoi gjithashtu publik dhe privat të arsimit që të shumëfishojnë përpjekjet për përshtatjen me kërkesat e tregut, duke investuar me përparësi në arsimin profesional.
Duke folur për këtë vendim, kryeministri u shpreh:
Sot, miratojmë në qeveri kuotat e pranimeve në institucionet publike të individëve të studiojnë me kohë të pjesshme. Këto kuota kanë një rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Do regjistrohen me të njëjtin çmim, plus inflacionin, ka një favorizim legjitim të kategorive më të diskriminuara në shkuarën, siç janë të përndjekurit, romët, personat me aftësi të kufizuara. Këtyre u rriten kuotat e pranimit dhe ky është një veprim shumë i arsyeshëm.
Në tërësi dua tu informoj se këtë vit, në sektorin publik dhe privat ulen në bankat e shkollave të larta dhe te universiteteve te vendit me kohë të plotë dhe të pjesshme rreth 37 mijë shqiptarë, çka përbën kjo, një arritje të madhe. Për ne, kjo është një dëshmi e funksionimit, e konkretizimit të platformës sonë, pra përbën një arritje të madhe.
Faktikisht, këtë vit janë mbi 70 % e atyre që mbarojnë shkollat e mesme që ulen në bankat e universiteteve. Ruajtja e këtij treguesi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për rritjen e nivelit edukativ dhe arsimor të shoqërisë dhe kombit në tërësi. Pas një rrokullisje që pësoi Shqipëria në vitet e shkollimit, për shkak të mbylljes të mbi 500 shkollave bujqësore që ishin në vend, të bazuara në ekzistencën e fermave dhe të kooperativave, dhe në një periudhë që kishte gjithsej rreth 50 shkolla të mesme të përgjithshme, sot numri i shkollave të mesme të përgjithshme është rreth 400.
Por sot problemi ynë serioz është arsimi profesional. Arsimi profesional përbën një nga elementët më thelbësore të arsimit parauniversitar në vendet e zhvilluara. Kuotat, raportet janë 1 me 1 me arsimin e përgjithshëm. Fatkeqësisht, kjo në Shqipëri megjithë përpjekjet tona nuk po ndodh. Akoma nuk është i qartë leverdia dhe koncepti se sa me interes është të shkollosh fëmijët në shkollë profesionale. Ministria e Arsimit, dy vjet më parë dhe në vazhdim ka garantuar bursa për të gjithë nxënësit e zonave verilindore dhe juglindore të vendit që duan të ndjekin shkollën profesionale. Kjo dha një lloj rritje, por jo atë që ne do të donim. Ndaj dhe njëherë ftoj qytetarët që në interesin më të mirë të punësimit dhe të së ardhmes së shkollimit të fëmijëve të tyre të konsiderojnë në mënyrën më serioze shkollimin në shkolla profesionale të fëmije të tyre.
Ftoj sektorin publik dhe privat të arsimit të shumëfishojnë përpjekjet për përshtatjen me kërkesat e tregut. Të investojnë me përparësi në arsimin profesional. Është jetike që të ndiqet dinamizmi i tregut. Nuk ka diskutim se një nga qëllimet më madhore të arsimit është punësimi, por ai është i mundshëm dhe gjithnjë më i mundshëm kur arsimimi, sistemi i përshtatet tregut dhe ndjek kushtet e tregut.31/08/2011