E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative

Qeveria miraton krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative

Këshilli i Ministrave vendosi, në mbledhjen e sotme të tij, krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative, apo atij që njihet në publik si artizanal. Shuma fillestare e miratuar nga qeveria për këtë fond është rreth 50 milionë lekë. Kryeministri Berisha, duke vlerësuar traditën e artizanatit në Shqipëri, si ndër më të pasurat dhe të bukurat, garantoi artizanët e vendit se qeveria do të bëjë gjithçka për nxitjen maksimale të punës së tyre, në mënyrë që prodhimet e tyre të mrekullueshme të dalin në treg.  

“Tradita e artizanatit në Shqipëri është ndër më të pasurat, më të bukurat, një traditë e cila shkrin në një trashëgimi të mrekullueshme kulturore, imagjinatën, por dhe  sensin e biznesit”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria turistike është potenciali më i madh për tregun e prodhimeve artizanale, por kjo duhet të ndodhë në një harmonizim më të mirë të cilësisë artistike me çmimin e tyre, me kodin moral të fitimit. Në rast se ecet në këtë rrugë, nënvizoi Kryeministri, prodhimet artistike të Shqipërisë, veshjet, gdhendjet, qilimat, sixhadet e të gjitha prodhimet e tjera të mrekullueshme, shumë prej tyre të cilësisë ndër më të larta që mund të ekzistojnë, do të kenë tregun më të mirë.

Kryeministri ftoi qeveritë vendore t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë  prodhimeve artistike dhe të nxisin këtë sektor.

Në fjalën e tij të plotë lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“sot shqyrtohet vendimi për krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative, apo atij që njihet në publik si artizanal. Tradita e artizanatit në Shqipëri është ndër më të pasurat, më të bukurat, një traditë e cila shkrin në një trashëgimi të mrekullueshme kulturore, imagjinatën, por dhe  sensin e biznesit. Në disa nga fushat më delikate, siç ka qenë e është filigrani, shqiptarët kanë qenë ndër më të përmendurit në Evropë. Por, diversiteti i prodhimeve artizanale në Shqipëri është ndër më të pasurit, më të bukurit. Është diskutuar shumë kohë se si të mund ta gjallërojmë këtë sektor, i cili është më së shumti në dhuntinë dhe pasionin e grave e vajzave, sepse natyrisht, dhuntitë artistike janë më të zhvilluara te ato.

Ndaj dhe ne krijojmë një fond prej rreth 50 milionë lekë si fillim. Por unë dua të garantoj artizanët e artizanet e këtij vendit se do të bëjmë gjithçka për nxitjen maksimale, në mënyrë që prodhimet e tyre të mrekullueshme të dalin në treg. Shqipëria turistike është potenciali më i madh për to, për tregun e prodhimeve të tyre, por natyrisht, në një harmonizim më të mirë të cilësisë artistike me çmimin. Këtë të fundit ne e kemi ende problem, sa të mësojmë kodin moral të fitimit e për këtë, do na duhet kohë. Mendohet se fitohet më shumë me çmim të lartë, por jo, më shumë fitohet në rast se je i zoti të  harmonizosh çmimin me tregun, koston dhe të pranosh një normë të logjikshme, të arsyetueshme çmimi. Pra, në rast se ecet në këtë rrugë, prodhimet artistike të Shqipërisë do të kenë tregun më të mirë, veshjet, gdhendjet, qilimat, sixhadet e të gjitha prodhimet e tjera të mrekullueshme, shumë prej tyre të cilësisë ndër më të larta që mund të ekzistojnë. Uroj edhe njëherë që të arsyetohet çmimi.

Këtu e shumë vite të shkuara, unë kisha parë velenxat e Korçës, në apartamentet më luksoze të Parisit. Natyrisht, nuk ishin të importuara vetëm nga Korça, sepse nuk i prodhon vetëm Korça, por i prodhon edhe rajoni. Unë mora shembullin e velenxave, por dhe qilimat, sixhadet, janë të një cilësie nga më të mirat.

Ftoj qeveritë vendore t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë  prodhimeve artistike. Në komunën e Antigonesë, gjatë një vizite ku inauguruam një rrugë, kryetari i Komunës, një njeri i përkushtuar për zhvillimin e saj, u kishte krijuar kushte banorëve për prodhime të mrekullueshme të tyre të cilat eksportoheshin në Norvegji dhe porositeshin nga firma norvegjeze. Ndaj le të bëjmë gjithçka për t’iu kthyer kësaj tradite të mrekullueshme që mund të punësojë me mijëra e mijëra vetë, veçanërisht, zonja të cilat, për arsye të ndryshme, kanë qëndruar në shtëpi si shtëpiake, por që mund të bëjnë punë të mrekullueshme. Le të nxisim intensivisht këtë veprimtari. Në çdo fshat të këtij vendi gjen një ose disa prodhime të mrekullueshme. Përse restorantet të prodhojnë ushqime të gatuara në x apo y fshat dhe të mos i porosisin ato dhe t’u bëhen aty ku kanë dhe traditën, e ku gatuhen edhe më mirë?. Pra, nuk duhet ta konceptojmë artizanatin vetëm si çorape apo qilim. Zoti Ruli, ne kemi qenë njëherë bashkërisht në festën e brezave në Libohovë. Kryetari mbajti një fjalim të cilin e mbaj mend edhe sot. Ai tha se; Lordi Bajron ka shkruar se në kafenetë e mejhanet e këtij qyteti, ushqimet janë më të shijshme e më të mira se në Madrid. Në fakt, ato që shijuam ne atë ditë nuk të ikin nga memoria, aq të larmishme e të shijshme ishin. Përse të mos e nxisim prodhimin e tyre dhe shitjen në restorantet e qytetit, përmes bashkëpunimeve, lidhjeve, porosive? Por, e rëndësishme është që të persistojmë në këtë drejtim”.


05/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›