Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin konsultativ mbi mekanizmat e kreditimit të sektorit të olivikulturës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në takimin konsultativ mbi mekanizmat e kreditimit të sektorit të olivikulturës, bashkëpunimi me bankat. Pjesëmarrës në këtë takim ishin ministri i Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit z. Genc Ruli, prodhues dhe përpunues të ullirit, përfaqësues të bankave tregtare, etj.
Në këtë tryezë u diskutua rreth suksesit të konstatuar në këtë sektor që nga implementimi i projektit kombëtar të ullirit, i iniciuar në vitin 2007, problematikës së dalë dhe mënyrën se si të kapërcehen ato.
Kryeministri Berisha i siguroi të pranishmit se për qeverinë ky projekt mbetet i një rëndësie parësore dhe se do të vazhdojë mbështetja e fuqishme për këtë sektor. “Objektivi nuk është më 20 milionë rrënjë ulliri, por është 50 milionë rrënjë ulliri. Me 50 milionë rrënjë ne shkojmë me këtë projekt afër maksimumit të kapaciteteve të mbjelljes së ullirit”, tha Kryeministri Berisha.
Pas diskutimit nga ana e prodhuesve dhe përpunuesve të ullirit, Kryeministri Berisha kërkoi që të ketë më shumë angazhim në promovimin e tij në tregun vendas dhe tregjet më të afërta, si Kosovë e Maqedoni. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se projekti i ullirit duhet të pasurohet më elementë të rinj, të konsolidohet më tej hallka vjeljes, grumbullimit dhe përpunimit të tij.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh vlerësimin dhe nderimin tim më të madh për ju dhe për të gjitha ata që u angazhuan në këtë projekt kombëtar, të një rëndësie të dorës së parë. Në rast se do të listoheshin elementët e zhvillimit të qëndrueshëm për produktin e tij, jetëgjatësinë dhe ndikimin e tij tek njeriu e shëndeti, ulliri do të ishte në vendet e para. Kemi kënaqësinë që, së bashku, në një nismë të iniciuar në vitin 2007, me gjithë vështirësitë e pamohueshme që ju përballeni, të konstatojmë se një sektor që po përjetonte një agoni të pamerituar, që ishte pothuajse i braktisur dhe në rrënim, është sot tërësisht tjetër, me një interes më të madh se kurrë nga ana e fermerëve të zonave të ullirit dhe të institucioneve zyrtare për zhvillimin më të shpejtë të tij. Sot mund të themi se projekti qëndron në këmbë dhe sektori gjallohet çdo javë e më shumë. Është fat i madh që mblidhemi këtu duke pasur si shtysë kryesore mbiprodhimin e ullirit këtë vit. Por, natyrisht, kjo kërkon që ne të trajtojmë të gjitha aspektet e këtij projekti. Ju siguroj se për qeverinë ky projekt mbetet i një rëndësie parësore dhe përballja shumëplanëshe e këtij projekti, nga prodhimi i fidanëve dhe përzgjedhja e tyre, tek vaditja dhe nxjerrja e prodhimeve më të pastra, kanë qenë dhe mbeten objektiva të ndërhyrjes sonë.
Nga 2007 e deri më sot jenë financuar rreth 9 mijë hektarë. Ky financim ka shërbyer si katalizator për të ndezur një ethe të ullirit, një pasion të madh për ullirin, që nuk ka ekzistuar kurrë në këto përmasa. Në qoftë se janë mbjellë me financime rreth 9 mijë hektarë, absolutisht, 3 - 4 herë më shumë janë mbjellë me iniciativën dhe pasionin qytetarëve shqiptarë, pasion dhe iniciativë që ka përfshirë të gjitha zonat e ullirit, jo vetëm në fshat, por edhe në qytete. Janë të shumtë biznesmenët që kanë mbjellë rreth ndërmarrjeve të tyre me dhjetëra, qindra e mijëra rrënjë ulliri. Unë dua të përgëzoj ekipin e Institutit të Universitetit Bujqësor të Kamzës, filialet e tij në Vlorë e Fushë Krujë, për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Përgëzoj kultivuesit e fidanëve që krahas përpjekjes shtetërore, me dy impiante të mëdha të prodhimit, kanë prodhuar miliona fidanë të varieteteve më të mira të vendit. Unë, gjithashtu, dua t’ju siguroj se do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm këtë sektor.
Të dashur miq,
Objektivi nuk është më 20 milionë rrënjë ulliri, por është 50 milionë rrënjë ulliri. Me 50 milionë ne shkojmë me këtë projekt afër maksimumit të kapaciteteve të mbjelljes së ullirit, i cili është në çdo aspekt floriri i mbitokës. Ndaj dhe në këtë tryezë le të diskutojmë ne të gjithë problematikën që ka dalë. Le të ndalemi më shumë në problematikën që ka dalë dhe rrugët se si t’i kapërcejmë ato. Ky është një vit ku ka të ngjarë që prodhimi i ullirit të dyfishohet. Çdo vit qindra e mijëra rrënjë të reja ulliri hyjnë në prodhim dhe po të keni parasysh që ndaj të gjithë këtyre është një përkujdesje e veçante. Unë isha në kodrat e Gosës. Fermeri kishte vendosur vaditjen me pika. E kishte mbjellë në 2007 dhe prodhimi ishte shumë i madh. Ne po shkëputemi nga koncepti i prodhimit periodik dhe kalojmë në prodhimin e pandërprerë, nëpërmjet shërbimeve që duhet t’i bëjmë. Shpreh vlerësimin tim më të madh për ju, sepse me punën e përkushtimin tuaj dhe të fermerëve shqiptarë në zonën e ullirit, sot Shqipëria është një vend tjetër. Këtë vit pritet të ketë një prodhim gjashtë herë më të madh sesa në vitin 2000, pritet të ketë një prodhim rreth katër herë më të madh se në vitin 2005. Le të diskutojmë se si ta përballojmë më mirë këtë prodhim në rritje dhe të bëjmë çdo gjë për t’ju mbështetur ju. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur dhe do t’ju mbështesim ju.
Edhe një herë ju falënderoj shumë për praninë dhe mendoj që të shprehni mendimet tuaja, sugjerimet e propozimet tuaja të vyera. Ne do të bëjmë gjithçka që t’u japim përgjigjen e mundshme atyre.”
***
Pas diskutimeve të zhvilluara në këtë takim dhe çështjeve të ndryshme të shtruara nga prodhuesit e përpunuesit e ullirit, Kryeministri Berisha u shpreh:
Mendoj se disa nga çështjet e shtruara janë jashtëzakonisht serioze dhe kërkojnë përgjigje të vendosur e të shpejtë. Zoti Panajoti, (drejtor i Qendrës së transferimit të Teknologjisë, Vlorë), shtroi çështjen e vjeljes së ullirit, e cila do të bëhet çdo vit e më e mprehtë. Në rast se ne nuk marrim masa konkrete do të shkojë drejt pamundësisë. Të jemi realistë, është e domosdoshme që ministria në projektet e saj të parashikojë detyrimisht komponentin vjelje. Siç parashikojmë ujitjen, duhet të parashikojmë dhe vjeljen. Zoti Panajoti, është e domosdoshme të mendojmë se si tu shesim fermerëve fidanët me çmimin më të lirë të mundshëm. Unë e di që i japim lirë, por duhet edhe më lirë. Politika është nxitëse është politikë nxitëse. Ti japim falas është akoma më mirë, por falas ua japim një pjese, që fitojnë projektin, nuk ua japim dot të tjerëve. Ndaj duhet të jemi shumë të gjerë në këtë drejtim.
Zoti Sokol Myrtaj, (kryetar i shoqatës “Ulliri Kalinjot”, Vlorë) ngriti një seri çështjes, të cilat tregojnë për një marrëdhënie që duhet kapërcyer. Kjo në kuptimin që duhet të jetë prodhuesi i vajit ai që të mund të japë përgjigje problematikave, pas dorëzimit të ullirit te ai. Çfarëdo që ne mund të ndihmojmë, duke subvencionuar enët prej inoksi, nuk e zgjidh kjo problemin. Duhet të bëjmë gjithçka me prodhuesin, që ata nëpërmjet tregtuesve, etj., t’i japin destinacionin e duhur. Pra konstatohet se marrëdhënia është e vjetër, e hershme, për të mos thënë e lashtë. Marrëdhënia duhet të jetë shumë tjetër. Dorëzon prodhimin, merr sasinë që do për veten e tij, pjesa tjetër duhet të gjejë tregun. Ndaj ne duhet të ndërhyjmë në këtë hallkë.
Sikundër, jam plotësisht dakord me zotin Dojaka, (prodhues i vajit të ullirit Natyral), prodhuesi ka rol qendror. Ne si qeveri, së bashku me bankat, duhet të japim mundësi ta kryejnë këtë funksion, duhet t’i japim mundësi njëlloj si në zinxhirët e tjerë të prodhimit, sepse ky është edhe më i vështirë. Duhet të bëjmë gjithçka për një financim kundrejt zbutjes së interesave, kundrejt nxitjeve të tjera. Ne në qoftë se nuk konsolidojmë hallkën e prodhimit, ky interes i madh që ekziston sot do të bjerë. Duhet të përqendrohemi shumë te prodhimi i vajit, duhet të përqendrohemi shumë në promovimin e tregut. Të shtrojmë pyetjen nëse e kemi zënë ne tregun shqiptar me ullinj, e kemi zënë ne tregun e Kosovës dhe Maqedonisë. Ministri thotë ende jo. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta zënë këtë treg dhe, në radhë të parë, për ta promovuar atë. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se ulliri nuk është një prodhim familjar, në pjesën dërmuese të trevave shqiptare. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta promovuar. Tregu më i afërt është gjithnjë më i mundshmi e më i leverdishmi. Edhe ju së bashku me ministrinë duhet të bëni pak më shumë për promovimin e ullirit, cilësive të tij, dobisë së tij shëndetësore dhe të gjithanshme. Duhet të bëni në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni. Në radhë të parë duhet të synojmë të kapim tregun shqiptar, sepse jemi të vendosur ndërmjet dy gjigantëve të prodhimit të ullirit. Italia në njërën anë dhe Greqia në anën tjetër. Ne të përpiqemi në trevat tona. Të bëjmë gjithçka edhe në politikat nxitëse. Të bëjmë gjithçka edhe për të konsoliduar hallkën e grumbullimit. Projekti i ullirit duhet të pasurohet me elementë të rinj.
06/11/2012