E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Hartimi i ligjeve për administratën publike dhe nëpunësin civil përmbush detyrimet e qeverisë ndaj integrimit të vendit

-          Ligji “Për nëpunësin civil i hartuar me një ekspertizë 4 vjeçare të kompanive prestigjoze të kontratuara nga BE, konsolidon më tej këtë shërbim të rëndësishëm për vendin

-          Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i jep një bazë  ligjore të re funksionimit të administratës publike.

Kryeministri Berisha veçoi nga rendi i ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, disa projektligje dhe vendime të rëndësishme, për të cilat kryeministri u shpreh se kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve të qeverisë dhe të maxhorancës të obligimeve për statusin e anëtarësimit të vendit, në BE.

Kryeministri u ndal veçanërisht në dy projektligje, atë “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe projektligjin “Për nëpunësin civil”. Duke i vlerësuar ligjet tejet të rëndësishme për plotësimin e njërës prej kërkesave të parashtruara para qeverisë shqiptare, kryeministri theksoi se pavarësisht bllokimeve të vazhdueshme në parlament të ligjeve me rëndësi jetike, qeveria do të bëjë gjithçka për përmbushjen e detyrimeve të saj, ndaj integrimit të vendit.

Duke u ndalur posaçërisht në  ligjin për nëpunësin civil, kryeministri bëri të ditur ai është hartuar me një ekspertizë 4 vjeçare të kompanive prestigjoze të kontratuara nga BE. Duke e vlerësuar shumë të përshtatshëm hartimin e tij në konsolidimin e mëtejshëm të këtij shërbimi, kryeministri sugjeroi se duhen marrë parasysh edhe praktikat më moderuara të disa vendeve perëndimore, në të cilat ky shërbim është i ndarë nga veprimtaria politike. “Ky ligj është një ligj i shkëlqyer që konsolidon më tej shërbimin, por disa ndërhyrje janë të domosdoshme. Ndonëse për hir të së vërtetës ekspertët nuk kanë sugjeruar një ndarje të këtij shërbimi nga politika unë mendoj se në politikën e konsoliduar të disa vendeve perëndimore, kjo ekziston dhe ne duhet ti përmbahemi kësaj praktike sepse është interesi më i mirë i këtij shërbimi, sepse ky shërbim është një pasuri e madhe kombëtare dhe mirë është që ky shërbim të qëndrojë jashtë betejave politike.”, tha kryeministri.

Për sa i përket projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, kryeministri u shpreh se ligji i hartuar me nje ekspertizës të gjerë, i jep një bazë  ligjore të re funksionimit të administratës publike, e cila ka rëndësie jetike për vendin.

Kryeministri theksoi se të dyja këto ligje qartësojnë kriteret e punësimit në këto shërbime, duke i dhënë atributet përkatëse punonjësve të shërbimit civil dhe punonjësve të administratës publike dhe duke vlerësuar meritën si një kriter të rëndësishëm në këtë proces. “Në mënyrë jo të shpeshtë, por sigurisht ndodh që individë që kanë studiuar në universitet më të mira , që kanë bërë një seri punimesh shkencore me nje impakt të madh i gjejnë dyert të mbyllura. Është  e domosdoshme që një akt i veçantë të parashikojë të gjitha dyert e hapura për ta në universitet në administratën publike dhe në shërbimin civil . Dhe këto ligje duhet të marrin detyrimisht dhe marrin parasysh këtë kriter.

Lidhur me këto projektligje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Çështjet  më të rëndësishme të kësaj mbledhje janë një seri ligjesh dhe vendimesh të cilat kanë të bëjnë me përmbushjen së pari të detyrimeve të qeverisë dhe të maxhorancës të obligimeve për statusin e anëtarësimit dhe këtu janë dy ligje shumë të rëndësishme me të cilat njëra nga kërkesat plotësohet dhe ky është ligji i nëpunësit civil dhe administratës shtetërore. Ndërkohë ligji për gjykatën e lartë që është edhe ai një nga kushtet është dërguar në parlament, por që është bllokuar nga bllokatori konstant i procesit të integrimit, zoti Rama, që sot merr pjesë në Internacionalen Socialiste, por që e vërteta është që ai sillet sikur merr pjesë në Kominternin apo në Internacionalen Komuniste. Sepse të shkosh atje si bllokator i procese integruese je i vetmi në këtë forum të nderuar. Shkon natyrisht duke pasur përgjegjësinë e rëndë, duke qene i regjistruar në librin e zi evropian dhe botëror të korrupsionit, sepse bllokove dhe imunitetin në datën 6 gusht, por dua të them këtu se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për kapërcimin, për përmbushjen e detyrimeve të saj në rradhë të parë, të cilat janë këto ligje që ne i dërgojmë, ndonëse ligji i nëpunësit civil që ne dërgojmë kërkon 3/5 dhe duhet të bëjë një koment lidhur me këtë ligj.

Ky ligj është hartuar me një ekspertizë 4 vjeçare të kompanive të kontratuar nga BE. Është një ligj i shkëlqyer që konsolidon më tej shërbimin, por disa ndërhyrje janë të domosdoshme. Ndonëse në ligj për hir të së vërtetës ekspertët nuk kanë sugjeruar një ndarje të këtij shërbimi nga politika, unë mendoj se në politikën e konsoliduar të disa vendeve perëndimore, kjo ekziston dhe ne duhet ti përmbahemi kësaj praktike sepse është interesi më i mirë i këtij shërbimi, sepse ky shërbim është një pasuri e madhe kombëtare dhe mirë është që ky shërbim të qëndrojë jashtë betejave politike. Çështja  e përkatësisë partiake është një privacion, sigurisht, por meqënëse disa vende e kanë, mendojmë që ti përmbahemi. Ata të cilët pranojnë të jenë pjesë e shërbimit civil të mos kenë përkatësi partiake. Sigurisht që ata votojnë, sigurisht që kanë preferencat e tyre partiake. Dua tu jap një shembull, po lexoja dje një shkrim ku thuhej se Sekretarja  e Shtetit Hillary Klinton nuk do të marrë pjesë në Konventën e  Demokratëve, e Presidentit Obama dhe kjo meqë ai post është politik, por ky ishte një xhest i kësaj diplomateje të shkëlqyer. Edhe ne traditën e Sekretarit të Shtetit, nuk merr pjesë në eventet partiake, në mënyrë që të paraqittë sa të jetë e mundur më shumë bipartizan. Natyrisht sekretarja Klinton u shpreh se do të votojë dhe jam i bindur se do të zgjidhet Presidenti Obama. Natyrisht posti i Sekretarit të Shtetit është tërësisht politik. E mora këtë shembull për të motivuar ndoshta edhe për disa vite tek ne, që shërbimi mund të qëndrojë apartiak dhe mund të qëndrojë jashtë fushatave elektorale, sepse do të dëmtohej. Angazhimi në fushata elektorale dhe në veprimtaritë e partive politike, këtë shërbim do ta lëndonte.

Një ligj tjetër është edhe ligji i administratës publike. Edhe ky ligj është hartuar me një ekspertizë të gjerë dhe i jep një bazë ligjore të re, funksionimit të administratës publike, administratë kjo e një rëndësie jetike për vendin. Të dy ligjet qartësojnë kriteret e rekrutimit në këtë shërbime. Të dy ligjet i japin atributet përkatëse punonjësve të shërbimit civil dhe punonjësve të administratës publike. Ligjet lejojnë dhe duhet të lejojnë meritën, sikundër meritën duhet ta plotësojmë në të gjitha institucionet, segmentet e këtij shteti. Në mënyrë jo të shpeshtë, por sigurisht ndodh që individë që kanë studiuar në universitet më të mira, që kanë bërë një seri punimesh shkencore me një impakt të madh i gjejnë dyert të mbyllura. Është e domosdoshme që një akt i veçantë të parashikojë të gjitha dyert e hapura për ta, në universitet në administratën publike dhe në shërbimin civil . Dhe këto ligje duhet të marrin detyrimisht dhe marrin parasysh këtë kriter.


29/08/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›