E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, vlerësim maksimal për reformat ndërmarra nga qeveria

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është vlerësimi më maksimal që u bëhen  reformave të ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit.

Por Kryeministri theksoi se këto vlerësime janë njëkohësisht përgjegjësi shumë e madhe. “Ato as janë dhe as nuk duhet të jenë euforike, por mbeten përgjegjësi shumë e madhe e jona, për të shpejtuar dhe konsoliduar reformat, për të arritur standardet e duhura”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e opozitës për bashkëpunim në reformat për integrim.  “Unë vlerësoj qëndrimin e opozitës, e cila në përputhje me programin e saj, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin për reformat integruese, sepse këto reforma janë aq të mëdha, saqë para tyre, interesat e tjera bëhen dytësore”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se kjo javë është javë historike për NATO-n, por shumë herë më historike për Shqipërinë. “Në datën 3 prill, kryetarët e shteteve dhe qeverive të 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut votojnë, me shpresën tonë më të madhe, që Shqipëria të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.”, u shpreh Kryeministri.  Ai tha se kjo përbën ngjarjen më të madhe politike për Shqipërinë që nga vendosja e pluralizmit politik, si dhe zhvillimin  më historik në fushën e sigurisë së saj, që nga shpallja e pavarësisë deri më sot.

Ky proces, theksoi Kryeministri, vjen pas një përpjekje të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas një bashkëpunimi të ngushtë 16 vjeçar, luajal, në të gjitha fushat. “Kjo është rrjedhojë e transformimeve të mëdha të Shqipërisë gjatë këtyre viteve, nga vendi i sistemit totalitar dhe i hiperkolektivizmit total, në vendin e demokracisë funksionuese dhe  ekonomisë së tregut,  nga vendi bunker, në vendin e një ushtrie që merr pjesë në të gjitha operacionet e NATO-s”, vijoi Kryeministri Berisha.

Kryeministri vuri në dukje meritën e madhe që kanë të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e reformave të thella të këtij vendi, duke nënvizuar se këto reforma kanë pasur rol përcaktues dhe bënë që Shqipëria, për herë të parë në rrugën e saj të pluralizmit, të deklarohet si vend frymëzues nga 27 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur pardje në Slloveni.

“Ky ishte vlerësimi më maksimal që u bëhen reformave të këtij vendi, të ndërmarra gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit. Ky vlerësim i progresit të Shqipërisë, si një progres frymëzues për vende të tjera të rajonit, është një garanci si për ftesën e datës 3 prill, ashtu edhe për shpejtimin e të gjitha hapave të tjerë në projektet tona të mëdha, integrimin në NATO dhe integrimin në BE.”, tha Kryeministri.

Vlerësimet për reformat, theksoi Kryeministri, janë pozitive nga të gjitha anët. Katër ditë më parë, Presidenti amerikan Xhorxh Bush deklaroi publikisht mbështetjen për ftesën për Shqipërinë. Këtë qëndrim ripërsëriti dhe  Sekretarja e Shtetit Rise. Në të njëjtën kohë, erdhi dhe deklarata e Këshillit të Ministrave të BE-së, me vlerësimin më pozitiv për reformat e ndërmarra.

Ftesa për në NATO është një fillim i madh, nuk është një fund, vijoi Kryeministri, ndërsa u shpreh se në shtator të vitit 2005, nuk mund të mendohej se kjo ditë do të ishte kaq e afërt.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›