E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Krizën ekonomike europiane ta shndërrojmë në mundësi të re për vendin, ta bëjmë më tërheqësin për investimet

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm, në përfundimin e rikonstruksionit të mjediseve të brendshme të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, një investim me vlerë 60 milionë lekë.

Kryeministri vizitoi mjediset e rikonstruktuara: Sekretarinë Dixhitale e Informatiziuar, që i krijon studentëve, mundësinë, të marrin rezultatet e të dhënat në mënyrë elektronike; tre laboratorë të rinj informatike dhe interaktivë të mësimdhënies, ku mundësohet edhe mësimi me vidiokonferencë për studimin në distance; Shkolla e re e Doktoraturës, me funksione të dixhitalizuara, ku mbrojta e disertacioneve të doktorantëve do të jepet online në faqen web të Fakultetit dhe sallat për Shkollën Master.

Kryeministri e konsideroi këtë, një investim shumë të rëndësishëm që modernizon procesin e mësimdhënies, mbi bazën e teknologjisë së informacionit.

Kryeministri e vlerësoi Fakultetin Ekonomik gjenerator të ideve, koncepteve dhe i mendimit ekonomik, me një rol vendimtar në zhvillimin e ekonomisë në veçanti dhe vendit në tërësi. “Me angazhimin tuaj, të stafeve akademike, me reformat e thella, - tha Kryeministri - këtë krizë ekonomike europiane, ne do ta shndërrojmë në një mundësi të re për ekonominë shqiptare, do të bëjmë gjithçka që çdo muaj, çdo vit ta bëjmë këtë vend, më tërheqës për investimet dhe investitorët, do të bëjmë gjithçka që çdo investitor të ketë në Shqipëri, një histori të vërtetë suksesi dhe ata, ju presin juve, mendjet, vizionin dhe idetë tuaja, për të shndërruar në realitet, projektet e tyre.”

Ndërsa e konsideroi një arritje të madhe për shoqërinë shqiptare mbitrefishimin e numri të studentëve, Kryeministri tha se ky zhvillim i shpejtë nxjerr problemin e cilësisë. Rritja e cilësisë, tha Kryeministri, ka kusht më kryesor lirinë akademike dhe autonominë e universiteteve. Ndaj qeveria do të bëjë gjithçka për konsolidimin e mëtejshëm të autonomisë universitare dhe zgjerimin më të madh të lirisë akademike, të lirisë së debatit dhe të lirisë së  kërkimit shkencor. Ministria e Arsimit do të nisë së shpejti një diskutim me rektorin e dekanët, për të  shtuar numrin e pedagogëve në fakultete.

Fjala e Kryeministrit në Fakultetin Ekonomik.

“Së pari, dua t’ju falenderoj përzemërsisht për ftesën, por, mbi të gjitha, për kënaqësinë e madhe që më dhatë me transformimin shumë të madh që ju i keni bërë këtij Fakulteti, veprimtarinë e të cilit, me një investim modest rreth 60 milion lekë, e keni vendosur mbi baza dixhitale dhe të teknologjisë së informacionit. Dua të përshëndes e të përgëzoj pedagogët e drejtuesit e tij, rektorin Dhori Kule, sepse është e vërtetë se këto dy dekada, Fakulteti Ekonomik ka qenë në krye të përpjekjeve të botës universitare shqiptare, për reformim e modernizim. Sot, ju jeni Fakulteti më i madh i vendit. Ju keni mbi 9 9496 studentë, rreth 3 mijë studentë më shumë, sa kishte Universiteti i Tiranës, në kohën kur unë jepja mësim.

Sot, ju studioni në degë të ndryshme, përgatiteni në master, në doktoraturë. Në tërësi, Fakulteti Ekonomik, si gjenerator i ideve, koncepteve dhe i mendimit ekonomik, ka një rol jetik, vendimtar në zhvillimin e vendit në tërësi dhe ekonomisë në veçanti. Ekonomia e tregut është para së gjithash, ekonomi që bazohet në dije. Është dija dhe vetëm ajo që i jep mundësi ekonomisë të krijojë vlera të shtuara në veprimtarinë e saj. Sot, ju jeni 9 mijë studentë dhe ky është zhvillim shumë pozitiv. Të mos harrojmë se nevojat për vajza e djem, burra e gra të shkolluar, të pajisur me njohuritë më të mira në këtë fushë, janë dhjetëra herë më të mëdha. Ndaj ju uroj juve, pedagogët tuaj dhe ju garantoj se do të keni mbështetje të fuqishme.

Ministria e Arsimit do të nisë së shpejti një diskutim me rektorin e dekanët, në mënyrë që të shtojmë një numër të madh pedagogësh në mësimdhënie, në fakultetet e universitetet tona. Ne do të bëjmë gjithçka që në këto fakultete, në sistemin arsimor në tërësi, të rendim me shpejtësi drejt garës së cilësisë. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të pajiseni me laboratorë, mjete, libraritë e bibliotekat më moderne.

Në një hark të shkurtër kohor, rezultatet janë të prekshme. Në rast se në vitin 2005, ne kishim 52 mijë studentë, sot kemi 162 mijë. Sot janë 162 mijë projekte, ëndrra të të rinjve shqiptarë që shndërrohen në realitet, në auditorët e universiteteve tona. Kjo është një arritje e madhe e shoqërisë shqiptare, një arritje  e madhe e kombit shqiptar. Natyrisht, ky zhvillim i shpejtë nxjerr në mënyrë të padiskutueshme, problemet e cilësisë. Me shkallën e lartë të përgatitjes së pedagogëve, me eksperiencën e tyre të shkëlqyer, me mekanizmat që ata kanë vendosur në funksionimin e Fakultetit dhe vullnetin tuaj, ne do të bëjmë gjithçka që cilësia në universitetit tonë të vijë gjithnjë në rritje. Kushti më kryesor i rritjes së cilësisë në universitete është liria akademike, autonomia e universiteteve. Ndaj jam këtu, për t’ju garantuar se qeveria do të bëjë gjithçka për konsolidimin mëtejshëm të autonomisë suaj, për zgjerimin më të madh të lirisë akademike, të lirisë së debatit dhe të lirisë së  kërkimit shkencor.

Studente e studentë,

Këto vite kanë qenë vite të një krize botërore të paprecedentë, në 80 vitet e fundit. Kjo është një krizë shumëplanesh. Një aspekt i saj është monedha e evropiane e përbashkët, euro, por e vërteta është se në themel, kriza ka cenimin e konkurrencës dhe efektin e globalizmit. Globalizmi ishte nj nga risitë më madhore që solli botën e lirë, por, ndërkohë, ai u shndërrua në një faktor të rëndësishëm, diktues, në shumë e shumë rrafshe. Po të bëni një vështrim të sistemit kapitalist, sot dhe të ktheheni tek Adam Smith, të duket se Skocia e tij dhe ishulli, ku ai shkroi librin, ishte vërtet një ishull i vogël kapitalist, ndërsa sot, bota është më kapitaliste se kurrë. Kapitalizmi në botë, sot ka përmasat më gjigande, është më i fuqishëm dhe gjeneron çdo ditë, të mira për qytetarët e shoqërinë. Kriza e vendeve të zhvilluara të perëndimit lidhet me disa tejkalime të mëdha të tregut, të diktuara nga politika të gabuara. Është krizë që lidhet gjithashtu, me mospërshtatjen dhe efektet e mëdha të globalizmit.

Megjithëse ekonomia shqiptare është një ndër ekonomitë e vogla të Europës, ajo ia doli këto vite, t’i rezistojë kësaj krize të madh dhe ia doli jo se Shqipëria pati shpërthime gjigande gazi apo nafte, apo se u gjendën miniera ari, por, sepse ekonomia shqiptare është e bazuar kryekëput në lirinë ekonomike, sepse është bërë një përpjekje e madhe për të hequr sa më shuam nga burokracitë mbi biznesin. Ekonomia shqiptare është e bazuar në lirinë e gjerë ekonomike, sepse ka vendosur barrën fiskale ndër më të ulëtit në Europë dhe sepse ka krijuar mjedisin më të favorshme për investitorët vendas e të huaj. Kjo është arsyeja që në këto vite, - vite të recesionit të madh, siç po i quajnë, sepse nuk duan t’i krahasojnë me vitet e rënda të depresionit 90 vjet më parë, - ekonomia shqiptare nuk ra në krizë, nuk ra në recesion. Unë jam i bindur se me angazhimin tuaj, me angazhimin e stafeve akademike, me reformat e thella, këtë krizë evropiane, ne do ta shndërrojmë në një mundësi të re për ekonominë shqiptare, do të bëjmë gjithçka që çdo muaj, çdo vit ta bëjmë këtë vend, më tërheqës për investimet dhe investitorët, do të bëjmë gjithçka që çdo investitor të ketë në Shqipëri, një histori të vërtetë suksesi dhe ata, ju presin juve, mendjet, vizionin dhe idetë tuaja, për të shndërruar në realitet, projektet e tyre.

Edhe një herë shumë suksese. Zoti rektor, sa më shpejt duhet të fillojë ndërtimi i kampusit. Dua të përgëzoj edhe dekanin e Fakultetit Ekonomik, sepse, me ristrukturimin që i keni bërë Fakultetit, keni vendosur një bazë të re, të shkëlqyer. Unë u impresionova shumë dhe gjeta studentë që kishin mundësi të kërkonin në internet, qindra e mijëra tituj studimesh e kërkimesh. Fantazia e imagjinata juaj shkojnë në një univers të ri.”


31/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›