Kryeministri Berisha: Pavarësia e enteve rregullatorë, kusht vendimtar për përmbushjen e misionit të tyre
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në Konferencën e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me temë "Ritheksimi i Pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Sektorit Financiar”
Kryeministri Berisha në fjalën e mbajtur përshëndeti Autoritetin për punën që bën dhe shprehu vlerësimet e qeverisë shqiptare për këtë ent rregullator, por dhe për entet rregullatorë në tërësi si dhe theksoi se konsolidimi i tyre mbi baza të forta ligjore është rruga më e sigurt për garantimin e lirisë së tregut për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptar.
Kryeministri theksoi se, një tipar nga i cili qytetarët shqiptarë duhet të shkëputen është indiferenca e shqiptarëve ndaj rrezikut, e cila theksoi ai, është një trashëgimi jo e favorshme. “ Ndaj dhe është e domosdoshme një punë intensive për edukimin e qytetarëve, mbi përshtatjen e një qëndrimi të ri ndaj sigurimit të veprimtarisë së tyre, të pasurisë së tyre, të shëndetit të tyre, të jetës së tyre, sigurimeve në tërësi”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se, pavarësia e enteve rregullatorë përbën kushtin më vendimtar të funksionimit të tyre dhe të përmbushjes së misionit duke vlerësuar gjithashtu se kjo pavarësi është natyrisht përgjegjshmëri më e madhe e tyre ndaj ligjit, tregut dhe konsumatorit, duke theksuar këtu se nëse ka një ndërhyrje të dëmshme , ajo është natyrisht e politikës.
Gjithashtu kryeministri në fjalën e tij u ndal edhe tek një sektor tjetër i këtyre tregjeve te ai i fondeve të pensioneve për të cilin u shpreh se, po mbetet pothuajse i fjetur dhe kjo,- tha ai -, jo për shkak të Autoritetit, por për shkak tërësisht të ligjvënësit. Në këtë kuadër kryeministri tha se, reforma e pensioneve është e përgatitur, por për fat të keq ajo ka dy tre vite që ndodhet në sirtar, pasi opozita refuzon ta votojë atë. Në këtë kontekst ai shprehu vendosmërinë për të negociuar dhe për të zhvilluar një dialog konstruktiv me opozitë, në mënyrë që kjo reformë të miratohet në interesin më të mirë së pari të qytetarëve shqiptarë.
Në fjalën e mbajtur në këtë Konferencë kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar Ministër i Financave
I nderuar ambasador Sequi
I nderuar drejtor i USAID për Shqipërinë
Të nderuar miq dhe të ftuar në këtë konferencë, kushtuar Pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Tregjeve Financiare jo Bankare,
Së pari shfrytëzoj rastin të përshëndes përzemërsisht punonjësit e këtij institucioni relativisht të ri në moshë, por serioz, të përkushtuar në njërën prej fushave më të rëndësishme të tregjeve në tërësi, atë të tregjeve financiare jo bankare. Në një hark kohor të shkurtër Autoriteti Rregullator i këtyre tregjeve, ia ka dalë të veprojë aktivisht në interesin më të mirë të konsumatorëve dhe të tregjeve të tilla. Ia ka dalë të ndikojë në zhvillimin e tyre, si një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm i zhvillimit të tregut dhe vendit në tërësi. Në aktivitetin e vetë, Autoriteti ka ndeshur dhe ndeshet me vështirësi jo të pakta. Tradita e shkurtër është njëri faktor por dhe kufizimet e diktuara nga ndërhyrja apo rrethana të caktuar janë një faktor tjetër. Duhet të pranojmë se, në Shqipëri zhvillimi i tregut financiar jo bankar është i lidhur ngushtësisht me edukimin e qytetarëve për domosdoshmërinë e aksesit të tyre në këtë treg. Nuk duhet të harrojmë, një tipar nga i cili ne duhet të shkëputemi. Indiferenca e shqiptarëve ndaj rrezikut është një trashëgimi jo e favorshme. Ndaj dhe është e domosdoshme një punë intensive për edukimin e qytetarëve mbi përshtatjen e një qëndrimi të ri ndaj sigurimit të veprimtarisë së tyre, të pasurisë së tyre, të shëndetit të tyre, të jetës së tyre, sigurimeve në tërësi. Pra një ndikim të fuqishëm në treg do të mund të arrihet në një përpjekje të madhe për edukimin financiar, për kulturën financiare dhe atë të sigurimeve për shoqërinë shqiptare. Nuk ka mëdyshje se pavarësia e enteve rregullatorë përbën kushtin më vendimtar të funksionimit të tyre dhe të përmbushjes së misionit. Kjo pavarësi është natyrisht përgjegjshmëri më e madhe e tyre, ndaj ligjit, tregut dhe konsumatorit. Historia fakton se ndërhyrje të tjera, përveç enteve, janë problematike dhe nuk ndihmojnë aspak, por kriza e fundit financiare botërore dëshmon se sistemet rregullatorë ishin ato të cilat falimentuan . Ç’ ishte kjo krizë në rrafshin rregullator? Në rrafshin rregullator kjo krizë ishte kolaps i sistemeve rregullatorë, të cilat bazoheshin në dhjetëra faqe e ligje të miratuara në këto vende. Ndaj dhe leksioni i madh i kësaj krize është pavarësia më e madhe e këtyre institucioneve, është zbatimi rigoroz jashtë çdo ndërhyrje të ligjeve mbi të cilat ato bazojnë veprimtarinë.
Në qofte se ka një ndërhyrje të dëmshme , ajo është natyrisht e politikës. Nuk mundet politika të marrë funksione rregullatore, sa here i merr përsipër i ka përkeqësuar dhe më shumë. Fukujama thotë se në çdo shoqëri, elitat me aksesin e tyre epror në instanca ndikojnë fuqishëm në interesat e tyre. Ndaj dhe në këtë kontekst entet rregullatorë duhet të bëjnë gjithçka për ti rezistuar në interesin më të mirë të konkurrencës, të tregut, të konsumatorit, elitave të fushës ku ato rregullojnë. Natyrisht interesi i këtyre elitave është zgjerimi i tregut, por problemi është se kur bëhet fjalë për konkurrencën e lirë, apo për disa rregulla të tjera interesat i kërkojnë. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që të mbahet parasysh ky leksion, i cili është kusht për të garantuar konkurrencën e lirë në këto tregje delikate, e të ndjeshme, por jetike për një shoqëri të lirë.
Qeveria ka një filozofi , filozofia e saj është qeverisje e vogël. Kjo filozofi ka kostot e veta ka edhe anët pozitive. Por natyrisht përbën një model të padiskutueshëm qeverisje. Sot ne renditemi në njërën prej dhjetë administratave më të vogla në botë, të proporcionuara dhe kjo bën që institucionet tona të jenë modeste në përmasa por sidoqoftë unë do tu garantoj se ligjet e hartuara do të kalojnë në kohën më të shkurtër në qeveri dhe do ti kalojnë parlamentit dhe brenda konceptit të qeverisjes së vogël, qeveria dhe ligjvënësi do të dëshmojë bujarinë më të madhe ndaj Autoritetit rregullator të tregjeve financiare jo bankare. Një sektor tjetër i këtyre tregjeve që po mbetet pothuajse i fjetur është dhe ai i fondeve të pensioneve dhe kjo jo për shkak të Autoritetit. Kjo për shkak tërësisht të ligjvënësit. Reforma e pensioneve është e përgatitur dhe ne jemi të hapur, ne kemi ligjin dhe të gjitha vendimet për shtyllën e tretë, funksionimin e saj, por ka një hezitim dhe ky hezitim kapërcehet nëpërmjet një seri stimujsh, praktikash të reja që duhet të instalohen. Për fat të keq reforma e pensioneve ka dy tre vite që ndodhet në sirtar, kjo sepse opozita refuzon, ndonëse ka pranuar tekstin që ta votojë, por kjo është një reformë që duhet të qëndrojë në fuqi shumë dekada dhe vendosja në mënyrë të njëanshme e saj, krijon një pasiguri të panevojshme, ndaj dhe ne jemi të vendosur me durim të negociojmë, të bëjmë një dialog konstruktiv me opozitën, në mënyrë që kjo të miratohet në interesin më të mirë, së pari të qytetarëve shqiptarë.
Dhe njëherë dua t’ju përshëndes për punën që bëni e t’ju siguroj se qeveria ka vlerësimin më të madh, për këtë ent rregullator dhe për entet rregullatorë në tërësi. Konsolidimi i tyre mbi baza të forta ligjore është rruga më e sigurt për garantimin e lirisë së tregut për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë.
Faleminderit.
31/10/2012