E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ftoj të gjithë shqiptarët që ky muaj dhe ky vit të jetë një vit bashkimi rreth idealit tonë kombëtar, pavarësisht kundërshtive dhe diversitetit

-          Kontributi i historianëve, studiuesve e qytetarëve shqiptarë, kudo që ata ndodhen e shndërroi këtë vit, në vitin e të vërtetave historike kombëtare të shqiptarëve

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e Komitetit Shtetëror të kremtimeve të  100 vjetorit të pavarësisë falënderoi dhe shprehu mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, studiuesve, personaliteteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë dhe kudo, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në nderimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, si dhe në shndërrimin e këtij viti në vitin e të vërtetave historike kombëtare të shqiptarëve.

Kryeministri vlerësoi se “ky vit ka meritën e madhe të hapjes së një debati të paprecedent në të gjitha rrethet shkencore, publicistike dhe më gjerë për problemet e mëdha historike të kombit këto 100 vjet.” Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se këto debate i kanë shërbyer lartësimit të zhvillimeve historike përgjatë  100 viteve, duke lënë jashtë, glorifikimin folklorik dhe nihilizimin.

Kryeministri propozoi gjatë kësaj mbledhje që për të përjetësuar 100 vjetorin e pavarësisë, dy veprat publike me rëndësi kombëtare, Tuneli Tiranë-Elbasan dhe Autostrada Levan-Fier, të pagëzohen me emrat “Tuneli 100 vjetorit të pavarësisë” dhe “Autostrada 100 vjetori i pavarësisë”

Kryeministri ritheksoi se pretendimet se po krijohet rivalitet me Vlorës dhe Tiranës, për sa i përket kremtimeve të 100 vjetorit, janë të pabazura dhe naive. Kryeministri bëri të ditur se në të dyja qytetet janë programuar një seri aktivitetesh, të cilat do të bashkojnë shqiptarët në përkujtimin e ngjarjes së tyre historike, më të rëndësishme.  

Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar anëtarë të komitetit shtetëror të festimeve të kremtimit të  100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Së pari, dëshiroj që në emrin tuaj të falënderoj përzemërsisht, të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë, studiuesve, personaliteteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë dhe kudo, për angazhimin e tyre, për përkushtimin e tyre në nderimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, por mbi të gjitha në shndërrimin e këtij viti në vitin e të vërtetave historike kombëtare të shqiptarëve, pasi për fatin tonë, jo të mirë, ne erdhëm ne këtë 100 vjetor si një komb me histori për dekada e dekada të ndaluar, në disa pjesë të kombit, me histori të falsifikuar në mënyrën më të përçudnuar dhe natyrshëm më një histori të rralluar inekstremis, të mbushur me pseudongjarje dhe pseudopersonalitete si asnjë vend apo komb tjetër. Por për çdo komb të qytetëruar, historia dhe e vërteta historike janë një e vërtetë e veçantë. Historia dhe politika janë një binom i pandarë. Historia në vetvete është përshkrim i politikës së djeshme, por politika është historia  e sotme dhe ata që mendojnë se disinteresi për historinë ia vlen, gabojnë shumë rëndë. Natyrisht njëra përshkruan, tjetra është doktrinë e veprimit dhe mendimit universal, por janë absolutisht të pazgjidhshme njëra me tjetrën dhe politika nuk mund të ndërtohet pa rrënjët e saj në histori, pa mësimet e saj nga historia.

Ky vit ka meritën e madhe se ngjalli një debat të paprecedent në të gjitha rrethet shkencore publicistike dhe më gjerë për problemet e mëdha historike të kombit këto 100 vjet. Në tërësi këto debate i kanë shërbyer shumë nxjerrjes në piedestal të të vërtetave ose zhvillimeve historike në vërtetësinë  e tyre këto 100 vite, jashtë glorifikimit absolut folklorik dhe nihilizimit primitiv të bazuar në një seri qëndrimesh tërsisht atavike. Studiues të ndryshëm janë angazhuar dhe kanë shkruar kryevepra të llojit të vet për aspekte te caktuara, për zhvillime të këtyre 100 viteve te fundit. Kanë bërë botime auorësh të huaj dhe vendas të cilët kanë rrëzuar malin  e ideologjisë hoxhiste që qëndronte për fat të keq, sërish në arenën e saj. Historia kuptohet në mënyrën më rudimentare, nëse për të lartësuar një personalitet zgjedh si rrugë mohimin  e kundërshtarëve të tij apo personalitete të tjera dhe ky ishte rregulli i hoxhizmit.

Janë botuar studime ndër me seriozet, janë ndërmarrë konferenca, polemika në media dhe mund të themi se koncepti historik për këto 100 vite nuk mund te jetë kurrë më siç ishte para këtij viti. Do të jetë një koncept shumë më i afërt me të vërteta shqiptare 100 vjeçare.

Natyrisht ky është një proces dhe nuk të mendohet se u kompletua, por fillimi është i ndershëm, është shumë inkurajues, sepse e thashë dhe njëherë se ne kemi qenë komb i historisë së ndaluar, i historisë së injoruar, i historisë së falsifikuar si asnjë komb tjetër. Në tërësi tani bashkohen faktet, bashkohen në dokumenta, dallojnë interpretimet, por ky do të jetë një proces i gjatë.

Po ndiqja një debat televiziv dhe dëgjoja kur njëri nga debatuesit i drejtohej zotit Plasarit, “u thuaj shqiptarëve –thoshte – “pse deshën ta ndalonin Ismail Qemalin”. Së pari, është e vërtetë, po kush donte ta ndalonte? Donin të huajt, sepse një nga pikat e Komitetit ishte zgjerimi në maksimum i kufijve të Shqipërisë. Është e vërtetë që aty parashikohej një Princ i një perandorie që çdo ditë po binte poshtë e më poshtë, por është e vërtetë që ky burrë vigan ngriti flamurin në Vlorë dhe nuk kishte kufij të shtetit të përcaktuara dhe kjo ishte një betejë që këto kufij të ishin në hapësirat më të mëdha të mundshme të territoreve shqiptare. Sigurisht që donin ta arrestonin sepse donin ti përcaktonin ata (fuqitë e huaja) kufijtë  e Shqipërisë, ti përgjysmonin, ti bënin siç e bënë.

Ky vit ka qenë viti i debatit të madh dhe ka botime të shkëlqyera. Do të ketë dhe botime të tjera më të mira. Gjithçka në histori interpretohet mbi bazën e politikes së kohës dhe politika e asaj kohe dominohej nga fuqitë kolonialiste. Këto, që sot janë vendet më demokratike të botës, asokohe ishin fuqitë më të pamëshira kolonialiste dhe çështja e copëtimeve, e ndarjeve dhe shpërblimeve me territore dhe kombe ishte një normë e asaj kohe. Nuk kishte as Lidhje Kombesh, as OSBE, as Këshill Evrope, as gjykata ndërkombëtare. Më i fuqishmi ishte ligji, ishte rendi, ishte drejtësia dhe po ti shohim në këtë këndvështrim kuptohen më mirë qëndrimet  e asaj kohe dhe të kohës në vazhdim.

Duhet të falënderoj të gjitha ata që u angazhuan dhe janë të angazhuar të ndriçojnë me dritën e së vërtetës dhe jashtë glorifikimeve absurde zhvillimet gjatë këtyre 100 viteve. Ne kemi shumë nevojë për historinë tonë të vërtetë. Ne kemi shumë nevojë ta kuptojmë dhe interpretojmë siç duhet atë, në kontekstin e saj sepse pavarësisht nga paudhësitë  e mëdha që kemi përjetuar, kur kujtojmë se 100 vjet më parë ne ishin në alternativën të jemi apo të mos jemi dhe sot jemi anëtarë të NATO-s. Pardje, Presidenti Nikoliç, kishte zbritur në Tetovë për të festuar fillimin  e betejës së barbarive më të mëdha kundër shqiptarëve. Shqiptarët, qershorin që vjen do të festojnë bashkë me popujt  e tjerë të Ballkanit, Kumanovën e fundit të shekullit, e vitit ‘99, e cila çbëri Kumanovën e 100 viteve më parë. Ne duhet të dalim nga legjenda dhe folklori, por të vërtetat tona historike duhet ti përdorim për të ndërtuar të ardhmen. Jam i bindur se është dhënë një kontribut shumë i madh dhe ky kontribut është në vazhdim. Edhe në aparencë, fakti që e festojmë në Shqipëri, e festojmë në Maqedoni, e festojmë në Kosovë dhe kudo që jemi, edhe ky fakt përbën një ogur të bardhë për kombin. Vendosja në piedestalin e tyre të ngjarjeve që ishin skajuar. Sepse historinë të tillë e kemi ne, me rënie të thella, por dhe me ngjitje ndër më të fuqishmet. Po të hedhesh vështrimin ne histori nga 1912 deri në 1920, në tryezat  e fuqive të mëdha nuk kishte gjë tjetër, veçse plane se si ta copëtonin më shumë Shqipërinë. në 1920 doli një qeveri shqiptare dhe tha “absolutisht jo, se zotër të këtij territori jemi ne”. Ajo ishte një mrekulli, por këto mrekulli janë përsëritur në mënyra periodike në histori. Unë nuk them se historia jonë është një mrekulli. Ajo është një njerkë e vërtetë me shumë ligësi ndaj nesh, por prapë se prapë, lavdi Zotit ne jemi të lirë, jemi anëtarë të NATO-s dhe po ndërtojmë të ardhmen.

Një falënderim qytetarëve, të cilët e përjetojnë në ndërgjegjen e tyre kombëtare dhe qytetare këtë 100 vjetor si një arritje të çdo shqiptari, si kontribut dhe përpjekje personale të gjithsecilit. Natyrisht, nëntori është dhe muaji final i veprimtarive më intensive. Kritika ka, pasi mund të ketë një vonim në disa momente. Mund të jenë të drejta, por  e vërteta është se kritikat bëhen më shumë për shkëlqimin dhe shkëlqimi nuk zgjat shumë dhe këtë duhet ta kemi parasysh. Një dekor i ndërtuar para kohe e ka të vështirë të rezistojë në momentin që duhet të rezistojë. Por veprimtaritë kanë qenë intensive, kanë qenë të shumëanshme, kanë qenë brenda dhe jashtë vendit dhe unë dua ti përgëzoj të gjithë përfshi edhe ekspozitën e Artan Lames në Parlamentin Evropian. Do të kisha dashur ta përgëzoja Edi Ramën, ia u them me sinqeritet, por nuk e përgëzoj se në Parlamentin Evropian nuk foli për Ismail Qemalin apo për Hasan Prishtinën, por e nisi dhe e sosi fjalimin me Sali Berishën, duke më nderuar mua, por duke turpëruar veten. Nuk e botoi dot në shtypin e tij fjalën. Ajo është reklama më e mirë që më bën mua. Hap ekspozita për Ismail Qemalin dhe flet për mua.

Sot po, do ta përgëzoj. Sepse u bashkua me nismën e militantëve të mi në Vlorë të ngremë një flamur. Kjo qëndron dhe unë bashkohem me nismën e demokratëve të Vlorës, të zotit Rama dhe të gjithë shqiptarëve që nëntorin ta shndërrojmë në muajin e Flamurit. Të nxjerrim një flamur në dritaret tona. Kemi një flamur më të bukurit se cdo vend tjetër, dekoron  dhe zbukuron çdo qoshe, çdo detaj, çdo pemë dhe kudo që ndodhet. Ndaj dhe e vlerësoj dhe këtë thirrje që bëri sot në sintonmi të plotë me degën e PD-së në Vlorë dhe e siguroj që do të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të valëvisin gjatë këtij muaji sa më shumë flamuj.

Të nderuar anëtarë të komitetit të kremtimit të 100 vjetorit,

Në disa projekte janë konkretizuar monumente dhe vepra për të nderuar ngjarje dhe personalitete të së shkuarës, sërish ka mangësi dhe ky proces uroj që të vazhdojë. Në mbledhjen tjetër theksova se është i domosdoshëm Monumenti i të rënëve në Kosovë, luftëtarëve të lirisë në Kosovë. Liria kombëtare është një dhe e pandarë. Ndaj dhe ky monument duhet që brenda qershorit të vitit që vjen të jetë i përfunduar dhe po kështu edhe për luftëtarët e lirisë në Maqedoni. Nuk mundet të mos ketë  një përmendore autori i himnit kombëtar Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni). Ai na ka dhënë një himn të bukur, ai është një nga himnet më unike, i përkushtohet flamurit, është apoteoza e flamurit. E nderojnë në fshatin e tij , por duhet ta nderojë qyteti i Korçës. Edhe në Tiranë duhet të ketë një shkollë me emrin e tij. Në harrese është dhe gjeniu autodidakt i ilindjes shqiptare Josif Bageri, një nga personalitet më të rralla të Rilindjes sonë, por i harruar. Të mos harrojmë se ortodoksit e Rekës kanë qenë pjesë parësore  e kombit shqiptar dhe ata kanë qenë në një trysni të gjatë, të gjithanshme, për arsimin, por genet janë gene. Funksionon në Maqedoni shoqata “Josif Bageri”. Poezitë e tij janë ndër më të bukurat. Elegjia e tij për Naim Frashërin është një himn i vërtetë. Unë mora rastin e Josif Bagerit, i cili nga nje figurë e rëndësishme kombëtare, mbeti i skajuar dhe duhet të vendoset krahas rilindësve të tjerë në piedestalin që meriton. Ai ishte autodidakt, por ishte gjeni, ishte një nga kalorësit, dashnorët më të zjarrtë të gjuhës shqipe në atë kohë. Edhe ne programe duhet të shihet sepse ka shumë mundësi të jetë i injoruar. Nuk është në vendin që i takon as  Iljaz Pashë Dibra, i cili priu në vendin e tij. Ne nuk kemi një panteon, në të ardhmen duhet ta parashikojmë, por ata duhet të jenë ne mendjen dhe ne zemrën e të gjithë shqiptarëve.

Shekulli është shekull dhe përsëritet vetëm pas 100 viteve. Prandaj dhe për të përjetësuar këtë 100 vjetor propozoj që tuneli Tiranë- Elbasan të marrë emrin “Tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë”. Autostrada Levan-Fier të marrë emrin “Autostrada 100 vjetori i pavarësisë. Ne kishim parashikuar vepra të tjera, por natyrisht rëndësia kombëtare  e Tuneli i tejkalon të gjitha ato. Dhe unë mendoj që këto dy vepra të pagëzohen në shekullin e pavarësisë dhe janë të dyja vepra dinjitoze. Te mos harrojmë rrugën që kanë bërë 100 vjet më parë këta burra për të arritur deri në Vlorë dhe sot ky është një nga segmentet më të bukura të Shqipërisë dhe rajonit.

Unë ftoj të gjithë shqiptarët që ky muaj dhe ky vit të jetë një vit bashkimi rreth idealit tonë kombëtar. Kundërshtitë, diversiteti janë gjenerator i çlirimit të energjisë dhe zhvillimit, por ky muaj duhet të jetë muaji i bashkimit, i nderimit së bashku.

Unë jam shumë i çuditur nga disa pretendime, të cilat janë jashtë çdo lloj realiteti. Ideja se po krijohet rivalitet mes Tiranës dhe Vlorës është një ide shumë naive, për të mos thënë më shumë. Vlora është qyteti ku u shpall pavarësia dhe kremtimi i 100 vjetorit bëhet sigurisht në Vlorë, por Tirana është kryeqyteti dhe ne nuk mund të mbajmë një qëndrim tjetër. Janë ftuar shumë miq. Sigurisht që do të jenë në Vlorë, por do të kremtojnë në Tiranë. Ne rast se është çështja për fondet, nuk them se kanë qene fonde të mjaftueshme, por bashkisë së Vlorës i është dhënë dyfishi i fondeve që i janë dhënë Bashkisë së Tiranës dhe prapë e garantoj se ato që janë premtuar do të lëvrohen.

Kam përgëzuar iniciativa siç ka qenë për shembull inisiativa për një shtatore tjetër, aty ka një shtatore, në Ansamblin e Pavarësisë, Ismail Qemali është figurë qendrore. Kryetari i bashkisë gjykoi se duhet të ketë edhe një shtatore të vecantë të shkëputur nga të tjerët. Po kështu edhe rrethet e tjera kanë shprehur dëshirën, ne i mbështesim dhe në raste të veçanta edhe financiarisht aty ku mundemi, por përsa i përket festimeve, bashkisë së Tiranës i është dhënë gjysma e asaj që i është akorduar deri tani Bashkisë së Vlorës.Dhe serish theksoj se ato që janë premtuar do të mbahen. Nuk është mirë të përdoren selitë sepse shkon ai në seli, por problemi është se një pjesë e qytetarëve vlonjatë  kanë seli të tjera partiake, ndaj dhe duhet të jemi të vëmendshëm ndaj këtyre veprimeve që bëhen nga pasione partiake.

Ose ideja se është tentuar të shmanget Vlora. Absolutisht që nuk është tentuar kurrë të shmanget Vlora. Natyrisht ka një ngushtim sepse janë shumë delegacione dhe është shumë e vështirë spostimi.

Protokolli ka përcaktuar një koncert të madh në Vlorë me datë 27 në darkë, miting në datën 28 mëngjes dhe ngritje flamuri nga Presidenti i Republikës dhe kthimi në Tiranë. Nëse duan të drekojnë, është në tagrin e tyre. Madje i përgëzoj, ka njerëz që duan të rrinë dhe mund ta bëjnë këtë. Por festimet do vazhdojnë në Tiranë sepse ka një kohë të përcaktuar. Po të ishte Tirana dhe Durrësi do ishte më e thjeshtë, por ja që është distanca më e madhe. 

Pra, ky është rendi, pas kthimit nga Vlora ka një paradë dhe më pas një drekë. Do të zhvillohet inagurimi i monumentit të 100 vjetorit të Pavarësisë, ka gjithashtu koncerte, ndër të cilat një koncert dhe mbledhje solemne në Pallatin e Kongreseve. Një koncert tjetër është në Sheshin “Nënë Tereza” me këngëtarët më të njohur me disa aplikacione me drita, (holograma). Pra, është një përpjekje që ditët 27 dhe 28 nëntor të jenë sa më festive. E theksoj edhe një herë se në datën 25 nëntor festimet do të zhvillohen në Shkup dhe ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Atje do ketë një koncert madhështor në Pallatin e Sportit të Shkupit. Paraditja e datës 27 është në Kosovë, inaugurimi i rrugës, 27-ta pasdite është në Vlorë, 28-ta në mëngjes është në Vlorë dhe pastaj kthimi dhe finalizimi në Tiranë. Është një lloj maratone por e vërteta është se kjo është edhe trajektorja që ka ndjekur pavarësia në ato vite.

Mendoj që nuk është në interes të askujt të politizojë ngjarje të cilat kanë lindur të paktën 80 vjet para lindjes së Partisë Demokratike dhe shumë dekada para lindjes së Partisë Socialiste. Nuk ka nevojë të marrin ngjyra partiake. Duhet të mbeten si ngjarje kombëtare se të tilla janë, çështjet partiake le të shtrihen ne probleme te tjera. Ndaj dhe kjo është ftesa ime dhe jam i bindur se kjo është ftesa e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Për sa i përket publikimit të aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit, Kryeministri Berisha u shpreh: Unë mendoj se nesër duhet të jetë publik kalendari i aktiviteteve, sonte duhet tu japim miratimin përfundimtar këtyre ngjarjeve dhe të publikohet nesër. Njerëzit duhet ta dinë në mënyrë që gjithsecili të parashikojë kohën e tij. Dikush do të jetë i pranishëm në ceremoninë e kthimit të armëve të Skënderbeut më datën 22 nëntor. Dikush tjetër do të marrë pjesë në konferenca apo aktivitete të tjera. Secili duhet të parashikojë kohën e vet. Është  e vërtetë që nëntori është muaji më i ngjeshur, i cili nis me një ngjarje kulmore, vizitën e Sekretares së Shtetit Hillary Klinton, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.


30/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›