E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e ambienteve të reja të prodhimit të Kompanisë farmaceutike Profarma

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të prodhimit të kompanisë farmaceutike shqiptare Profarma sh.a,, një investim i kompanisë gjermane Dermapharm AG Group, prej rreth 30 milionë euro. Me këtë investim, hidhen bazat e një industrie farmaceutike ndër më modernet në rajon e më gjerë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Presidenti i Grupit Dermaphfarm Dr. Feldmaier, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, zonja Holtkamper, Drejtori Ekzekutiv i Profarmës në Shqipëri,, z. Edi Grabocka, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për ftesën që më bëtë dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë juve z. Feldmaier , grupit tuaj, Drejtorit Ekzekutiv zotit Grabocka, të gjithë atyre të cilët në një hark kohor të shkurtër, realizuan këtu investim të rëndësishëm në industrinë farmaceutike, në  historinë e vendit, një investim prej 30 milionë euro, me të cilin hidhen bazat e një industrie farmaceutike ndër më modernet në rajon e më gjerë.

Me këtë investim të kompanisë Dermopharm, Shqipëria shënon një arritje të madhe në këtë industri të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe tregun e çdo vendi. Ky investim realizohet mbi një investim të dikurshëm të viteve 70, por dua të theksoj se ajo uzinë ishte një dështim total, kurse kjo uzinë është një sukses i madh.

Ne jemi shumë të gëzuar që sot nis prodhimin farmaceutik në Shqipëri një kompani gjermane, e vendit të traditës së industrisë kimike dhe farmaceutike ndër më të mëdhatë, më të shkëlqyerat në planet. Kjo fabrikë do të prodhojë rreth 200 lloje barnash e prodhimesh dhe ka punësuar rreth 200 punonjës. Unë dua t’ju garantoj se qeveria ime do të mbështesë fuqishëm çdo ambicie tuajën, të kolegëve tuaj, të kompanive gjermane për të investuar në këtë vend, për të zgjeruar veprimtarinë tuaj, për ta shndërruar Shqipërinë në një qendër rajonale të prodhimeve farmaceutike. Ne kemi bërë dhe do të bëjmë çdo përpjekje për një mjedis sa më miqësor për biznesit dhe investimet. Kemi një nga sistemet fiskale më të favorshme dhe një seri lehtësish të tjera Por, në çdo rast, nuk hezitojmë që të marrim të gjitha masat, në mënyrë që çdo investim në këtë vend të jetë një histori e vërtetë suksesi.

Sot në drekë unë kam pritur një kompani tjetër gjermane, të cilët janë pothuaj në inaugurimin e fillimit të punimeve të një investimi prej rreth 80 milionë euro, në një park i cili do të punësojë rreth 8 mijë shqiptare. Ngjitur me këtë park është Hochtieff, i cili i ka dhënë aq reputacion të mirë aeroportit të vendit.

Ambasadorja njoftoi se në Dhomën e Tregtisë grupohen rreth 45 sipërmarrje gjermane, por ftoj të gjithë anëtarët e Dhomës Tregtare shqiptaro-gjermane të përcaktojë objektiva edhe më ambiciozë në mënyrë që të shkojmë drejt 10 -fishimit të investimeve gjermane në këtë vend.

 Zonja Ambasadore, unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë juve dhe vendit tuaj. Gjatë këtyre 20 viteve, qeveria e vendit tuaj dhe kombi juaj i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve rreth 1 miliardë euro, me të cilat janë realizuar qindra projekte nga veriu në jug të vendit, projekte që kanë ndryshuar në mënyrë cilësore jetën e qytetarëve shqiptare që kanë sjellë një koncept të ri menaxhimi, projekte të cilat janë shtrirë edhe në projekte rajonale. Së shpejti, ne së bashku do të inaugurojmë linjën që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, fillimin e punimeve të linjës së tensionit të lartë që lidh Shqipërinë me Prishtinën.

Këto projekte kanë krijuar një mjedis krejt tjetër jetese jo vetëm për shqiptarët, por ato kanë bërë të mundur që qindra e qindra investitorë, nga të katër anët e botës, të vendosin në Shqipëri projektet dhe ëndrrat e tyre, ti shndërrojnë ato në realitet,.

Ndaj shfrytëzoj rastin edhe njëherë t’ju falënderoj për ndihmën e madhe dhe bujare që kombi dhe qeveria juaj i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë. Këto investime janë një kontribut i madh në ndërtimin e asaj që ne e quajmë Shqipëria evropiane dhe ne kemi të drejtë sepse Shqipëria tjetër ishte vetëm gjeografikisht në Evropë. Ne po e ndërtojmë atë çdo ditë dhe kontributi i miqve tanë, solidariteti I tyre, investimet e tyre, janë të një rëndësie shumë të madhe.

Duke mbyllur këtë fjalë, dua t’ju garantoj ju dhe mbarë investitorët shqiptarë se, qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të konsoliduar klimën më miqësore ndaj biznesit në këtë vend.

Por gjithashtu dua t’ju përcjell një mesazh të veçantë punonjësve të sistemit të shëndetësisë. Duhet të ndiheni krenarë se në një hark kohor më pak se 12 muaj, në Tiranë kemi inauguruar mbi 110 milionë euro investime në spitale ndër më modernet, si spitali amerikan dhe tani vjen kjo uzinë e teknologjisë më të lartë. Të gjitha këto investime janë një mbështetje e fuqishme e madhe në misionin e mjekut, të infermierit, janë gjithashtu një mundësi e madhe për kujdesin shëndetësor të qytetarëve shqiptare. Ndaj me besim të madh le të vazhdojmë me reformat në këtë sektor, në mënyrë që të shënojmë cilësitë me të larta të shërbimit për qytetarët tanë.

Së fundi, zoti Feldmaier, unë nuk mund të mos ju bëj një falënderim të veçantë për logon që keni zgjedhur. Natyrisht, këtë nuk e keni bërë si anëtar i Partisë Demokratike, por jam i sigurt se keni qenë i ndjeshëm ndaj faktit se Kryeministri i vendit është mjek dhe keni zgjedhur një logo që atij I pëlqen shumë.

Faleminderit””. 


30/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›