E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Komunën Bërxullë: Nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar, pa fshat të zhvilluar, pa zhvillim të qëndrueshëm rural

- 1 miliard lekë janë investuar në këtë komune gjatë këtyre viteve në rrugët, shkollat, kopshtet, kanalizimet, dhe projektet e tjera.

-  Qeveria  ka një projekt të qartë për mbarë zonat rurale të vendit dhe ky projekt parashikon gjatë këtij katër vjeçari  2 milion euro investime në të  gjitha zonat  rurale të vendit.

Kryeministri Berisha ishte sot paradite në Komunën Bërxullë,  ku shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar Komunë të koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, Ymer Marku.

Kryeministri vlerësoi kandidaturën e Ymer Markut dhe theksoi se pikërisht me fitoren e tij katër  vjet më parë  nisi dhe transformimi i madh i kësaj komune . Në këtë komunë  gjatë këtyre viteve  janë investuar rreth 1 miliard lekë në rrugët, shkollat, kopshtet, kanalizimet, dhe projektet e tjera, u shpreh kryeministri.

Kryeministri  shprehu   mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen e madhe, të shkëlqyer dhe të vazhdueshme që gratë dhe burrat  fisnikë të kësaj Komune, i kenë  dhënë dhe i japin  Partisë Demokratike.

"Këto vite, tha kryeministri,  ne jemi përqendruar me të gjithë potencialet tona në zhvillimin e qëndrueshëm të fshatrave, komunave , zonave rurale  dhe qyteteve tona. Qeveria  ka një projekt  të qartë për mbarë zonat rurale të vendit dhe ky projekt parashikon  gjatë këtij katër vjeçari  2 milion euro investime në të  gjitha zonat  rurale të vendit.  Nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri  të zhvilluar, pa fshat të zhvilluar, pa zhvillim të qëndrueshëm rural”.

Më pas kryeministri Berisha vizitoi edhe kopshtin e Fshatit Domje, një investim i përfunduar e i financuar nga buxheti i shtetit me vlerë 320 milionë lekë, me 12 klasa, dhoma gjumi, ambiente të tjera argëtimi etj.

Gjatë fjalën e tij kryeministri tha:

Të dashur  banorë të Komunës  Berxullë

Të dashur qytetarë  të kësaj Komune

Vëllezër dhe motra

Zonja dhe zotërinj

Erdha tek ju para së gjithash, për t’ju shprehur ju  mirënjohjen time më të thellë, mirënjohjen e Partisë Demokratike, mirënjohjen e qeverisë, për atë mbështetje të madhe të shkëlqyer, për atë mbështetje  të vazhdueshme që ju gratë dhe burrat  fisnikë të kësaj Komune, i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike.

Erdha këtu, për të paraqitur para jush, kandidat për kryetar Komune zotin Ymer Marku. Me zotin Ymer Marku, katër vjet më parë ne nisëm transformimin e madh të komunës suaj.  Në këtë komunë  gjatë këtyre viteve  janë investuar rreth 1 miliard lekë në rrugët, shkollat, kopshtet, kanalizimet, dhe projektet e tjera.

Unë vij tek ju, për tu dhënë fjalën e nderit se këto katër vite që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të kësaj komune.  Do të garantojmë,  ujë 24 orë për të gjithë banorët e Komunës, do të përfundojmë sistemin e kanalizimeve, do të subvencionojmë çdo rrënjë  ulliri dhe dru frutorë, që ju do të mbillni në tokën tuaj.  Do të investojmë për çdo shkollë dhe kopsht që  ju keni nevojë.

Plani ynë për Bërxullën dhe për çdo Komunë të Shqipërisë, është tu japim atyre infrastrukturë të njëjtë dhe identike me lagjet e qyteteve tona.
Vëllezër dhe motra.

Këto vite ne jemi përqendruar me të gjithë potencialet tona në zhvillimin e qëndrueshëm të fshatrave, komunave , zonave rurale  dhe qyteteve tona.  Potencialet tuaja janë shumë të mëdha. Ajo që ju ka munguar ju, ajo që ju ka ndëshkuar ju, ka qenë mungesa e infrastrukturës.  Ne do të ndërtojmë tek ju dhe kudo  infrastrukturën më moderne.

Qeveria  ka një projekt të qartë për mbarë zonat rurale të vendit dhe ky projekt parashikon gjatë këtij katër vjeçari  2 milion euro investime në të  gjitha zonat  rurale të vendit.  Nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri  të zhvilluar, pa fshat të zhvilluar, pa zhvillim të qëndrueshëm rural.  Por Bërxulla, Domja , kanë një pozicion jashtëzakonisht të favorshëm. Kryetari juaj i  Komunës përmendi këtu parkun industrial.    9 mijë punonjës, specialistë, do të punësohen vetëm në parkun teknologjik që ndodhet disa qindra metra nga qendra e  këtij fshati.  Ndërkohë ne do të bëjmë gjithçka për kualifikimin e vajzave dhe djemve tuaj, në mënyrë që ata të mund të punësohen  në profesionet më të mira.

Vëllezër dhe motra.

Bërxulla ka një tokë ndër më pjelloret në Shqipëri.  Jam sot tek ju,  për tu zotuar se qeveria do të subvencionojë  çdo metër katrorë serë që ju do të ngrini për prodhimet e hershme. Qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ulliri dhe çdo dru frutorë, që do të mbillni në kopshtet tuaja, për ta shndërruar Bërxullën në një nga qendrat më të fuqishme të prodhimit  industrial.

Qeveria, jeni dëshmitar ka dyfishuar pensionet e të gjithë pensionistëve në fshat.   Jam këtu për tu zotuar para jush, se rritja e vazhdueshme e tyre është dhe do të mbetet përparësia e qeverisë shqiptare. Krahas kësaj rruge, është rruga e vetmisë, apo rruga e vetme.  Me atë rrugë ju jeni ndarë 20 vjet më parë, ju sot në këtë komunë 70%  jeni të ardhur nga zona të tjera.  Unë dua tu shpreh nderimin tim më të madh  vendasve, të cilët me bujarinë dhe fisnikërinë e tyre,  kanë vendosur me ju marrëdhëniet më vëllazërore më të shkëlqyera.  Dua t’ju shpreh ju të ardhurve nderimin tim më të madh, që me lumenj djerse , sakrifice, erdhët dhe ndërtuat këtu në Berxullë, ëndrrën tuaj të bukur.  Ju garantoj ju, dhe të gjithë banorëve, se qeveria do të bëjë çdo gjë  që Bërxulla të  shndërrijë  në të gjitha drejtimet.

Ndaj dhe shokun Edi, le ta lëmë si kalorës të vetmuar në rrugën e vetme, kurse ne të ndjekim rrugën e djersës, rrugën e mundit , rrugën e suksesit, rrugën e zhvillimit. Për ne ju jeni të parët,  fëmijët tuaj janë të parët , familjet tuaja janë të parët, komuniteti juaj është i pari , Domja është e para , Bërxulla është e para, Tirana është e para , Shqipëria është e para.

Me 8 maj votoni Ymer Markun, se keni votuar për suksesin tuaj, keni votuar për veten tuaj, familjen, fshatin, komunitetin tuaj.

Rrofshi ju.

Rroftë Shqipëria.


21/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›