Kryeministri Berisha në Patos: Parku industrial, gjenerator i fuqishëm i punësimit i për qytetin
-Këto katër vite në qytetin dhe rrethin e Fierit, kemi investuar rreth 400 milion euro dhe kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 200 kilometra rrugë, nga të cilët 180 kilometra janë rrugë rurale, 27 ujësjellës, 24 qendra shëndetësore, 38 shkolla.
-Në energji janë investuar rreth 250 milion euro, në katër vitet që vijnë qeveria do të investoje 6 herë më shumë
-Në këto vite ne kemi financuar 1200 hektarë dru frutore dhe sera, ju garantoj se në vitet që vijnë ne do të financojmë së paku 6 mijë hektarë ullishta, vreshta dhe sera.
Kryeministri Berisha ishte sot paradite në qytetin e Patosit, ku prezantoi zotin Dilaver Kamberi si kandidat për kryetar bashkie të koalicionin “Aleanca për Qytetarin”.
Kryeministri e vlerësoi kandidaturën e zotit Kamberi si një nga njerëzit më të suksesshëm të këtij qyteti , biznesmen dhe menaxher i shkëlqyer, i cili do të vihet në shërbim të qytetarëve.
Qeveria, tha kryeministri Berisha, do të bëjë gjithçka që me zotin Kamberi, në katër vitet që vijnë të shndërrojmë Patosin në një qytet të zhvilluar, në një epiqendër të fuqishme të prodhimit të shërbimeve më të mira.
“Zotimi ynë për ju, është patozi 24 orë ujë në të gjithë territorin e tij, po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza, si dhe të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit. Do të rindërtojmë stadiumin e qytetit në mënyrë që aktivitetet sportive të njohin nivele të reja zhvillimi. Në qytet do të krijojmë parkun industrial, në mënyrë që investimet e vendit dhe të huajat gjatë katër viteve që vijnë të shumëfishohen dhe të shndërrohet ky park në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Patosit” tha kryeministri.
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
Të nderuar zonja dhe zotërinj.
Qytetarë dhe qytetare të Patosit.
Shpreh nderin dhe kënaqësisë që paraqes sot këtu si kandidat para jush, një nga bijtë më të shquar të Patosit, njeriun e suksesit të këtij qyteti, biznesmenin, menaxherin e shkëlqyer, zotin Dilaver Kamberi.
Jam këtu për tu angazhuar para jush, se qeveria do të bëjë gjithçka që me zotin Dilaver, në katër vitet që vijnë të shndërrojmë Patosin në një qytet të zhvilluar, në një epiqendër të fuqishme të prodhimit të shërbimeve më të mira.
Zonja dhe zotërinj.
Vëllezër dhe motra.
Fitorja e zgjedhjeve shënon për çdo kandidat një sukses të madh , por përmbushja e misionit shndërrimi i këtij suksesi në një sukses për çdo qytetar, për komunitetin, qytetin, komunat në tërësi, është vendimtare për rezultatin për fatin e votës të secilit prej jush. Jam këtu për tu zotuar, se qeveria ime do të bëjë gjithçka për të shndërruar sëbashku me zotin Dilaver suksesin e 8 majit në një sukses për secilin prej jush, për çdo rrugë dhe rrugicë, për ço familje, për çdo komunitet të këtij qyteti.
Jam këtu për tu zotuar se do të mbështesim fuqishëm të gjitha projektet që ju do të hartoni sëbashku me zotin Dilaver, për një jetë më të mirë, për punësim, për shërbime më të mira në qytetin tuaj.
Këto katër vite në qytetin tuaj dhe rrethin e Fierit, ne kemi investuar rreth 400 milion euro dhe kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 200 kilometra rrugë, nga të cilët 180 kilometra janë rrugë rurale, 27 ujësjellës, 24 qendra shëndetësore, 38 shkolla. Në energji janë investuar rreth 250 milion euro, ju garantoj se katër vitet që vijnë në qytetin tuaj, në komunat e Fierit dhe qytetin e Fierit, qeveria do të investoje 6 herë më shumë, sesa katër vitet që shkuan.
Në këto vite ne kemi financuar 1200 hektarë dru frutore dhe sera, ju garantoj se në vitet që vijnë ne do të financojmë së paku 6 mijë hektarë ullishta, vreshta dhe sera.
Zotimi ynë për ju, është patozi 24 orë ujë në të gjithë territorin e tij, po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza, si dhe të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit. Do të rindërtojmë stadiumin e qytetit në mënyrë që aktivitetet sportive të njohin nivele të reja zhvillimi.
Në qytet do të krijojmë parkun industrial, në mënyrë që investimet e vendit dhe të huajat gjatë katër viteve që vijnë të shumëfishohen dhe të shndërrohet ky park në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Patosit.
Vëllezër dhe motra.
Ne vijmë tek ju me alternativën për qytetarin, alternativë në të cilën ne kemi vendosur Ju , interesin tuaj, problemet, hallet, dertet tuaja, por edhe vizionin tuaj, përkushtimin tuaj në epiqendër të programit, Patosin dhe Shqipërinë në katër vitet që vijnë.
Ne qëndrojmë, ne besojmë se me besimin e madhe tek ju, tek puna juaj, tek përkushtimi juaj, ne do të arrijmë sëbashku të shndërrojmë Patosin, të shndërrojmë Shqipërinë, në qytetin dhe vendin më të zhvilluar në vitin 2017.
Besimi ynë bazohet para së gjithash tek aftësitë dhe përkushtimi juaj, tek shpirti juaj punëtor, tek vendosmëria juaj për të ndryshuar çdo ditë, çdo muaj, çdo orë jetën tuaj për mire. Por besimi ynë bazohet dhe në faktin se këto vite, ne sëbashku kemi realizuar ëndrrat shekullore të shqiptarëve. Jemi ne qytetarët e këtij vendi, që 20 vjet më parë ishim në honet e historisë, më të izoluarit e të izoluarve, sot mblidhemi këtu si qytetarët të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria është anëtare e NATO-s, është vepra e qytetarëve shqiptare. Në mundin, djersën, përkushtimin tuaj, reformat e qeverisë, qëndron akti madhor i anëtarësimit në NATO, sot Shqipëria është më e sigurtë se kurrë në tërë ekzistencën e saj mijëra vjeçare. Jemi po ne burrat dhe gratë e këtij sheshi, djemtë dhe vajzat e Patosi dhe të mbarë Shqipërisë që këto vite ia dolëm nga njerëzit të rrethuar me tela me gjemba të lëvizim të lirë në mbarë Europën.
Jemi po ne, qytetarët e mundit dhe të djersës, dhimbjes dhe sakrificave që bëmë që Shqipëria nga një vend që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, nga një vend që në vitin 2004 priti e përcolli gjithsej 300 mijë vizitorë, priti vitin e kaluar 3.5 milion vizitorë e turistë, të shpallemi këtë vit destinacioni kryesorë turistik i botës, të shpallemi e Bukura e Dheut.
Dhe kjo nuk arrihej kurrë pa mundin tuaj, pa djersën tuaj , pa lumenjtë e djersës dhe të sakrificave të derdhura nga ju dhe reformat e qeverisë, por kjo nuk arrihej kurrë pa shpirtin tuaj të bardhë e mikpritës. Ndaj dhe Shqipëria sot është vendi më i mirë në botë për turizmin.
Këto vite, ishin vite sakrificash , lodhjesh dhe mundimesh, por vite të suksesit të madh ekonomik. Secili prej jush duhet të krenohet me veten e tij me njeri - tjetrin dhe me vendin, sepse për tre vite me radhë Shqipëria ishte vendi i tretë apo i katër më i varfër, i planetit ndërsa sot është vendi me rritje me të madhe ekonomike. Në këto vite të krizës së madhe që Europa dhe bota ka njohur, në 90 ditët e fundit ju qytetarët e këtij vendi me mundin, djersën, punën tuaj të mrekullueshme me reformat e qeverisë bëtë të mundur që në Shqipëri si në asnjë vend tjetër të ardhurat jo të pakësoheshin, por të dyfishohen. Bëtë të mundur që punësimi jo të pakësohej, por të rritej, rrogat dhe pensionet jo të pakësoheshin, por të ngriheshin dhe të dyfishoheshin, të dyfishoheshin pensionet dhe rrogat e ulëta, të dyfishohej rroga mesatare.
Me lodhjen, me mundin, me djersën tonë, ka patur sukses të vërtetë, ka shpresë, ka besim, ka energji, ka entuziazëm.
Krahas kësaj, krahas këtyre arritjeve, arritje të mëdha të jetës sonë, sot fëmijët tanë kanë të drejtë të ndihen fëmije Europian, sot Shqipëria qëndron në rritje të eksporteve dhe vitin e kaluar prodhimi i mundit, djersës, në fshat dhe qytet shënoi rritjet më të mëdha në Europë, me 62%.
Kjo është alternativa jonë e krahas kësaj është alternativa e rrugës së vetme. Por çfarë është kjo alternativë në rrafshin ideologjik. Eshtë rruga e së shkuarës sonë të zezë, kurse në rrafshin social dhe politik të sotëm , cila është kjo rrugë, të dashur miq në këtë takim? Është rruga e mohimit të arritjeve tuaja, rrugë, e cila do tu mohojë të përçmojë, të poshtërojë, çdo arritje të madhe të jetës suaj.
Sipas kësaj rruge Shqipëria nuk është një vend i lirë, një anëtare e NATO-s, por ka një qeveri fashiste dhe këto deklaratë nuk vijnë më nga honet e historisë, nga Ramiz Alia apo bashkëpunëtorët e tij, por nga kryetari i Partisë Socialiste nga tribuna në tribunë . Jo zoti Rama, Shqipëria është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe me kontribut të madh cilësor, jo vetëm në lirinë e vet, por edhe në lirinë e kombeve të tjera në mbarë botën.
Sipas kësaj rruge, vizat nuk duhet të hiqeshin. Hap kutitë të lirosh vizat ishte kërcënimi makabër i rrugës së vetme. Vizat nuk u futën dot në kuti dhe ju sot jeni më të denjë së kurrë të lëvizni në Europë, sipas kësaj rrugë, rritja e rrogave dhe pensioneve është vepër kriminale, sepse ekonomia po falimenton. Jo orë zotëri vetmitar, apo udhëtar i rrugës së vetme. Ekonomia shqiptare është e faktuar sot nga Banka Botërore, Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, si ekonomia më dinamike, më entuziaste me vibrante në Europë .
Dhe kjo rritja e rrogave, rritja e pensioneve, nuk i është vepër kriminale përkundrazi është detyrë, është mision, është qëllim që do ti përmbahemi sa të jemi në pushtet sa herë të na votoni.
Sipas kësaj rrugë në Shqipëri paska 1 milion të papunë. Le ti pyesim udhëtarët e rrugës së vetmisë, nga rritet kjo ekonomi? Kush e rrit këtë ekonomi? Kush i bënë këto prodhime? Kush i nxjerr këta minerale? Këta janë këta të padukshëm? Jo zotëri, këto janë shqiptarët dhe shqiptarët që kanë derdhur mundin djersën e tyre dhe ti shoku Rama që nga platforma në platforme dhe nga sheshi në shesh ju deklaron se Shqipëria ka 1 milion të papunë, të ftoj që të thuash edhe atë pjesën tjetër siç e thoshte Ramizi, 1 milion të papunë, 1 milion hajdut, 1 milion spiunë. Këta nuk janë shqiptarët, ore zotëri.
Ju kërkoni ti përçmoni ata, ti përbaltni ata, por shqiptarët janë njerëzit e lumenjve të djersës mundit, sakrificave, të kthesave historik ndaj dhe për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët . Qyteti juaj është i pari, Shqipëria është e para.
Ju garantoj ju se me 8 maj do të fitojmë me Dilaver Kamberajn, e nisim një kapitull të ri në historinë e Patosi, në historinë e Shqipërisë.
Rrofshi ju.
Rroftë Patosi.
Rroftë Shqipëria!
20/04/2011