Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë Belshi qendër e fuqishme e prodhimit dhe e turizmit të vendit

- Në shtëpinë e alternativës për qytetarin ka vend për të gjithë. Dera e saj është e hapur. Është i mirëpritur çdo shqiptar, janë të mirëpritur të gjithë qytetarët duke i garantuar se mendimi i tyre, vizioni i tyre do të ketë vlerësimin më të madh.
Kryeministri Berisha ishte sot pasdite ne Belsh, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, zotin Asqeri Kuqja.
Në tubimin me qytetarë të Belshit, kryeministri Berisha u zotua se së bashku me qytetarët e këtij vendi dhe kandidatin Kuqje, në 4 vitet që vijnë do të punohet me të gjitha forcat për të shndërruar Belshin në një qytet të zhvilluar, turistik, industrial. Kryeministri ftoi kandidatin për kryetar bashkie, zotin Asqeri Kuqja që së bashku me autoritetet vendore të hartojnë sa më parë planin turistik për Belshin, duke premtuar se qeveria do ta mbështesë dhe financojë tërësisht atë.
Kryeministri shprehu angazhimin se në 4 vitet që vijnë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo rrugë, çdo trotuar, çdo rrugicë e këtij qyteti dhe fshatrave të kësaj bashkie.
Duke u ndalur tek infrastruktura, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve të fundit në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 430 km rrugë, nga te cilat vetëm ne rrethin e Elbasanit janë 203 km, ndërsa 34 km janë dy akset rrugore që lidhin Belshin dhe Pajovën , si dhe Belshin me Lushnjën, për të vazhduar më tej ndërtimin e boshtit te jugut.
Kryeministri vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm ndërtimin e korridorit Tiranë- Elbasan. “Ky korridor prej 31,7 km me tunel 2.4 km me 21 vija dukëse, 7 mbikalime, kater nënkalime do të shkurtojë mbi 25 minuta distancën Elbasan- Tiranë, do të hapë Tiranën, tregun e fuqishëm të saj për prodhuesit e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit e më gjerë.” u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetare dhe qytetare, banorë të bashkisë së Belshit,
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj
I dashur zoti Asqeri Kuqja, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Belshit,
zoti nënkryetar i parlamentit,
zotërinj deputetë, qeveritarë vendorë,
Kam ardhur sot tek ju për të paraqitur, për të kërkuar votën tuaj, për kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, për bashkinë tuaj, për zotin Asqeri Kuqja, me premtimin tim, me zotimin tim solemn, se së bashku me ju dhe Asqeri Kuqen, 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë Belshin modern, Belshin qytet të zhvilluar, Belshin turistik, Belshin e agroindustrisë, Belshin qendër e fuqishme e prodhimit dhe e turizmit te vendit.
Vij sot tek ju, për tu angazhuar para jush se 4 vitet që vijnë ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë, çdo trotuar, çdo rrugicë të këtij qyteti dhe fshatrave të kësaj bashkie. Në qarkun e Elbasanit ne kemi ndërtuar 430 km rrugë, nga te cilat vetëm ne rrethin e Elbasanit janë 203 km, 34 km janë dy akset rrugore që lidhin Belshin me Pajovën, që lidhin Belshin dhe Lushnjën dhe vazhdon ndërtimi i boshtit te Jugut, por kryetari juaj i ardhshëm i bashkisë u zotua këtu, se do të bëjë gjithçka për të siguruar tregun.
Zoti Asqeri, ndërtimi i korridorit Tiranë-Elbasan, do të hape tregun e Tiranës për prodhuesit e mrekullueshëm të Belshit, Dumresë dhe të gjithë qarkut te Elbasanit.
Ky korridor prej 31,7 km me tunel 2.4 km me 21 vija dukëse, 7 mbikalime, 4 nënkalime do të shkurtojë me 25 minuta distancën Elbasan-Tiranë, do të hapë Tiranën, tregun e fuqishëm të saj ndaj prodhuesve të Dumresë, Elbasanit, Gramshit, Librazhdit e më gjerë.
Kjo është alternative jonë, me këtë alternativë ne kemi parasysh interesat tuaja, problemet tuaja, shqetësimet tuaja, vizionin tuaj. Ne besojmë se krahas shkollave, ushqimit, rruga dhe rrugët janë kusht themelor, janë arteriet më të rëndësishme të zhvillimit. Ndaj dhe ne këto 5 vite kemi asfaltuar rrugë në këtë vend dhe ndërtuar katër herë më shumë sesa rrugët e asfaltuara në të gjitha kohërat.
Ne jemi të vendosur së bashku me ju të ndërtojmë infrastrukturë moderne kudo që të ndodheni, në Belsh, Tropojë, në Kolonjë, në Leskovik, në çdo fshat dhe kudo. 4 vitet që vijnë ne ju garantojmë ju, garantojmë të gjithë banorët e Dumresë se do të bëjmë çdo gjë për të garantuar ujë 24 orë.
Vëllezër dhe motra,
Gjatë këtyre 4 viteve të fundit ne kemi subvencionuar dru frutorë, sera rreth 2150 hektarë, 30 herë më shumë, se sa në 8 vite qeveria socialiste. 4 vitet që vijnë ju garantoj ju se në këtë qark se do të subvencionojmë 10 mijë hektarë dhe se Dumrenë do ta shndërrojmë në një kopësht të madh të bukur, prodhues të fuqishëm të të gjitha frutave, perimeve dhe prodhimeve të tjera.
Dumreja ka një potencial të madh turistik, ndaj dhe zoti kryetar i ardhshëm ju ftoj të bëni planin turistik të Belshit. Ju garantoj se qeveria do ta mbështesë dhe do ta financojë atë plotësisht.
Ne rrugën tonë nuk e kemi patur të lehtë e kemi patur të vështirë, prapë të lehtë nuk e kemi, nuk e kemi bulevard me lule, e kemi me mund, me djersë , me sakrifica, por kemi rrugë me dinjitet, rrugë me suksese. Ne sot e shohim drejt në sy njëri-tjetrin, e shohim me krenari njëri-tjetrin, shohim me krenari fëmijët tanë sepse ne ia arritëm me përkushtimin tonë, Shqipërinë, vendin më të shkëputur nga bota, më të izoluar ta shndërrojmë sot në vend anëtar të NATO-s. Ne ia dolëm së bashku që të mblidhemi sot në këtë shesh si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Ne ia dolëm që të mblidhemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi, që pak vite më parë nuk ekzistonte në hartën turistike të botës, kurse sot është destinacioni numër një i planetit për turizëm, është shpallur “ e bukura e dheut” .
Në këto vite, me lumenj djerse e mundi tuajin, të bijve tuaj, kudo që ndodhen sot në emigracion ne bëmë që Shqipëria nga një ekonomi e falimentuar që ishte pak vite më parë, të jetë sot ekonomia me rritjen më të madhe për tre vitet e fundit në Evropë. Në rast se në vendet e tjera për shkak të krizës më të egër, më rëndë që Evropa ka njohur në 90 vitet e fundit, rrogat ulen, pensionet ulen, papunësia rritet. Në Shqipëri këto nuk ndodhin dhe jo se e themi ne, por këtë e thotë gjithë bota. Në Shqipëri papunësia ulet, sërish ka papunësi këtë nuk e mohojmë, por unë ju garantoj se sukseset kurrë nuk do na pengojnë për të parë drejt, hallet, dertet dhe problemet. Sërish ka papunësi, por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka me qeveritarët tuaj vendor për punësimin tuaj, sërish në dyqanet tona ka familje që marrin ushqimin me lista, por të ndalemi një moment, në vitin 2005, 18 % e shqiptarëve jetonin në varfëri, 4,3 % e tyre jetonin me lista dhe në mjerim. Sot, duke iu referuar shifrave të Bankës Botërore rezulton se kemi ulur varfërinë me 33 %. Sot sërish ka lista, por këto janë vetëm 1.4 % e shqiptarëve, nga 4.3 që ishin në 2005.
Jam këtu për tu zotuar se ky vit dhe fillimi i vitit tjetër shënon nxjerrjen nga mjerimi për çdo familje shqiptare. Kjo është ajo çka ne ofrojmë. Kjo është rruga me të cilën ne u anëtarësuam në NATO. Kjo është rruga me të cilën ne firmosëm marrëveshjen e stabilizim-asociimit, kjo është rruga me të cilën ne fituam heqjen e vizave, rruga me të cilën ne ecim të sigurtë drejt Evropës.
Është e lehtë të akuzosh, të mohosh dhe vetëm të mohosh, por qytetarët shqiptarë kërkojnë zgjidhje, qytetarët shqiptarë, kërkojnë projekte, kërkojnë punë, kërkojnë rrugë, kërkojnë shkolla, kërkojnë ujë, kërkojnë treg, kërkojnë një jetë gjithnjë e më të mirë, ndaj dhe ju ftoj ju të bashkohemi të gjithë në alternativën tonë për qytetarin. Në shtëpinë tonë, në shtëpinë e alternativës për qytetarin ka vend për të gjithë. Dera e saj është e hapur. Është i mirëpritur çdo shqiptar, janë të mirëpritur të gjithë qytetarët dhe jo vetëm të mirëpritur, por i garantoj se mendimi i tyre, vizioni i tyre do të ketë vlerësimin më të madh.
Vëllezër dhe motra,
Kryetari i PS, i cili e nisi fushatën nën moton “fajin e ka Saliu” pastaj pasi erdha në Elbasan dhe i deklarova se tuneli dhe autostrada janë fajet e mia historike, hoqi dorë nga “fajin e ka Saliu” dhe tani vazhdon të nxijë gjithçka që ju keni arritur, duke menduar se në këtë mënyrë do mund të nxijë qeverinë shqiptare. Dua ti them zotit Rama nga kjo platformë, se kjo Shqipëri ka ndryshuar këto vite, më shumë se çdo vend tjetër dhe gabohesh rëndë kur përpiqesh të nxish sukseset e këtyre njerëzve për shkak të qëndrimit që ke ndaj qeverisë. Sigurisht që qeveria ka rolin e saj, por themeli i këtyre sukseseve janë qytetarët shqiptarë, mundi, djersa e tyre.
Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, komunitetet juaj është i pari, Belshi është i pari, Elbasani është i pari, Shqipëria është e para.
Më 8 maj ju ftoj të votoni të votoni për Asqeri Kuqen dhe ju garantoj ju se suksesin fitores së tij do ta shndërrojmë së bashku me të në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për familjet tuaja, për banorët e këtij qyteti, për banorët e kësaj bashkie.
Rrofshi ju!
Rroftë Belshi!
Rroftë Shqipëria!
20/04/2011