Kryeministri Berisha i kërkon kryetarit të Bashkisë së Tiranës të finalizojë sa më shpejt planin urbanistik të kryeqytetit
Në mbledhjen e sotme të KRRTRSH-së, Kryeministri Berisha i kërkoi Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama që të finalizojë sa më shpejt planin urbanistik të kryeqytetit, sepse po tejkalohet çdo lloj limiti kohor.
“Dua t’i bëj thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës të finalizojë sa më shpejtë planin urbanistit ë kryeqytetit sepse po tejkalohet çdo lloj limiti kohor. Çdo lloj shtyrje është shumë e dëmshme për kryeqytetin. Unë e kuptoj që ‘llokmat’ të gozhdojnë, sepse nuk mund të ketë ndonjë arsye tjetër, por ai plan duhet të bëhet”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh se miratimi i planit është në interesin më të mirë të qytetit të Tiranës.
"Ligji i ri i urbanistikës i votuar në Kuvend e redukton në 45 ditë kohën e marrjes së lejeve të ndërtimit, duke e shoqëruar me parimin 'heshtja është miratim'. Dhe në qoftë se nga e gjithë kjo ka pasoja, me të gjitha pasojat përballet ai që nuk u shpreh”, u shpreh Kryeministri.
13/01/2009