E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ndërtimi i boshtit të Jugut do të financohet nga buxheti i shtetit

-          I gjithë potenciali ynë në infrastrukturë duhet të përqendrohet në ndërtimin e  këtij boshti, Tiranë- Berat – Tepelenë

Kryeministri Berisha, tha sot gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive, se projekti tjetër prioritar në sistemin e planifikimit të integruar për vitin 2009 do të jetë ndërtimi i boshtit të jugut, me financim nga buxheti i shtetit.

Kryeministri kërkoi nga ministria e Transporteve hapjen menjëherë të tenderit për projektin e ndërtimit të boshtit të jugut, duke theksuar se për këtë projekt nuk mund të priten financimet e partnerëve ndërkombëtarë, por do të financohet nga buxheti i shtetit.  “Ne do të informojmë miqtë dhe partnerët tanë se ky projekt ka përparësi absolute dhe duhet ta realizojmë me fondet tona. Fondet e tjera të dhëna prej tyre do t’i përdorim sigurisht në projekte të tjera. I gjithë potenciali ynë në infrastrukturë duhet të përqendrohet në ndërtimin e  këtij boshti, Tiranë - Berat – Tepelenë”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se fizibiliteti i këtij boshti është tërësisht i justifikuar, pasi në këtë zonë të vendit janë 3 pika kufitare, Qafëbotë, Kakavije dhe Tri Urat, pika këto që përbëjnë një fluks të madh komunikimi me Greqinë, një nga partnerët kryesor në Shqipërisë. Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se për ndërtimin e këtij boshti do të zgjidhet distanca më e shkurtër Tiranë – Memaliaj dhe kjo direktivë duhet të zbatohet me shpejtësinë më të madhe.          
29/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›