Kryeministri Berisha: Mbjellja e 20 mijë rrënjëve ullinj, projekti prioritar për bujqësinë në vitin 2009
Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, theksoi se prioritetet i qeverisë në kalendarin e planifikimit strategjik për vitin 2009, do të jetë financimi i projektit për mbjelljen e 20 mijë rrënjëve ullinj në të gjithë vendin.
“Projekti numër 1 për ministrinë e Bujqësisë, por edhe për gjithë ministritë e tjera, do të jetë projekti i ullirit. Ndaj, i gjithë buxheti i vitit 2009, por edhe buxhetet që vijnë më tej, do të përshtaten në funksion të këtij projekti, i cili në 4 vjet duhet të realizojë mbjelljen në Shqipëri të jo më pak se 20 milionë rrënjë ulliri”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e vlerësoi këtë projekt si një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në fushën e bujqësisë dhe që do të ketë një shtrirje mjaft të gjerë. “Financimet janë gati, duhet vetëm të përfundojë projekti, një projekt që do të shtrihet nga Malësia e Madhe deri në Ksamil, projekt ndër më agresivët që ka njohur ndonjëherë bujqësia shqiptare”, tha Kryeministri.
29/12/2008