E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ndryshimet ligjore në Kodin dhe procedurën penale do ti japin përgjigjen më të merituar shumë fenomeneve dhe shfaqjeve të kriminalitetit

Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, në mbledhjen e këshillit të Ministrave, votimin e një pakete ligjore në ditët e ardhshme në Parlament, e cila synon ndryshime në Kodin Penal, procedurën penale dhe në Kodin Civil. Kjo paketë shkëput Kodin dhe Procedurën Penale nga disa praktika më të buta të mëparshme, duke i dhënë përgjigje ligjore më të përshtatshme disa fenomeneve dhe shfaqjeve të kriminalitetit. “Në këtë paketë ligjore parashihen ndryshime në kohën ose afatin e dënimeve maksimale, përveç dënimit përjetë, që është dënimi më maksimal dhe mbetet, por vitet nga 25 shkojnë në 40, nga 20 në 28, pra afatet ligjore të dënimeve.” sqaroi kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur se ndëshkime shumë më te rrepta do të meritojnë dhuna ndaj fëmijëve, vrasja  e policëve si dhe gjakmarrja.

Në përgjigje të deklaratave të tipit “mori fund shoqëria”, “mori fund shteti”, të cilat kryeministri i cilësoi të papërgjegjshme, ai u shpreh se “një shtet i cili ka shkallën më të lartë të zbulimit, një shtet i cili ka shkallën më të lartë të ndëshkimit në përputhje me ligjin, dëshmon para qytetarëve të vet se ligji funksionon”. Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi punën e organeve policisë në zbulimin dhe kapjen në kohë të autorëve, duke theksuar se këto organe dëshmojnë transparencën më të plotë dhe shkallën e zbulimin më të lartë, në realizimin e misionit të tyre.

Duke iu referuar ngjarjes së rëndë të vrasjes së një fëmije nga një pedofil, Kryeministri tha se “Opinioni i revoltuar nga kjo ngjarje tronditëse kërkon rikthimin  e dënimit me vdekje.” Në përgjigje të kësaj çështje, Kryeministri u shpreh se  “Shqipëria është anëtare e KE-së dhe heqja e dënimit me vdekje është një kusht për të qenë në këtë institucion, ku janë 41 vende anëtare dhe asnjëra prej tyre nuk e ka dënimin me vdekje, sepse dënimi me vdekje bie në kundërshtim të hapur me konventën evropiane  e të drejtave të njeriut, konventë kjo e detyrueshme  për tu zbatuar nga shtetet anëtare.”

Duke theksuar se pedofilia duhet të marrë ndëshkimet më madhore, Kryeministri tha  se për këtë do të studiohet edhe eksperienca e shumë vendeve evropiane, në ndëshkimet e parashikuara për këtë kategori.

Kryeministri siguroi qytetarët se me masat që do të miratohen do të bëhet gjithçka për përgjigjen me të merituar kriminalitetit, krimit dhe veprave penale.

Më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ne kemi një paketë ligjore që do të votohet në ditët e  ardhshme në parlament përgatitur nga ministria e drejtësisë me një ekspertizë të lartë ndërkombëtare , me një debat të gjerë. Kjo paketë synon ndryshime në Kodin Penal dhe në procedurën penale, si dhe në Kodin Civil, të cilat synojnë të japin një përgjigje ligjore më të përshtatshme disa fenomeneve, shfaqeve të kriminalitetit. Në këtë paketë ligjore parashihen ndryshime në kohën ose afatin e dënimeve maksimale, përveç dënimit përjetë, që është dënimi më maksimal dhe mbetet, por vitet nga 25 shkojnë në 40, nga 20 në 28, pra afatet ligjore të dënimeve. Është bërë e domosdoshme që një përgjigje me e rreptë ligjore të përcaktohet në kodin penal të Shqipërisë. Do të ketë ndëshkime shumë më të rrepta për dhunën në familje dhe vrasjen e grave. Do të ketë ndëshkime shumë më të rrepta për dhunën ndaj fëmijëve, për vrasjen e policëve, si dhe për gjakmarrjen. Një ngjarje e cila ka tronditur thellë shoqërinë shqiptare ishte akti i një monstre pedofil  që ka vrarë  një fëmijë dhe po përgatiste ekzekutimin e një fëmije tjetër dhe që fatmirësisht policia e nxorri nga kthetrat e vdekjes së kësaj monstre.

Opinioni i revoltuar nga kjo ngjarje tronditëse kërkon rikthimin  e dënimit me vdekje. Mirëpo Shqipëria është anëtare e KE-së dhe heqja e dënimit me vdekje është një kusht për të qenë në këtë institucion, ku janë 41 vende anëtare dhe asnjëra prej tyre nuk e ka dënimin me vdekje, sepse dënimi me vdekje bie në kundërshtim të hapur me konventën evropiane  e të drejtave të njeriut, konventë kjo e detyrueshme  për tu zbatuar nga shtetet anëtare. Nuk dua të ndalem mbi efektet e dënimit me vdekje, në reduktimin  e kriminalitetit. Por gjithkush që dëshiron duhet të lexojë. E vërteta është se efekti në uljen e vrasjeve është shumë i pasigurtë dhe kjo është arsyeja që në SHBA, vendin  e demokracisë së madhe, një seri shtetesh kanë votuar heqjen e dënimit me vdekje sepse ata kanë parë se ai nuk ka patur një ndikim të përfillshëm në uljen e kriminalitetit. Pavarësisht se revolta shpirtërore është e ligjshme, objektiviteti duhet të na udhëheqë. Shqipëria nuk mu të bëjë hapa të cilat  e nxjerrin atë jashtë KE-së. Procesi i integrimit, luftimi i shkaqeve të thella të kriminalitetit pa diskutim është më i mundshëm në procesin e integrimit të plotë të vendit.

Dy fjalë duhet tu the atyre që duke mos patur asnjë nocion për shtetin ligjor, deklarojnë se mori fund shoqëria, mori fund shteti. Këto janë deklarata të papërgjegjshme, të cilat kanë përballë ose mllefe, ose injorancën. Një shtet i cili ka shkallën më të lartë të zbulimit, një shtet i cili ka shkallën më të lartë të ndëshkimit në përputhje me ligjin dëshmon para qytetarëve të vet se ligji funksionon  dhe kur the këtë nuk them se funksionon në mënyrë të përsosur, nuk the se nuk ka përgjegjësiar, nuk them se nuk ka punonjës të zbatimit të ligjit që meritojnë të vendosen para ligjit për moszbatimin e tij , por në tërësinë e vet organet  e policisë së shtetit kanë sot, me transparencën më të plotë, një nga shkallët më të larta të zbulimit dhe të ndalimit të vrasësve apo kriminelëve. Kjo përbën një arritje jo për policinë e shteti, kjo përbën një arritje për çdo qytetar shqiptar.

Unë mendoj se forcat e rendit krahas përpjekjeve për të këputur çdo lidhje të çdo anëtari të tyre apo grupeve të caktuara në krim, meritojnë mbështetjen më të madhe, meritojnë respektin e qytetarëve për punën që bëjnë. Të vësh në shënjestër një institucion i cili ka në mënyrën më të hapur , në mënyrën më transparente, shkallën më të lartë të zbulimit dhe të ndëshkimit do të thotë ose je i verbër dhe fanatik, ose nuk ke nocionet më elementare se cili është funksionimi i shtetit ligjor, cilët janë treguesit e funksionimit të tij. Natyrisht ka vend për ta përmirësuar. Fakti që ne sot sjellim një paketë ligjore  e cila shkëput kodin dhe procedurën penale nga disa praktika më të buta të mëparshme, dëshmon se reforma po ecën dhe reformave po ju qëndrojmë. Natyrisht këto reforma duhet të përfshijnë të gjithë institucionet e zbatimit të ligjit. Unë kam besim të madh se vështirësitë e krijuara nga disa momente të caktuara në sistemin e drejtësisë dhe  e vërteta është jo nga drejtësia. Drejtësia ka natyralisht tendencën të qëndrojë e pavarur dhe të zbatojë ligjin, por nga disa ndërhyrje jashtëzakonisht të dëmshme që u bënë në këto institucione dhe të faktuara ato, drejtësia dhe sistemi i saj ka krijuar probleme , të cilat unë jam i bindur se me reforma do ti kapërcejmë plotësisht.

Ndaj unë falënderoj të gjithë ata, që përgatitën këtë paketë dhe i siguroj qytetrat që do të bëhet gjithçka për përgjigjen me të merituar kriminalitetit, krimit dhe veprave penale të cilat janë me të vërtetë jashtëzakonisht të rënda dhe serioze. Duhet të ndahemi jëherë e përgjithmonë nga një traditë mesjetare  e gjakmarrjes. Duhet të ndahemi, duhet të largohemi me shpejtësi se asnjëherë nuk ka qenë në traditë vrasja e gruas. Kjo vepër ka qenë e ndaluar në kodin dhe në moralin  e shqiptarëve. Por kjo shfaqe duhet të marrë përgjigjen e merituar. Pedofilia duhet të marrë ndëshkimet më madhore, por edhe ata që nuk qëndrojnë dot duhet të marrin përgjegjësitë  e tyre. Janë jo në vitin 900 , por 2-3 vjet më parë janë propozuar metoda shumë të veçanta qëndrimi ndaj pedofilëve deri në sterilizimin  e tyre kimik, çka e vërteta është se ne edhe ne këtë paketë do të shprehim të gjithë qëndrimet, por masa ndaj dhunës dhe krimeve të shëmtuara ndaj fëmijëve do të njohin një rreptësi shumë më të madhe.


20/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›