E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në çdo rreth të vendit, brenda vitit 2010, do të përfundojnë së asfaltuari të gjitha rrugët që zbresin drejt detit

Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e fazës së dytë të rrugës së bregdetit që lidh Spillenë me Kavajën, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 300 milion lekë. Kjo rrugë e ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohore ka gjatësi 15 km dhe gjerësi 7,5 metra, e pajisur në të dyja anët me trotuare dhe ndriçim. Gjithashtu u inaugurua edhe rruga e brendshme e fshatit Luz me gjatësi 1 kilometër dhe vlerë 31 milion lekë.

Gjatë takimit me banorë të Luzit, kryeministri e vlerësoi rrugën si një mbështetje të fuqishme të turizmit të Kavajës dhe u shpreh se me investimet e realizuara, infrastruktura e fshatrave të bregdetit bëhet një ndër infrastrukturat më moderne.

Kryeministri garantoi banorët se qeveria do të do asfaltojë çdo rrugë të këtij rrethi dhe se do të mbështesë të gjithë projektet e paraqitura nga drejtuesit e pushtetit lokal, projekte që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e zonës.

Qeveria, u shpreh kryeministri do të bëjë çdo gjë, që Kavaja të qëndrojë në krye të përpjekjeve për integrimin e saj dhe të Shqipërisë në BE.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Luzit të Vogël, vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj, qeveritarë vendor dhe deputetë, ju përshëndes vëllazërisht dhe ju uroj nga zemra , gëzuar inaugurimin e rrugës që lidh Luzin me bregdetin, me Spillenë, rrugën që lidh Luzin me Kavajën. Me këto dy investime infrastruktura juaj bëhet një infrastrukturë ndër më modernet në Shqipëri.

Sot ne inauguruam një rrugë e cila lidh plazhin e bukur të Spillesë, me Luzin, Kavajën dhe mbarë Shqipërinë, një rrugë prej 15 kilometra të gjatë , me një gjerësi prej 7.5 metra, një investim prej 300 milion lekësh. Inaugurimi I kësaj rruge sot shënon një premtim tjetër të mbajtur të qeverisë që ju keni mbështetur kaq shumë, për Luzin, Kavajën, Kryevidhin, Spillenë dhe mbarë Shqipërinë.

Inaugurimi i kësaj rruge sot përbën një mbështetje të fuqishme të zhvillimit të turizmit të Kavajës turistike, e cila njësoj si me futbollin e saj duhet të dalë në krye të turizmit.

Dhe ju vëllezër çdo gjë e keni të merituar, gjithçka që ndërtohet me mundin e djersën. Suksesi i Kavajës shkëlqen me një shndritje të madhe dhe të veçantë, por edhe ndërtimi i rrugës së Luzit me Kavajën ka një rëndësi të madhe, pasi kjo komunë është një ndër komunat më të rëndësishme bujqësore të vendit. është një nga furnizuesit kryesorë të tregut të Golemit, Durrësit, Spillesë dhe Kavajës.

Vëllezër dhe motra,

Ky vit ka qenë viti i parë për ne, ka qenë viti i arritjeve shumë të mëdha i çdo qytetari të Luzit, të Kavajës dhe Shqipërisë. Më 28 qershor qytetarët shqiptarë firmosën me votën e tyre të lirë, zgjedhjet më të mira në historinë e vendit, zgjedhje të lira e të ndershme, zgjedhje të cilat bënë të mundur , një seri vendimesh, ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, në drejtim të integrimit në BE, vendimin për ti dorëzuar Shqipërisë pyetësorin, mbi bazën e të cilit do të vlerësohet statusi i kandidatit, vendimin për pranimin e pyetësorit dhe mbi të gjitha vendimin për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Qytetarë të Kavajës,

Vendimi i KE për heqjen e vizave përbën vendimin më miqësor, më të rëndësishëm që Evropa ka marrë ndonjëherë në tërë historinë e kombit tonë, ndaj dhe ne shprehim mirënjohjen më të thellë, por ky vendim përbën vlerësimin më të madh, pas anëtarësimit në NATO, të mundit, djersës, punës, përkushtimit, moralit, arritjeve të qytetarëve shqiptarë. Nga kombi eksodeve të papara veçse në legjenda, në qytetarë që do të lëvizin në hapësirën evropiane pa viza, me pasaporta biometrike më modernet në Evropë. Lumenj djerse mundi dhe sakrificash derdhën shqiptarët, por djersa dhe mundi I tyre , reformat e ndërmarra nga qeveria morën shpërblimin më të merituar, ndaj dhe sot kemi shumë arsye të ndjehemi më krenarë se kurrë me njëri-tjetrin, me veten tonë , me Kavajën, me Shqipërinë.

Vëllezër e motra,

Ne jemi shoqëri e hapur, jemi shoqëri e lirë. Ne kemi respektuar dhe do të respektojmë të drejtat e çdo qytetari, të çdo force politike, por ne nuk na lidh asgjë, me bunkerët, me kutitë.

Ne jemi për të ardhmen dhe shohim drejt të ardhmes. Ne duam që çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet e tij politike , në këtë rrugë jo të lehtë, në këtë rrugë me sakrifica, por në këtë rrugë të ndershme, të sigurt dhe të suksesshme që është rruga e shndërrimit në realitet të ëndrrës sonë evropiane. Ne nuk po përdorim as për retorikë, as për demagogji, procesin e integrimit. Ne po e shndërrojmë këtë proces në reforma, në infrastrukturë, në rrugë të reja në shkolla të reja, në zona të reja turistike. Ne po e shndërrojmë këtë proces në heqje vizash, në lëvizje të lirë për mbarë qytetarët shqiptarë.

Këtu, më kanë renditur faktin se investimet në rrethin e Kavajës, gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë kanë qenë 13 herë më të mëdha se sa gjatë qeverisjes së mëparshme. Ju i meritoni 30 herë më të mëdha dhe unë ju jap fjalën ju, se kjo qeveri do të asfaltojë çdo rrugë të këtij rrethi, se kjo qeveri do tu mbështesë të gjithë projektet e kryetarëve të komunave dhe të bashkisë së Kavajës, se kjo qeveri do të rindërtojë të gjitha shkollat e këtij rrethi, do të bëjë çdo gjë që Kavaja të qëndrojë në krye të përpjekjeve për integrimin e saj dhe të Shqipërisë në BE.

Tani ne inauguruam këtë rrugë. Së shpejti inaugurojmë edhe rrugën tjetër që shkon dhe ajo drejt detit pra në këtë rreth, në çdo rreth brenda vitit 2010 do të përfundojnë së asfaltuari të gjitha rrugët që zbresin drejt detit. Kombi, sytë nga deti është motoja jonë dhe ne këtë po e bëjmë realitet.

Edhe njëherë ju përshëndes vëllazërish dhe ju garantoj se së shpejti do të shihemi në inaugurime të tjera të mëdha, po kaq të rëndësishme.

Rrofshi ju! Rroftë Kavaja! Rroftë Shqipëria!”


02/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›