Kryeministri Berisha përshëndet konferencën kombëtare me temë “Reforma e Mësuesisë”
- Kryeministri Berisha shprehu sot, gjatë konferencës kombëtare me temë “Reforma e Mësuesisë”, domosdoshmërinë e përkthimit të teksteve.
- Kryeministri Berisha: është jetike që anglishtja të jetë, pas gjuhës sonë, një gjuhë për të gjithë. Ajo është gjuha e teksteve, është gjuha e shkencës, është gjuha e teknologjisë.
- Kryeministri Berisha: Kërkesa ime është që problemin menaxherial dhe procesin menaxherial ta shqyrtojmë jashtë çdo lloj interesi të ngushtë.
Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e konferencës kombëtare me temë “Reforma e Mësuesisë”, e organizuar nga ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo konferencë fokusohet në formimin universitar të mësuesve, sipas standardeve evropiane.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“Të ndërtuar të pranishëm,
Së pari dua të përshëndes organizimin e kësaj konference për një çështje themelore të reformës së arsimit, të reformës së sistemit të mësuesisë. Pak më shumë se 5 vjet më parë, ne shpallëm para shqiptarëve se e marrim arsimin si një nga problemet më serioze për kombin dhe se në epiqendër të tërë reformës dhe përpjekjeve tona do të jetë mësuesi, problematika e tij, përgatitja dhe roli i tij. Ne në përmbajtje të kësaj platforme jemi përpjekur dhe kemi bërë punë të madhe. Ne, më shumë se tek kushdo tjetër në administratën shqiptare, jemi përqendruar tek mësuesi, kushtet, mundësitë, roli dhe trajtimi i tij.
Ne kemi marrë vendimet, ndoshta, më të vështira, por edhe të dhimbshme. Të dyfishosh pagat e mësuesve është një nga vendimet më të vështira që një qeveri mund të ndërmarrë. Por unë ju garantoj se ky ka qenë një vendim me dhimbje jo të vogla. Për të marrë këtë vendim qeveria ka bërë reforma të dhimbshme në shumë e shumë sektorë, sepse ne vërtetë kemi dyfishuar rrogat, por nuk kemi rritur përqindjen në Prodhimin e Brendshëm të shpenzimeve për rrogat. Ne kemi shkurtuar administratën në mënyrën më të ndjeshme, por ne kemi mbajtur një përqindje që është tipike për vendet me qeveri të vogël. Kjo për arsye se çdo gjë rëndon mbi supet e taksapaguesve. Ne kemi bërë dhe bëjmë përpjekje të konsolidojmë fakultetet dhe degët e mësuesisë.
Ky proces do të vazhdojë. Ne do të bëjmë çdo gjë që mësuesit të mund të përmbushin misionin e tyre të madh. Në të gjithë reformën arsimore ne nuk udhëhiqemi, ndonëse politika është politikë, nga interesa elektorale, sepse është e faktuar që kjo reformë nuk ka një vlerë të përfillshme elektorale, por ne e bëjmë këtë në mënyrën më serioze, në interesin më të madh të shoqërisë dhe të kombit, e bëjmë këtë si kushtin më themelor që ky komb të shkruajë kapitullin e të ardhmes së tij ashtu siç e meriton. Ne do të vazhdojmë këtë reformë me përqendrimin më të madh dhe më total, bashkë me ju, bashkë me nxënësit, bashkë me studentët. Kjo reformë ka një rregull: Të mos kënaqesh kurrë me të. Kjo është historia e sistemit arsimor. Po të vështrosh klasifikimet vëren se vendet që kanë qenë në krye kanë arritur afër mesit, vendet që kanë qenë afër mesit kanë dalë në krye. Kjo tregon se reforma në arsim duhet të jetë perpetum mobile dhe se me reformën në arsim nuk duhet të kënaqesh ndonjë herë, por ato që ke arritur duhet t’i shohësh si një stacion për horizontin e ri. Në këtë reformë, në këtë investim qëndron i gjithë potenciali për zhvillimin e këtij vendi.
Të nderuar të pranishëm,
20 vjet më parë ne ishim vidhisur në rrethin e 9-të të Dantes për sa i përket varfërisë dhe mjerimit. Shqipëria renditej ndër 3-4 vendet më të varfra të planetit. Këto 20 vite, bashkërisht me lumenj djerse, mundi, sakrifice, ne jemi shkëputur nga grupi i vendeve të varfra dhe kjo është një gjë e madhe. Por, ne kemi një rrugë të madhe për të bërë me qëllim që të kapim orbitën e vendeve të zhvilluara. Dhe, ne nuk mund të kemi synim tjetër, nuk mund të synojmë orbitë tjetër, përveç se orbitën e vendeve të zhvilluara, të cilat nuk rrinë në vend numëro për të na pritur ne.
Ndaj dhe ne do të na duhet të vrapojmë dhe duhet të jemi me nxitim. Rruga më e sigurt është investimi në arsim. Në këtë investim rëndësi kapitale ka përgatitja e mësuesve, por po kaq i rëndësishëm është edhe raporti që mësuesit kanë me nxënësit. Evropa ka sisteme të mrekullueshme të arsimit. Ajo adaptoi Bolonjën dhe ka arritur rezultate shumë të mëdha, me të cilat ajo projekton veten në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Por, të dashur miq, dua t’ju them se një gjë është e sigurt, epërsia totale është në shkollën amerikane.
Në një seminar me ekspertë të mëdhenj të arsimit të Singaporit, vend i cili atë vit kryesonte botën në raitingun e këtij sistemi, dhe me ekspertë amerikan, etj., ekspertët e nga Singapori konstatuan se shkolla e tyre i përgatiste nxënësit për të marrë nota shumë të mira në provime dhe për të dhënë provimet, ndërsa shkolla tjetër i përgatiste ata për të menduar në mënyrë të pavarur, i zhvillonte atyre mendimin. Ne duhet të bëjmë çdo gjë, duhet të investojmë sa më shumë, të kontraktojmë këtë të dytën në sistemin tonë, me guxim, pa asnjë kompleks, pa asnjë hezitim. Dy gjëra duhet të mësojmë nga ai sistem dhe, nëse do shprehemi me terma militare, e vërteta është që arsimi përbën armën më të fuqishme të atij kombi, armën e të gjitha armëve, përbën sekretin e të gjitha sekreteve të zhvillimit të tij.
Ndaj dhe është e domosdoshme që këtë raport ta studiojmë. është e domosdoshme që këtë raport të përpiqemi ta kontraktojmë prej tyre dhe ta zhvillojmë sipas tyre. Nuk është se ata kanë mësuesit më të mirë në botë. Përkundrazi, kanë probleme me mësuesit dhe, madje, marrin edhe me Green Card, por problemi është se kanë të vendosur një sistem. Ndaj dhe unë do t’ju ftoja ju që të shohim drejt një sistem që është i provuar dhe është i një suksesit të padiskutuar. Vetë Bolonja është ndërtuar mbi praktikën e tyre. Nuk e kanë shpallur në Bolonjë. Ai sistem u ndërtua mbi kreditit dhe të tjerët e morën. Në periudhën e shkollimit tim kreditet nuk ekzistonin në Evropë dhe sërish nuk kanë shpallur sistemin e Bolonjës. Unë e mbështes Bolonjën dhe kam bindjen më të thellë se është një sistem, jo perfekt, por në qoftë se përshtat si duhet është një sistem vërtetë i mrekullueshëm. Por, prapë këtu, të nderuar rektorë dhe dekanë, është e domosdoshme që me diplomën Bachelor studenti të ketë mundësi për sa më shumë zgjedhje. Edhe në fakultetet e mësuesisë realizohet plotësisht, në qoftë se ju organizoni kurikulën e tre viteve. Tre vite janë një kohë shumë e gjatë, në qoftë se ju vendosni në këto vite lëndë apo grupe lëndësh që u shërbejnë. Kështu që reformën e bëjmë edhe me mësuesit, vëmë mësuesin në epiqendër, por edhe me studentët. Ne nuk injorojmë interesat. Kjo botë është e ndërtuar mbi interesat. Mrekullia e tregut ka në bazë interesin.
është jetike që anglishtja të jetë, pas gjuhës sonë, një gjuhë për të gjithë. E vendosëm në Mastera, por unë, sinqerisht, ju them se do ta vendosja dhe në Bachelor. Kjo, sepse çfarë do që tu japim ne nxënësve në kokën e tyre, cilëndo doktrinë që do të mund ta bëjmë të përvetësueshme prej tyre apo studentëve, asnjëra nuk e ndriçon mendjen e tyre më shumë se anglishtja. Anglishtja është gjuha e teksteve, është gjuha e shkencës, është gjuha e teknologjisë. Kjo është e vërteta. Fatmirësisht alfabeti ynë, fonetika jonë, e bën atë gjuhë thellësisht të përshtatshme për shqiptarët, pa vështirësi. Alfabeti ynë i ka të gjitha germat. Kështu që edhe ndonjë vështirësi të madhe nuk imponon, por edhe në qoftë se u imponohet, ju ftoj ta lehtësoni, ta bëni këtë edhe në kurriz të lëndëve të tjera, të rrisni kreditet e saj. Por duhet ta marrim në mënyrën më serioze. Ky është kushti i kushteve në këtë reformë.
Meqenëse jam këtu, e kam ngritur këtë çështje edhe në mbledhje qeverie, por do t’jua them edhe këtu, sepse kam shumë rektorë, ish kolegë, kolegë: Ju lutem shumë, tekstet e duhet të përkthehen. Të heqim dorë nga tekstet tona. Unë druaj se tekstet janë akoma ato të që janë shkruar para 20 vjetësh. Dëshiroj të mos jenë. Dashuria për tekstet tona është një patologji. Ti lëmë mënjanë.
Tekstet kanë hierarkinë e tyre në botë. Linus Pauling shkruan se ky tekst që është dy herë Nobel, ketë tekst kimie ua kam kushtuar nxënësve të klasave të shtata, këtë tekst kimie e kam shkruar për gjimnazistët, këtë tekst kimie e kam shtruar për studentët që bëjnë kimi, e kam shkruar për studentët e fakulteteve të Kimisë, për mësuesit, për pedagogët. Kjo, sepse Pauling mendonte se i ka dhënë në mënyrën më të kristaltë të vërtetat e kimisë. Dhe, ne të gjithë e dimë se tekstet kanë një hierarki. Disa prej tyre janë limonadë. Unë kam pasur një mik timin, shef Katedre në Fakultetin e Gjeologjisë, dhe ai më thoshte: Sali, vë 10-të tekste përpara dhe kur përfundoj në darkë faqen tekstit tim, ajo më del më e dobët se e të 10-të teksteve që vë përpara. Ndaj, zoti ministër, ne duhet të angazhohemi për përkthimin e teksteve më të mira, të krijojmë modulin edhe të ribotimit të tyre, edhe të përmirësimit që bëjmë. Ky është kusht. Dija dhe shkolla duhet të bazohen mbi tekstet më të mira. Ju e dini se cilat janë tekstet më të mira. Të gjitha, edhe në qoftë se shkruhen në gjuhë tjetër ato mbijetojnë vetëm në anglisht.
Problem tjetër është problemi i pedagogëve. Duhet të rekrutojmë me shpejtësi pedagogë. Duhet të rrisim numrin e tyre, sepse në qoftë se ka një fushë ku ne duhet të synojmë me ambicien më të madhe, për të arritur vendet e zhvilluara, është arsimi. Po të shohim raportet pedagog/student të vendeve të OECD-së, vërejmë se raportet në Shqipëri janë kryekëput të papranueshme. Kjo jo për fajin tuaj, por sepse qeveria vendosi të hapë dyert e universiteteve dhe të shtojë me shpejtësi numrin e studentëve. Qeveria ka detyrë t’ju krijojë ju të gjitha mundësitë, në mënyrë që ju të rekrutoni me shpejtësi më të mirët dhe të keni mundësi të ushtroni me dinjitet të plotë detyrën tuaj.
I kam kërkuar ministrit të Arsimit të rishikojë të gjithë çështjet e ngarkesave. As që mund të konceptohet puna juaj pa kërkim shkencor. Po në qoftë se darkon me ngarkesë tjetër, sigurisht që e fundit që të shkon në mendje është kërkimi shkencor. Kërkimi shkencor është një nga misionet më kryesore, është plazma e gjallërisë, e progresit të institucioneve tuaja, është një motivim i madh. Kërkimi shkencor është jetik për të kalibruar metodën tënde të ecjes drejt të së vërtetës, të qëmtimit të së vërtetës. Dhe ekziston një traditë në universitetet tona dhe është e pamohueshme, e padiskutueshme, por ne duhet ta nxisim këtë traditë, duhet të nxisim financimet për këtë traditë, ne duhet ta dixhitalizojmë këtë traditë. Pse u dashka të miratohet projekti i një katedre në Ministri? Absolutisht jo. Por, edhe rektoratin e kam me dyshim, sepse ata që punojmë e dinë më mirë se kushdo tjetër se ku synojmë me këtë studim, se çfarë sjell me këtë studim. Sigurisht do të kem një kontroll dhe në qoftë se me këto fonde abuzohet, në qoftë se këto fonde shpërdorohen, përgjegjësia do të jetë.
Së fundi, miq të mijtë, në këtë sistem që kemi dëshiruar kaq shumë, një çështje është themelore: menaxhimi. Mund të jesh me çmim Nobel, mund të jesh dy herë Nobel, por nuk do të thotë se mund të merresh me administrimin e buxhetit, me menaxhimin e buxhetit, me trajtimin e burimeve, me gjetjen e mënyrave më të duhura. Kapacitetet menaxheriale në sistemet tona më kryesore, në arsim dhe në shëndetësi, janë të mjerueshme. Ne do t’i zhvillojmë ato. Por për të zhvilluar diçka duhet të shohësh ku je. Edhe sot e kësaj dite, miq të mijtë, mjekë, nuk kanë dëshirë të mos jenë drejtorë spitali, por është e vetmja që s’duhet të jenë. Unë u them se nëse duan drejtorë të dalin e të ndërtojnë një spital privat, por me fondet publike jo. Meqenëse ra rasti, ne do të hapim fakultete për menaxhim në atë degë. Zoti Dhori, rektori i UT-së, më sheh, por zoti Rektor nuk janë fakultete Ekonomike të gjitha fakultetet. Nuk kemi para shumë, por edhe po të kishim, në qoftë se nuk përdoren mirë mbeten. Ndaj, kërkesa ime ndaj jush është që problemi menaxherial, procesin menaxherial ta shqyrtojmë jashtë çdo lloj interesi të ngushtë. Ju jeni shkencëtarë, jeni studiues, juve ju intereson në perspektivën tuaj më të mirë t’ju shërbehet. Juve ju intereson, sepse ne antoniminë jua kemi rritur do t’jua rrisim. Në këtë mes nuk ka asnjë lloj hezitimi. Por edhe brenda kësaj autonomie do të ketë dekoncentrim, do të ketë decentralizim.
Edhe një herë ju përshëndes dhe kam besim të madh te këto që kemi arritur, sepse kemi arritur gjëra që na inkurajojnë. Më e rëndësishmja është se kemi një vetëdije të plotë se çfarë duhet të bëjmë pas këtyre arritjeve, nuk jetojmë në eufori. Ne kemi për të zgjidhur probleme të mëdha, probleme të financimit, të kërkimit shkencor, por ama që të gjitha janë sot në axhendën e ministrisë, rektorateve. Unë kam besim se ato do të marrim përgjigjen më të mira.
Faleminderit!”
02/06/2010