Kryeministri Berisha: Në fund të mandatit të dytë, çdo fëmijë shqiptar do të hyjë në një shkollë të re apo të rindërtuar

- Kryeministri u shpreh se “nuk do të ndalim rrugën tonë drejt moshës dixhitale. Përkundrazi, do të bëjmë çdo përpjekje që këto që bëmë për shkollat t’i bëjmë edhe për shtëpitë, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë internet dhe kompjuter në shtëpitë e tyre”
Kryeministri Berisha inauguroi sot shkollën e re 9- vjeçare “Neim Babameto”, në Spitallë, në Durrës, një investim me vlerë 1.1 milionë dollarë. Shkolla ka një kapacitet me 1100 nxënës dhe është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me ambiente sportive, me kabinet informatike dhe internet, etj. Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha vizitoi disa nga ambientet e kësaj shkolle.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Së pari dëshiroj me gjithë zemër t’ju uroj; Gëzuar shkollën e re!
Për qeverinë time shkollat janë shtëpia e dytë e fëmijëve tanë. Ndaj, dhe unë zotohem para jush se deri sa këta fëmijë shqiptarë të hyjnë në një shkollë të re apo të rindërtuar, nuk do reshtim së investuari, në mënyrë që shtëpitë e dyta të fëmijëve tanë të jenë të bukura dhe moderne, ashtu siç janë dhe vetë fëmijët.
Ndaj, kam kënaqësinë t’ju informoj se në më pak se katër vjet ne kemi ndërtuar nga e para, apo kemi rindërtuar 1012 shkolla në mbarë vendin. Ju jap fjalën se gjatë mandatit tonë të dytë do të ndërtojmë nga e para ose do të rindërtojmë të gjitha shkollat ekzistuese. Pra, në fund të mandatit të dytë, çdo fëmijë shqiptarë do të hyjë në një shkollë të re apo të rindërtuar.
Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje që fëmijët tanë të shkollohen sa më mirë, të bëhen sa më të dijshëm dhe në mënyrë të veçantë, asnjë fëmijë të mos mbetet pa shkollë. Çdo fëmijë që mbaron klasën e 9-të të mund të vazhdojë shkollën e mesme dhe çdo i ri që përfundon shkollën e mesme të mund të vazhdojë universitetin.
Ne nuk po kujdesemi vetëm për sasinë, por po kujdesemi për të gjitha aspektet dhe në veçanti për cilësinë. Në shkollën tuaj, në çdo shkollë të Durrësit dhe në çdo shkollë të Shqipërisë brenda muajit maj mbi 600 mijë fëmijë shqiptarë që ndjekin shkollat do të mund të lundrojnë në internet. Një projekt që premtuam e shndërruam në realitet. Por, rrugën tonë drejt moshës dixhitale nuk do ta ndalojmë. Përkundrazi, do të bëjmë çdo përpjekje që këto që bëmë për shkollat t’i bëjmë edhe për shtëpitë, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë internet dhe kompjuter në shtëpitë e tyre. Shqipëria ka nevojë të madhe për këtë sepse është një vend që ka humbur shumë kohë dhe vetëm me mendjen, me energjitë e tyre Shqipëria do të mund të fluturojë drejt niveleve të zhvillimit që meriton.
Qytetarë dhe qytetare të Spitallës,
Unë e di që rruga ju mungon, por jam këtu për t’ju garantuar ju se brenda shumë pak javësh, së bashku do të inaugurojmë punimet e rrugës nga Durrësi në Porto Romano, sepse rruga është tenderuar dhe është shpallur fituesi.
Këtu afër jush, në Porto Romano dhe në Spitallë do të ngrihen zonat industriale ndër më të fuqishmet në Ballkan dhe më gjerë. Unë zotohem para jush se së bashku do të diskutojmë dhe vendosim për çdo projekt sepse për ne punësimi juaj, punësimi i qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, si dhe mbrojtja e mjedisit janë përparësi madhore. Ndaj, duke krijuar këtu parkun industrial më të madh të Ballkanit, ju sigurojmë se do të respektojmë dhe mbajmë standardet më të larta të pastërtisë së ajrit dhe ujërave. Pra, do të jetë një park industrial model.
Qytetarë dhe qytetare të Spitallës,
Ne po ecim drejt mandatit të dytë dhe ju jeni dëshmitarë se Shqipëria është në një ndryshim që nuk e ka njohur ndonjëherë më parë. Ju garantoj ju se infrastruktura moderne e Spitallës dhe e kënetës, do të jetë përparësi madhore për qarkun e Durrësit. Ne jua kemi faktuar këtë dhe kemi investuar në këto dy zona, disa herë më shumë sesa është investuar në tetë vite të marra së bashku. Sërish, në Kënetë do të mbulohet dhe do të shndërrohet në bulevard edhe kolektori tjetër. Po ashtu dhe në Spitallë do të investojmë deri sa çdo rrugë dhe rrugicë të marrë standardet më të mira të qytetit të bukur të Durrësit.
Dua ta mbyll me një thirrje madhore; i merrni letërnjoftimet!
Të marrim letërnjoftimet për t’i treguar vetës dhe botës se ne tani kemi dokumentet e identitetit më moderne në Evropë. I bëj thirrje autoriteteve lokale që, në përputhje me vendimin e qeverisë, të blejnë menjëherë kuponin e letërnjoftimit për të gjithë qytetarët që janë me ndihmë ekonomike. Sapo të paraqesin dokumentet, qeveria do të paguajë për gjithsecilin prej tyre dhjetë mijë lekë të vjetra.
I bëj thirrje pensionistëve të marrin letërnjoftimet dhe i garantoj se qeveria, në pensionet e 1 majit, përveç shtesës së madhe që do të bëjë, për pensionet minimale do të vendosë edhe dhjetë mijë lekë të vjetra shtesë për kartën e identitetit.
I bëj thirrje autoriteteve vendore dhe prefektëve, që në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në mënyrën me transparente të regjistrojnë të gjithë komunitetin rom dhe egjiptian që nuk janë në skemat e ndihmës sociale, në mënyrë që në përputhje me vendimin tonë t’u japin falas kartën e identitetit.
Ne nuk kemi asnjë ëndërr më të bukur sesa ëndrrat e këtyre fëmijëve dhe të rinjve. Ëndrra e tyre është; Shqipëria, shtëpi e bukur në Evropë, Shqipëria evropiane. Vendin e anëtarësuam në NATO dhe kjo është një arritje historike pas ditës së pavarësisë. Kjo është arritja më e madhe e çdo qytetari shqiptar për veten, fëmijët dhe brezat që vinë.
Por, unë jam këtu për t’u angazhuar para jush se rrugën do ta vazhdojmë po me kaq seriozitet dhe po me kaq vendosmëri drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Pra, le të marrim letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike dhe ju garantoj se vizat do të hiqen dhe do të lëvizni të lirë në mbarë Evropën.
Edhe një herë, gëzuar shkollën dhe gëzuar të gjithëve.
Faleminderit!
14/04/2009