Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrton kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi mbledhjen e dytë ditën e martë, më 14 prill 2009, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi.
Në këtë mbledhje, sipas nenit 118 të Rregullores, deputeti Nikollaq Neranxi ishte njoftuar për të paraqitur shpjegimet tij me shkrim apo me gojë.
Deputeti Neranxi nuk u paraqit në këtë mbledhje, por kishte depozituar një material me shkrim, që iu vu në dispozicion anëtarëve të Këshillit.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se në zbatim të Rregullores, Këshilli duhet të procedojë duke respektuar të njëjtin princip, i kthyer tashmë në standard të Kuvendit, si në çdo rast kur është kërkuar heqja e i munitetit për shkak të korrupsionit.
Këshilli vendosi që të procedohet menjëherë me hartimin e draft raportit, që do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.
Sipas pikës 4 të nenit 118 të Rregullores, kjo çështje do të jetë në pikën e parë të rendit të ditës në seancën plenare të datës 23 prill 2009.