E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat

  Në mbledhjen e datës 24 mars 2009, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8873, datë 29.03.2002 "Për sigurimin e depozitave", në prani të të ftuarve nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Shoqata e Bankierëve të Shqipërisë.
Propozimet e ardhura nga Banka e Shqipërisë, janë bërë mbi bazën e një studimi të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, për të harmonizuar ligjin e ASD-së me kuadrin rregullator të BE-së në këtë fushë, si dhe të zhvillimeve ekonomike korrente. Këto ndryshime kanë si objektiv rritjen e efektivitetit dhe të shpejtësisë së procedurave të veprimit të Agjencisë gjatë procesit të kompensimit të depozitave të siguruara.
Ndryshimet që sjell projektligji janë:
1. Rritjen e nivelit të shumës maksimale të depozitave të siguruara në vlerën 2 500 000 lekë, nga 700 000 lekë që ishte;
2. Rritjen e nivelit të kompensimit të depozitave të siguruara, duke parashikuar kompensimin e plotë të tyre, jo më shumë se 2 500 000 lekë, kur deri tani ishte i përshkallëzuar në nivele, në përputhje me shumën e siguruar;
3. Në skemën e sigurimit të depozitave përfshihen edhe Shoqëritë e Kursim-Kreditit dhe Unionet e tyre;
4. Shkurtimin e afatit për fillimin dhe kryerjen e procesit të kompensimit të depozitave;
5. Rritjen e kompetencave të Këshillit Drejtues të Agjencisë;
6. Përcaktimin më mirë për financimin e Agjencisë nga buxheti i shtetit gjatë periudhës së kompensimit të depozitave, duke përcaktuar procedurën e marrjes hua dhe kriterin e përcaktimit të kësaj shume;
7. Rritjen e mbrojtjes ligjore të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Agjencisë dhe stafit të saj.
Deputetët theksuan rëndësinë e ndryshimeve që sjell ky projektligj, sidomos për depozituesit individë, shumat e të cilëve janë nën 2 500 000 dhe zënë rreth 96% të numrit të depozituesve.
Komisioni e miratoi projektligjin me disa ndryshime.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: +355 4 22 78 289.)
     
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›