E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë do të bëjmë katër herë më shumë investime

-Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve të rrugës Krutje - Fier Shegan. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se këtë vit buxheti i qeverisë është 100 përqind i garantuar për të dyfishuar pagat e mësuesve, për të dyfishuar pensionet e fermerëve, për të dyfishuar pagat e infermiereve, për të dyfishuar pagat e mjekëve

Kryeministri Berisha, në vazhdim të turit “Shqipëria po ndryshon”, mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Krutje - Fier Shegan, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 258 milionë lekë.

Në fjalën e tij drejtuar banorëve të Krutjes, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo shumicë po i afrohet mandatit të dytë për shkak të ndryshimin e madh që i ka bërë Shqipërisë dhe e vendosur për një ndryshim edhe më të thellë në katër vitet që vinë. “Ne po shkojmë drejt mandatit të dytë dhe kërkojmë votën tuaj jo vetëm për këto që kemi bërë, por ne kërkojmë votën tuaj se në katër vitet që vinë do të bëjmë katër herë më shumë. Në këto katër vjet ne kemi rritur në mënyrë të pakrahasueshme shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se për të dhe qeverinë e tij tashmë “është koha e veprave, koha e ndërtimit të rrugëve, koha e shkollave, koha e urave, e rritjes së pensioneve, e rritjes së pagave dhe koha e universiteteve”.

Duke i’u referuar turit të nisur nga kreu i opozitës Edi Rama nëpër Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se “rivali im duke parë moton tonë të përbashkët se “Krutja po ndryshon”, “Shqipëria po ndryshon”, vendosi të na imitojë dhe për këtë le ta falënderojmë bashkërisht. Por, ka një problem, ndryshimi i tij vjen si një ndryshkim i vërtetë. Ndaj, më lejoni t’i them këtu; Zoti Rama mos i ofendo shqiptarët! Së pari, këta burra dhe gra, këta të rinj dhe të reja, nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë as të Edi Ramës dhe as të Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s”.

Kryeministri Berisha u ndal më tej në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mos përfshirjen e Shqiperise nga kriza ekonomike që ka përfshirë botën.”Ju jeni dëshmitarë se bota është përfshirë në një krizë ekonomike të paparë dhe jeni dëshmitarë të deklaratave jo vetëm të qeverisë, por edhe të gjithë institucioneve ndërkombëtare, se Shqipëria nuk është në krizë. Edi Rama, le të bien sa të duan bori të krizës, ne kriza nuk do të na kapë”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri theksoi se “ne, së bashku do të forcojmë ekonominë e vendit dhe do të zhvillojmë vendin. Këtë vit buxheti i qeverisë është 100 përqind i garantuar për të dyfishuar rrogat e mësuesve, për të dyfishuar pensionet e fermerëve, për të dyfishuar pagat e infermiereve, për të dyfishuar pagat e mjekëve dhe për të ndërtuar qindra e mijëra kilometra rrugë, ujësjellës e shkolla”.

Në këtë tur Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Transporteve z. Sokol Olldashi, deputetë, drejtues të pushtetit lokal, etj.

Fjala e Kryeministrit Berisha, drejtuar banorëve të Krutjes;

“Ne, sot inauguruam së bashku një vepër madhore për Krutjen, rrugën Fier Shegan - Pushimi i Shoferit, rreth 13 kilometra dhe me dy korsi. Kam kënaqësinë e madhe të them se në këtë zonë elektorale të deputetit Ilir Bano, në këto më pak se katër vjet, ne kemi ndërtuar 37 kilometra rrugë, 25 ujësjellës, disa shkolla qendra shëndetësore, kabina elektrike dhe instalime të tjera, të cilat kanë ndryshuar për mirë Krutjen dhe gjithë Shqipërinë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Krutjes,

Jam sot para jush për t’u zotuar se shumë shpejt, së bashku me ju do të presim shiritin e inaugurimit të fillimit të punimeve të rrugës Pushimi i Shoferit- Divjakë dhe në këtë mënyrë do të ndërtojmë njërën prej arterieve më kryesore.

Vëllezër dhe motra,

Ne po afrohemi drejt mandatit të dytë, po afrohemi drejt këtij mandati për ndryshimin e madh që i kemi bërë Shqipërisë dhe të vendosur për një ndryshim më të thellë në katër vitet që vinë. Unë kam bindjen se ju, së bashku me mua, gjënë më të mirë që mund të bëjmë për veten dhe fëmijët tanë është të ndërtojmë rrugë të mira, të ndërtojmë shkolla moderne, ujësjellësa, tregje, etj. Pra, kemi nevojë për vepra, nuk kemi nevojë për fjalë.

Në qoftë se ka një popull, i cili numëron lumenj dhe male fjalësh për gjysmë shekulli jemi ne. Për mua dhe qeverinë time tani është koha e veprave, koha e rrugëve, koha e shkollave, koha e urave, e rritjes së pensioneve, e rritjes së pagave, koha e universiteteve.

Rivali im duke parë moton tonë të përbashkët se “Krutja po ndryshon”, “Shqipëria po ndryshon”, vendosi të na imitojë dhe për këtë le ta falënderojmë bashkërisht. Por, ka një problem, ndryshimi i tij vjen si një ndryshkim i vërtetë.

Ndaj, më lejoni t’i them këtu; Zoti Rama mos i ofendo shqiptarët! Së pari, këta burra dhe gra, këta të rinj dhe të reja, nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë as të Edi Ramës dhe as të Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s dhe ne do t'i bëjmë qytetarë të NATO-s.

Mos i ofendo shqiptarët me xhufka, sepse xhufkat që i kanë parë për 47-vjet me radhë për festën e 1 Majit. Vërtetë ti mund të fërkosh hundën e ndonjë nostalgjiku me to, por për shqiptarët në tërësi ato janë salltaneti i mashtrimit. Prandaj, lëri xhufka dhe maskat, se nuk ke ç’bën, je i humbur.

Ne po shkojmë drejt mandatit të dytë dhe kërkojmë votën tuaj jo vetëm për këto që kemi bërë, por ne kërkojmë votën tuaj se në katër vitet që vinë do të bëjmë katër herë më shumë. Në këto katër vjet ne kemi rritur në mënyrë të pakrahasueshme shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë. Mendoni vetëm për një moment, nëse gjatë gjithë jetës tuaj ka pasur ndonjë një dimër më të ftohtë se ky dhe nuk ka munguar energjia elektrike.

Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën dhe për të mbajtur fjalën time siç kam deklaruar se nga fillimi i vitit 2007 e tutje nuk do të ketë kurrë energji elektrike derisa energjia elektrike te gjendet në treg. Por, çfarë bëmë ne gjatë vitit 2008? Ne kemi importuar energji elektrike 4 herë më shumë se në vitet 2004-2008. Unë ju jap fjalën se sa kohë të ketë në treg energji elektrike, ne do të importojmë edhe 5-6 herë më shumë, në mënyrë që në shtëpitë tuaja të mos mungojë drita dhe energjia elektrike.

Ju jeni dëshmitarë se bota është përfshirë në një krizë ekonomike të paparë dhe jeni dëshmitarë të deklaratave jo vetëm të qeverisë, por edhe të gjithë institucioneve ndërkombëtare, se Shqipëria nuk është në krizë. Edi Rama, le të bien sa të duan bori të krizës, ne kriza nuk do të na kapë.

Ne, së bashku do të forcojmë ekonominë e vendit dhe do të zhvillojmë vendin. Këtë vit buxheti i qeverisë është 100 përqind i garantuar për të dyfishuar rrogat e mësuesve, për të dyfishuar pensionet e fermerëve, për të dyfishuar pagat e infermiereve, për të dyfishuar pagat e mjekëve dhe për të ndërtuar qindra e mijëra kilometra rrugë, ujësjellës, shkolla.

Është një herë, dëshiroj t'ju falënderoj për këtë pritje madhështore dhe dua t’ju siguroj se qeveria ime ka qenë dhe do të mbetet, qeveria e halleve dhe derteve tuaja. Qeveria ime ka qenë dhe do të mbetet qeveria e zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale. Kjo qeveri në katër vjet ka investuar 1.6 miliardë dollarë vetëm në zonat rurale, por unë ju jap fjalën e nderit se në katër vitet që vinë kjo qeveri do të investojmë 3.2 miliardë dollarë në zonat rurale.

Edhe një herë, ju përshëndes dhe ju uroj gëzuar këtë rrugë, si dhe ju garantoj se investimet do të vazhdojnë në Krutje dhe në çdo komunë të Shqipërisë, derisa ju dhe fëmijëve tuaj t’ju ofrojmë infrastrukturën e qyteteve tona.

Rroftë Krutja, rroftë Shqipëria!”


27/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›